NGA FATMIRA NIKOLLI*

Dy basorelievet e fasadës së ish-stadiumit “Qemal Stafa” nuk do të shkatërrohen. Burime zyrtare pohojnë për “Gazeta Shqiptare” se dy komplekset skulpturore që paraqesin dy futbollistë dhe tri basketbolliste do të ruhen. “Vendimi” është marrë me gjithë deklaratat e kryeministrit Edi Rama, i cili në një postim në profilin e tij zyrtar në “Facebook” tha të premten se “kujevënësit profesionistë që argument kanë injorancën, kanë vënë alarmin (për dy basorelieve pa asnjë vlerë, që tutkunët e regjimit të vjetër ia mballosën fasadës së ‘Qemal Stafës’) dhe po bërtasin që po dëmtohet trashëgimia kulturore. Ato basorelieve që turpëronin edhe realizmin socialist, e kanë kryer misionin e tyre të shëmtimit e nuk hyjnë askund si vlerë e trashëgimisë kulturore”.

Pas bujës dhe debateve të ditës së premte sa i takon shembjes së fasadës së stadiumit “Qemal Stafa” ku do të ndërtohet stadiumi i ri “Arena Kombëtare”, burime konfidenciale, thanë të shtunën për “GSH” se dy basorelievet po paketohen duke i shpëtuar shkatërrimit, pavarësisht se nuk do të jenë pjesë e fasadës së rindërtuar, e cila do të ketë tri hapje, si në projektin origjinal të arkitektit italian Gherardo Bosio.

Dje pasdite, grupet skulpturore janë çmontuar nga panelet, pasi kanë qenë me armaturë hekuri pas tyre.
“Ndërkohë që ne flasim, ato po çmontohen dhe po vihen në arka druri të rrethuara me bukë peshku. Do depozitohen për t’u ruajtur, për të vendosur në të ardhmen se çfarë do të bëhet me to. Nuk dimë të themi ende se cili do të jetë fati i tyre konkretisht, por meqë janë një gjurmë e asaj kohe, ato do të ruhen”, shtoi burimi, duke qartësuar se bëhet fjalë për skulpturat, pasi paneli kuadratik (që kanë qenë bërë në madhësinë e dyerve që u mbyllën pas çlirimit) ose fusha është thjesht një copë betoni ku ato qenë vënë/ngjitur.
gazetashqiptare1
E ARDHMJA E
BASORELIEVEVE
“Ato hiqen nga panelet kuadratike në të cilat kanë qenë vendosur, për t’iu lënë një vendimi të mëtejshëm nëse do të ekspozohen në mjediset e muzeut që stadiumi i ri do të përmbajë, apo do të ekspozohen diku tjetër. Këtë do ta përcaktojë një komision”, shtoi burimi zyrtar i “GSH”. Me gjasë në një të ardhme edhe ato do t’i nënshtrohen rivlerësimit. Nëse këto basorelieve do të bëjnë pjesë ose jo në muzeun e ardhshëm të stadiumit “Arena Kombëtare”, kjo nuk është vendosur akoma, sepse ende nuk dihet as se kush do të jetë kuratori i muzeut të ri dhe çfarë do të ketë brenda ai muze, por deri në atë kohë, ato të depozitohen në një vend të sigurt dhe larg rrezikut të dëmtimit e shkatërrimit.

“Mënyra se si do të ekspozohen, a do të bëhen sërish panelet kuadratike apo do të vihen në mur, apo do mbeten jashtë muzetë, mbetet për t’u gjykuar”, mësoi dje “GSH”.
Basorelievet nuk ishin parashikuar në projektin e miratuar që të ishin në fasadën e re. Që në fillim, ishte parashikuar që fasada e ribërë e stadiumit të ri, të vinte sipas projektit origjinal të italianit Gherardo Bosio, ndërsa dy basorelievet ishin vënë pas çlirimit të vendit. Në përgjigje të interesit të “GSH”, burimi shtoi se basorelievet nuk janë dëmtuar.
Të premten, pas deklaratës së Ramës se basorelievet ishin pa vlerë, studiuesi Moikom Zeqo tha për “GSH” se “sa i takon deklaratës, po ju them se ato nuk janë të shëmtuara dhe pasqyrojnë një kohë të caktuar, dhe pikërisht për këtë(se pasqyrojnë atë kohë) ia vlen të ruhen. Po të ishte për të shkatërruar veprat e realizmit socialist, le të shkatërrohen edhe ato që ruhen në Galerinë Kombëtare të Arteve bashkë me fasadën e Kryeministrisë. Ky mendim është një nonsens historik dhe estetik. Nëse do ruhet një pjesë e murit, do të kish kuptim edhe ruajtja e basorelieveve”.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: