NGA ERL MURATI

TIRANE- Natyrisht, interesimi i parë është për fatin e shqiptarëve që jetojnë në Turqi. Mediat kanë publikuar lajmin se profesori nga Cërriku, Marjus Hoxha është njëri prej mijëra të arrestuarve pas grushtit të shtetit. Ambasadori i Turqisë thotë se nuk disponon lista të personave të ndaluar dhe na drejton të pyesim në ambasadën shqiptare në Ankara ose në MPJ. Por, shteti ynë hesht.

Gjatë intervistës për “Gazetën Shqiptare”, ambsadori Hidayet Bayraktar nuk e përmend me emër Fetullah Gylenin. Ai i referohet ‘organizatës terroriste Feto’ si përgjegjëse për grushtin e shtetit të mbetur në tentativë. Dhe shton se zgjatimet e kësaj organizate, herët a vonë do t’i bëjnë keq edhe Shqipërisë.

Zoti ambasador, pas tentativës për grusht shteti në Turqi, shumë njerëz vdiqën dhe akoma më shumë u plagosën. Besoni se ajo që ndodhi kishte prapavijë politike, apo ishte thjesht një “operacion ushtarak”?
Siç jeni në dijeni, më datë 15 korrik ditën e premte, u realizua një tentativë e përgjakshme për grusht shteti nga organizata terroriste Feto, e cila i kundërvihej rendit tonë kushtetues demokratik. Puçistët sulmuan në mënyrë makabre me tanke, helikopterë dhe avionë duke masakruar popullin e tyre. Ky quhet terrorizëm. Terroristët puçistë kishin për qëllim të vendosnin hegjemoninë e organizatës së tyre monstruoze në këtë vend, duke zhdukur në këtë mënyrë vullnetin popullor. Duhet të jemi të qartë që kemi të bëjmë me një organizatë terroriste të mirorganizuar. Kjo organizatë ka depërtuar duke ndërtuar fole në institucionet ushtarake, polici, sistemin gjyqësor dhe pothuajse në të gjitha ministritë. Të pandehurit e kapur pas tentativës për grusht shteti e kanë pohuar këtë strukturë dhe organizimin e saj. Nëse grushti i shtetit do të kishte pasur sukses, fatkeqësisht Turqia sot do të ishte në një situatë tjetër. Jam i sigurt që edhe Shqipëria, një vend mik dhe vëlla, nuk do të dëshironte një Turqi me demokraci dhe rend kushtetues të përmbysur, me masakra të përmasave edhe më të mëdha dhe me një administratë të kapur. Dëshiroj t’ju tërheq vëmendjen sidomos në lidhje me këtë çështje. Do të ishte e gabuar që tentativa e grushtit të shtetit, e cila është zhvilluar jashtë hallkave urdhëruese të komandës qendrore dhe që është kundërshtuar që në fillim nga një pjesë e madhe e ushtrisë, t’u atribuohej të gjitha forcave tona të armatosura. Kjo tentativë për grusht shteti është një parapërgatitje e bërë nga disa elementë të infiltruar prej kohësh në forcat e armatosura. Pjesa tjetër e ushtrisë ndjen keqardhje të thellë nga kjo ngjarje.

Si e vlerësoni reagimin e popullit turk ndaj tentativës për grusht shteti?
Populli turk, të cilin puçistët Fetoistë nuk e kishin përllogaritur në planet e tyre, me të mësuar për këtë tentativë, ka reaguar masivisht. Një popull i tërë burra, gra, të rinj e të moshuar kanë vërshuar masivisht nëpër sheshe, duke rrezikuar jetën në mbrojtje të demokracisë. Ata sfiduan tanket, pushkët dhe avionët. Media jonë e lirë u mobilizua në këtë çështje kundër puçistëve. Partitë tona politike si ato në pushtet, edhe ato në opozitë reaguan si një grusht i vetëm. Si rezultat, terroristët puçistë nuk ia arritën qëllimit të tyre. Fatkeqësisht gjatë këtij sulmi makabër dhanë jetën në mbrojtje të demokracisë 240 shtetas tanët. U plagosën dhe rreth 2000 shtetas të tjerë. Vullneti popullor në Turqi vërtetoi se nuk mund të realizohet një tentativë për grusht shteti. Thënë me pak fjalë, triumfoi demokracia dhe jo tanket, topat dhe pushkët që Feto drejtoi kundër popullit. Natyrisht që janë marrë masat e nevojshme kundër personave të përfshirë në strukturën Feto, të cilët morën pjesë në një tentativë për prishjen e rendit kushtetues dhe demokracisë sonë, duke masakruar popullin civil. Janë kapur mbi 13000 persona të dyshuar. 6000 prej tyre janë ndaluar me vendim gjykate. Janë mbyllur shumë institucione, të cilat kanë qenë pjesë e mekanizmit të Feto, janë mbyllur edhe aktivitetet tregtare të shoqërive dhe individëve që financojnë terrorizmin. Me pak fjalë, po merren masa të efektshme për të shpërbërë organizatën terroriste Feto. Nëse nuk do të merren këto masa, atëherë ngjarje të tilla mund të ripërsëriten. Ne po përpiqemi të eliminojmë plotësisht një rrezik të tillë. Në këtë kontekst, siç jeni në dijeni javën e shkuar u mblodh fillimisht Këshilli Kombëtar i Sigurisë dhe u sugjerua shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme, e cila ka si qëllim spastrimin e shtetit tonë nga organizata Feto. Kjo gjendje e jashtëzakonshme do të zgjasë për 3 muaj. Sidomos dëshiroj të theksoj që kemi të bëjmë me një situatë, e cila ka për qëllim spastrimin e plotë të vendit tonë nga organizata Feto dhe që nuk cenon jetën e përditshme të popullatës. E di që shumë nga vëllezërit shqiptarë dëshirojnë të kalojë pushimet në Turqi. Nuk ka asnjë situatë që do të cenonte planet e tyre të pushimeve. Aktualisht me qindra mijëra turistë të huaj po kalojnë të sigurt dhe të gëzuar pushimet në zonat tona turistike.

Cili është opinioni juaj për reagimin e politikës shqiptare gjatë dhe pas asaj që ndodhi në Turqi? Po reagimi i popullit shqiptar?
Shqipëria ka reaguar fuqishëm kundër këtij plani të frikshëm për grusht shteti, realizuar nga Feto. Si pozita, ashtu edhe opozita janë shprehur kundër puçistëve duke theksuar se janë në krah të të zgjedhurve dhe të demokracisë. Kemi marrë një mbështetje të madhe edhe nga opinioni në mbarë Shqipërinë. Ne e konsiderojmë Shqipërinë gjithnjë si një vend mik dhe vëlla. Kjo u tregua edhe në zhvillimet e fundit. Me këtë rast dëshiroj të falënderoj vëllezërit e mi shqiptarë.

Kam lexuar në median shqiptare, një listë emërore që qeveria turke i ka dërguar qeverisë shqiptare, lidhur me përkrahësit e Gylenit në institucione dhe shoqërinë shqiptare. A është i vërtetë ky dokument?
A janë të vërtetë emrat e përmendur në median shqiptare? Pa diskutim që në Shqipëri ka një strukturë aktive dhe disa institucione e individë të lidhur me Feto. Duke qenë se këto struktura janë zgjatime të një organizate terroriste, të jeni të bindur se sikurse u vërtetua edhe në Turqi, në momentin kur do të preken interesat e tyre, ata mund të bëjnë shumë të këqija edhe në Shqipëri. Nuk dëshiroj të bëj komente pozitive apo negative për çështje të klasifikuara (konfidenciale). Dëshiroj të them vetëm këtë gjë. Ne presim që ndaj aktivitetit të institucioneve apo individëve të cilët kanë lidhje me organizatën Feto në Shqipëri, të ndërmerren sa më shpejt masa serioze dhe efektive. Por, kjo çështje ka një rëndësi të madhe përsa u përket marrëdhënieve dypalëshe. Ne shpresojmë që organizata Feto nuk do të njollosë marrëdhëniet e shkëlqyera Turqi-Shqipëri.

A i keni kërkuar qeverisë shqiptare të mbyllë shkollat dhe universitetet e financuara nga Gyleni në Shqipëri?
Në fakt unë iu përgjigja kësaj pyetjeje. Qëndrimi ynë përsa i përket shpërbërjes së zgjatimeve të strukturës Feto në Shqipëri është i qartë. Tratativat tona për këtë çështje vijojnë.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb