NGA FATMIRA NIKOLLI*
Baleti “Monger” vjen në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit nga koreografi më i famshëm në Izrael, Barak Marshall. “Monger” titullohet baleti që e përkthyer në shqip është “shitës” dhe mbi këtë ndërtohet e gjithë koreografia. Janë 14 shërbëtorë të ngecur në bodrumin e shtëpisë së një gruaje mizore. Që të mbijetojnë, ata shesin gjithçka, madje nuk kursejnë as shpirtin. “Një balet mbi moralin, sesi një njeri i keq mund ta përçojë ligësinë e tij te të tjerët. Si mund ta shndërrojë qenien më njerëzore në çnjerëzore. Si bukuria e shpirtit zhduket, kur nuk ke mundësi, shpresë dhe të ardhme. Dhe çfarë bën, shet veten”.

E cilësuar nga kritikët si një pjesë tejet inteligjente, ku origjinaliteti qëndron tek elementët teatralë ajo prek skenën më 28, 30 maj 2016, ora 20:00. Kjo pjesë përmes gjuhës së trupit ngre çështje të pushtetit, vullnetit të lirë dhe kompromisit që të gjithë ne bëjmë në mënyrë që të mbijetojmë. Pjesa bazohet te pjesa teatrale e Jean Genet “The Maids” si dhe nga jeta e puna e Bruno Shultz. Kjo është historia e disa shërbyesve, të cilët e gjejnë veten të izoluar në bodrumin e shtëpisë së një zonje abuzive.

Vetë zonja nuk shfaqet asnjëherë në skenë, por simbolizohet nga një zile, e cila tingëllon duke vënë në lëvizje shërbyesit sipas dëshirës së saj. Lufta për të mbijetuar ngre çështje të pushtetit, vullnetit të lirë dhe kompromisit. Në balet vijnë të ndërthurura pjesë muzikore nga Balkan Beat Box, tek Handel, Verdi dhe The Yiddish Radio Project. As/Koreograf: Yoav Grinberg dhe Inbar Nemirovsky; ndriçimi: Yacov Beresy; kostumet: Elva Bella; asistente në prova: Alisa Gjoni, Rovena Shqevi; muzika Collage—Taraf de Haidouk, Balkan Beat Box, The Yiddish Radio Project, Margalit Oved, Shye Ben Tzur, Shandor, Handel, Verdi, Tommy Dorsey, Terry Hall, Ray Noble, Goran Bregovic; përzgjedhja e muzikës: Giori Politi dhe Barak Marshall; këshilltar teatral: Ariel Ashbel; producent: Sigal Cohen, foto Gadi Dagon dhe interpretojnë: Loreta Bala, Rovena Shqevi, Ledia Sulaj, Amela Prifti, Livia Lara, Tea Ajazi, Fjoralba Zere Dion Gjinika, Julind Dervishi, Besi Skura, Andi Vrapi, Kristi Dalipi, Kristi Dushmani, Anxhelo Muçollari, Erald Zela.

Në një intervistë të shkurtër për “GSH”, koreografi tregon bashkëpunimin me balerinët dhe rrugëtimin e tij artistik.

– Pushteti dhe njerëzit që luftojnë për lirinë janë ideja qendrore e baletit. Duke ardhur nga Izraeli çfarë do të thotë të luftosh për lirinë?
Është disi e qartë, kemi dy kombe që kanë luftuar për liri e vetëvendosje dhe për fat të keq në dy anët kemi lidera që nuk kanë marrë vendime që do t’i lejonin njerëzit të jetojnë në dinjitet. Por nuk ka të bëjë vetëm me eksperiencat, është një histori universale, e shohim në Shqipëri, në shtete të tjera dhe struktura të tjera ekonomike e politike që mbajnë rregull, por nuk i lejojnë njerëzit të realizojnë potencialin dhe ëndrrat e tyre, ndaj është problem universal.

-Pse zgjodhët këtë pjesë për në Shqipëri?
Pjesët e mia thonë të njëjtën gjë si ide, mund të kishte qenë secila, por “Monger” për një prezantim të parë këtu. Është një nga pjesët e mia të preferuara dhe mendova se shkon këtu nga sensi emocional.
-Balerinët duket si marioneta në duart e dikujt ose si kukulla, pra balerinët si personazhe…
Po në pjesë është një grua, Margarita, që kontrollon gjithçka, manipulon shërbëtorët, ose skllevërit e saj në fakt. Jepet ideja e kontrollit.

-Në profilin tuaj në “Facebook”, ju keni lavdëruar shumë balerinët shqiptarë, çka nuk vihet re për baletet e tjera. Çfarë ju ka bërë për vete nga balerinët shqiptarë?
Kam pasur përvoja të mira me kastat ku kam qenë me baletet e mia, por keni të drejtë, kam qenë shumë i kënaqur nga balerinët shqiptarë dhe e kam shprehur disa herë siç ju e keni vënë re. Ky ka qenë si një lloj rizbulimi dhe jam ndjerë shumë mirë. Është një kulturë e madhe këtu, ka shumë fuqi. Shumë trupa baleti moderne vijnë nga një shkollë mendimi, kanë balete, ose klasike, ose moderne; ndërsa këtu ka teknikë, ka edhe shpirt. Këtu kanë një teknikë të jashtëzakonshme dhe një kulturë të jashtëzakonshme dhe kur këto bashkohen, vjen diçka e veçantë. Një gjë të ngjashme me këtu e kam gjetur në një kompani në Serbi, që kishte pothuaj të njëjtin balet dhe dëshirën.

– Do i merrnit në kompaninë tuaj balerinët tanë?
Po nëse do kisha, po. Janë të jashtëzakonshëm. Po të kem një kompani në të ardhmen, patjetër. Janë artistë të mirë, ju e keni vënë re në “Faceboook”, janë artistë me teknikë të jashtëzakonshme, punëtorë të jashtëzakonshëm dhe shumë të kulturuar. Është e vështirë ta gjesh këtë në botën e kërcimit. Kompanitë e mëdha të baletit po e modelojnë veten, por këtu ka diçka që nuk e gjen askund. Mund të gjesh shpirtin dhe punën, por teknika është më e mirë këtu.

-Ky balet i juaji ka disa zhanre muzike. Pse i ndërthurni?
Kjo nuk është një gjë për të cilën mendoj shumë. Nuk bën diferencime. Kur përzgjedh muzikën për baletet, e nis duke dëgjuar 10 mijë pjesë muzikore dhe më pas zgjedh ato që janë kryesoret për shembull. Ndaj ka pjesë ku kam përdorur muzikë të gipsy, për një pjesë tjetër kam zgjedhur një muzikë nga Izraeli, por ka një lloj lidhjeje mes lëvizjeve, dramaturgjisë dhe energjisë.

-Një prej pjesëve tuaja më të suksesshme ka qenë “Rooster”, ku ju kishit aty edhe nënën tuaj të përfshirë, Margarit Oved, një balerinë e njohur. Si është transmetuar baleti dhe pasioni nga nëna tek ju?
Ndërsa rritesha e ‘urreja’ baletin dhe kërcimin, sepse ime më ishte koreografe dhe kërcimtare. Nëna ime ishte një yll i baletit dhe isha rritur nëpër prova, teatro e nëpër ture, megjithatë baleti ishte gjëja e fundit që doja të bëja. Ajo ka qenë njeriu që ka ndikuar më shumë në artin tim. Ajo më ka dhënë pasionin për artin dhe më ka bërë të kuptoja rëndësinë e kërcimit, duke më treguar këtë lloj dashurie. Unë nuk jam trajnuar për balet, trajnimi im ishte të shihja atë. Kam parë 25 vite të punës së saj dhe mbase jam duke e imituar në mënyrën time. Ajo është koreografe shumë e mirë dhe performuese shumë e mirë.

– Ju u bëtë koreograf aksidentalisht dhe ka një pjesë baleti që lidhet me këtë aksident. Si erdhi “Aunt Leah”?
Po. Isha 27 vjeç. Nëna ime ishte drejtore artistike në kompaninë e saj të baletit në Izrael dhe tezja ime vdiq. Ne mbajmë 7 ditë zi kur dikush vdes dhe ndërsa isha shumë i mërzitur, hyra në studio duke qarë, kisha vënë muzikë dhe po lëvizja pa qenë i ndërgjegjshëm çfarë po bëja. Një mikja ime në kompani kishte qenë duke më parë mua dhe lëvizjet e mia të kërcimit. Në fund të zisë, ajo më tha se dua të të tregoj disa lëvizje, ma tregoi dhe i thashë se është shumë e bukur, ndërsa ajo më tha: është e jotja dhe pjesa e baletit duhet të jetë për tezen tënde. Kështu filloi, ishte një kujtim për tezen, pjesë me të cilën fitova një çmim.

-Baleti juaj “Emma Goldman’s Wedding”, ka marrë disa çmime. Çfarë e bën të veçantë?
Është një histori dashurie dhe në një mënyrë është për luftën e gruas. Më frymëzojnë luftërat e njerëzve. Kam lexuar shumë për të dhe personazhi i saj u bë disi frymëzim për këtë pjesë, që tregon një grua që lufton për lirinë. Ishte një pjesa ime e tretë dhe jam suprizuar nga çmimet. Fillova aksidentalisht baletin dhe u bëra fitues.

-Sa kanë ndikuar studimet e filozofisë në balet? A ka qenë filozofia një çelës për të kuptuar më shumë?
Kam studiuar shkenca politike, letërsi dhe filozofi. Më ka ndihmuar të kuptoj strukturat, politike ose jo se si ndikojnë te ne, te perceptimet e jetët tona. Më kanë ndihmuar të tregoj më mirë një histori.

-Pse baleti “Monger” ka lëvizje shumë të shpejta?
Është pjesë e imja. Muzika dua të jetë e shpejtë. Nuk e kam qëllim, por syri njerëzor kap shumë pamje në një sekondë dhe më pëlqen kur ‘imiton’ lëvizjet e jetës në skenë. Dua atë rrëmujën e jetës, lëvizjen, shpejtësinë dhe fuqinë e tyre.

-Në një prej skenave duket sikur shohim një grua të mbuluar?
Në fakt është efekt pamor. Nuk është një grua aty. Janë këmbët e dy meshkujve që krijojnë një grua të padukshme. Skena sjell disa ide, gruan e kontrolluar nga burri, gruan që përpiqet të sigurojë jetesën dhe të vë në pikëpyetje nëse është grua e sofistikuar apo një prostitutë, por që po mbahet te burrat dhe që po i josh. Personi është ajër, por është një teatër ‘kukullash’.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: