NGA FATMIRA NIKOLLI

Gjithë shoqëria shqiptare ka nevojë për këtë vepër. Kanë nevojë ata që e kanë jetuar atë kohë, e po aq, në mos më tepër, ata që se kanë jetuar. Kanë nevojë të shtypurit e të nëpërkëmburit, e po aq, në mos më tepër, ata që shtypën të tjerët. Kanë nevojë antikomunistët, e po aq, ndoshta më tepër, komunistët”. Këto radhë të Ismail Kadaresë, Arben Derhemi i lexon para gazetarëve në një nga sallat e Katedrales së Shën Palit në Tiranë, ndërsa prezanton monodramën “Rrno për me tregue”, mbështetur në veprën me të njëjtin titull të At Zef Pllumit. Teksti është përzgjedhur nga Bashkim Hoxha, ndërsa vepra vjen me regji të Milto Kutalit dhe nën interpretimin e aktorit Arben Derhemi. Shfaqja është në datën 30 shtator.

PËR MARTIRËT
Konferencën para mediave e hapi sekretari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot George Frendo, i cili tha dje para mediave se: “Zoti na ka bekuar shumë gjatë këtij viti. Papa shpalli Nënë Terezën shenjte, ndërsa me 5 nëntor shpallen të lum 38 martirë”. Në fjalën e tij, monsinjor Frendo shtoi se ka pasur shumë më tepër, por janë zgjedhur këta, sepse me martirizimin e tyre tregohet urrejtja e regjimit ndaj besimit katolik. “Enver Hoxha kishte një urrejtje në mënyrë të veçantë për kishën katolike. Unë kam lexuar fjalimet më 1984. Ai ka folur për luftën kundër besimit dhe kundër katolikëve”, tha Frendo, mandej citoi Hoxhën të ketë thënë “Hierarkët katolikë ishin pa atdhe, vareshin nga Vatikani. Ata ishin të shkolluar me disiplinë të hekurt me metoda që t’i dredhonin shtypjes dhe në aleancë me regjimin reaksionar…”.

Sipas monsinjor Frendos kjo pjesë e fjalës së Hoxhës kundër kishës katolike tregon gjithçka. Ai mandej solli në vëmendje martirët që vdiqën në tortura. “Pasnesër në katedrale ka këtë shfaqje që flet për këta martirë, bazuar në tregimin e At Zef Pllumit”. Në vijim, regjisori Milto Kutali falënderoi për mbështetjen Monsinjor Frendon, i cili sipas tij “ka nderuar në sipërmarrjen tonë për të realizuar një premierë absolute me Arben Derhemin. Për 1 orë e pesë minuta do sjellim një realitet tjetër. Ishte ngulmim i yni që kjo shfaqje të jepet në katedrale.

Shfaqja ka të bëjë me një konstante dominante që përshkon librinnjerëzit duhet të gjejnë komunikimin. Unë kam vënë në skenë Ioneskon, por kur kam lexuar At Zef Pllumin falë nismës së përzgjedhjes së dramaturgut Bashkim Hoxha dhe Arbenit që ishte këmbëngulës kam kuptuar diçka tjetër”. Kutali tha se dëshiron që shfaqja të vihet në gjithë Shqipërinë. Ai falënderoi në mënyrë të veçantë Kuvendin Françeskan që ka pritur në muajin maj dhe i ka ndihmuar që vepra të vijë e plotë dhe e saktë.

ASKUSH NUK KËRKOI FALJE

Arben Derhemi ndjehet i kënaqur nga puna që ka bërë me “Rrno për me tregu.” Për të vlerësuar veprën e At Zef Pllumit, ai citon Ismail Kadarenë, mandej thotë se vepra do të hapë debat të gjerë “nëse shoqëria mendon me kokën e vet. Ngjarjet e fundit tregojnë se shoqëria e ka të vështirë… Shoqëria ku jetojmë e do rrisim fëmijët tanë. Kjo pjesë është ndryshe nga veprat e tjera që kam interpretuar. Unë jam rebel, sanguin por shfaqja është mbajtur në kuadrin e gjetjes së komunikimit me njerëzit, kafshët e bimët”. Derhemi shtoi se pjesa të mbush emocionalisht dhe se nuk kanë dashur të shkojmë drejt të zezës e tmerrit që kanë përjetuar martirët.

“Kemi shkuar te njerëzit që e gjejnë të bukurën edhe ne skëterrën e 50 viteve. At Zef Pllumi thotë diku: Nuk e di a është liri e vërtetë ajo atje jashtë. Edhe pse jashtë ata asnjëherë s’kanë qenë të lirë”. Në këtë pikë Milto Kutali tha se askush nuk ka kërkuar falje për krimet e bëra. “Edhe pse me kontributin tonë modest nuk mund të kalojmë pa u ndjerë. Ndikimi i shfaqjes do të jetë. Diku-diku do të ndodhë që fajtorët të dëgjojnë. Kaq vite pasi At Zef Pllumi doli nga burgu, vijon të ndodhë e njëjta dramë e madhe. Njerëzit nuk janë të çliruar të komunikojnë. Pjesa hap debat. Ne e vëmë shfaqjen në kishë, ne shkojmë aty ku njerëzit shkojnë, në institucionet e besimit”. Ndërkaq, bisedat janë bërë me institucione të ndryshme fetare.

“Do jemi edhe në institucione të besimeve të tjera. At Zef Pllumi ka pasur miqtë më të mirë në burg dy myslimanë”, tha Kutali në përgjigje të pyetjes, pse një shfaqje vjen vetëm në kishë, a mundet kjo të mbajë larg spektatorin e besimeve të tjera. “Ne i mendojmë priftërinjtë si t’i ketë sjellë Zoti. Në vizitën në Kuvendin Françeskan, ne kuptuam se At Zef Pllumi ka qenë shumë normal. Ne e kemi mbajtur veprën në boshtin e urtësisë së njerëzve që vuajtën në tortura e megjithatë gjetën një urë komunikimi me Zotin. At Zef Pllumi na mëson të themi: Pse silleni kështu zotëri- jo po bëni gabim zotëri”, tha Derhemi, teksa tregonte përgatitjen për veprën.

PËR ATDHE E FE
Katolikët shqiptarët, françeskanë e jezuitë, në luftën e tyre për shtet e liri, kanë pasur parasysh gjithnjë frazën e artë për “Atme e fe”. Dje para mediave, monsinjor Frendo tha se “Unë personalisht jam shumë kundër fjalës së Pashko Vasës: Feja e shqiptarëve është shqiptaria. Nuk jam dakord, sepse një fjalë e tillë, tregon se shqiptarët janë më shumë nacionalistë se popujt e tjerë. Nuk besoj se është ashtu. Kjo do të thotë se shqiptarët janë më pak besimtarë se popujt e tjerë, por as kjo nuk është e vërtetë.

Unë them se kjo bashkëjetesë, mund të shpjegohet se kemi pasur fat që këtu në Shqipëri politikanët shqiptarë nuk kanë manipuluar fenë për qëllime politike. Nuk kemi pasur asnjë Milosheviç dhe asnjë që ka përdorur besimin për qëllime politike. Por, kjo është edhe në sajë të besimeve të liderëve. Të gjithë liderët e besimeve të ndryshme në Shqipëri kanë qenë shumë afër-njëri-tjetrit. Këtë e kemi trashëguar deri më sot, dhe shpresoj që të vazhdojmë të jetojmë në këtë harmoni”.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb