Nga: LUAN RAMA*
Edhe pak ditë Nënë Tereza do të shenjtërohet atje ku u ngrit kisha e apostullit Shën Pjetri, dhe unë ende nuk mund ta realizoj peshën e këtij akti, jo vetëm në kuadrin e historisë së kristianizmit, por dhe të historisë së sotme botërore, të historisë humane. Herë pas here këto ditë më vijnë ato imazhe të kësaj nëne të madhe të të varfërve kur ajo vinte për herë të parë në Shqipëri. Ishte diçka e pabesueshme por e vërtetë, pasi ato ditë të vitit 1989 më së fundi, pas kaq vite pritjeje, ajo vinte të shikonte popullin e saj, varret e nënës dhe motrës së saj të dashur. Më kujtohet ai çast kur në hollin e muzeut në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ajo hyri ashtu e përkulur, me hapin e saj të lehtë, veshur me sarin e saj, me sytë e gëzuar dhe të qeshur, duke na dhënë dorën në atë holl, e shoqëruar dhe nga një dokumentaliste kanadeze, Jane, e cila do të projektonte filmin e gjatë dokumentar “Mother Teresa”. Jane e kishte shoqëruar vitet e fundit ngado Nënë Terezën, dhe ja tani, ajo u ul bashkë me ne ku mes asaj salle të vogël, por të mbushur plot, ne do të shikonim filmin për jetën dhe veprën e misionares së madhe. Këtë dokumentariste e kisha pas kurrizit, kur një çast, gjatë transmetimit, zëri i spikerit u ndërpre, edhe pse filmi vazhdonte. E dëgjova që shau nëpër dhëmbë dhe u ngrit me të shpejtë duke kërkuar të shkonte në kabinën e projeksionit, por kur ajo mbërriti, zëri erdhi përsëri. Ishte pikërisht ai moment kur spikeri thoshte se “vetëm Shqipëria e bunkerëve tregoi veshin e shurdhër kërkesave të pareshtura të Nënë Terezës për të shkuar në Shqipëri”… Nënë Terezën nuk e pashë më. Takova misionaret e saj të vendosura në Paris, afër Notre-Dame. Larg Shqipërisë ndiqja misionet e saj, sëmundjen, vdekjen, lexoja librat për të dhe ja pse, tani, në prag të shenjtërimit, mua më shfaqet si një engjëll, e përkulur si gjithnjë pranë të varfërve, me urinë e dashurisë, për t’ua bërë jetën dhe vdekjen më të lehtë. Dhe unë kam dëshirë ta pyes për jetën e saj, për përkushtimin dhe atë çka e shenjtëroi shpirtin e saj që para se të bëhej një shenjte. Ta pyes nga vjen dhe çfarë ndodh që njerëzit e thjeshtë arrijnë të bëhen shenjtë…

– Tregomë atëherë Nënë, ç’ishte Nënë Tereza kur lindi?
– Kur isha e vogël dhe fillova të kuptoj ç’është bota, prindërit e mi më thanë se unë kisha lindur një ditë të ngrohtë vere, më 27 gusht të vitit 1910. Më quajtën Gonxhe, Gonxhe Bojaxhi. Isha bija e Kolës me origjinë nga Mirdita dhe e Drane Bernajt nga Novosela e Gjakovës. Nëna më ka treguar se u pagëzova në kishën e “Zemrës së Shenjtë” nga famullitari Zef Ramaj.
Ati im ishte tregtar dhe nëna merrej me shtëpinë dhe rritjen e tre fëmijëve: Llazarit, mua dhe Ages. Dy fëmijë të tjerë asaj i kishin vdekur fare të vegjël. Ishin katolikë të ardhur nga Shkodra dhe të vendosur më pas në Prizren, ku dhe u martuan e më vonë shkuan në Shkup, ku ati im Kolë Bojaxhi u mor me tregti, ndërtime banesash dhe ku më pas hapi një dyqan farmacie. Në atë kohë u lidh me një tregtar venecian dhe importonte vaj, sheqer, kafe, stofra. Udhëtonte ngado nëpër Europë dhe dinte shumë gjuhë, si shqip, turqisht, italisht, serbo-kroatisht, frëngjisht. Ishte një poliglot i vërtetë. Më 1914 shpërtheu lufta dhe më 1915 lufta mbërriti në Shkup. Isha pesë vjeçe. Më pas mësoja në një shkollë shqipe. Nëna ime ishte një besimtare e devotshme. Çdo natë, kur uleshim në tavolinë, ajo fillonte lutjen dhe ne luteshim me të. Babai ndërkohë tregonte kujdes për shkollimin tonë. Ishte shumë bujar. Në ato vite lufte, kishte shumë njerëz të vobektë dhe babai i linte të vinin në shtëpinë tonë, i ushqente, u jepte të hanin dhe porta ishte gjithnjë e hapur. Tavolina jonë ishte gjithnjë plot. Unë e doja shumë muzikën. Luaja mandolinë, isha në korrin e kishës dhe siç më thoshin se këndoja bukur. Madje luaja dhe teatër. Më pëlqente të recitoja gjithashtu.
Ati im i ndihmonte shumë patriotët shqiptarë dhe kur Shqipëria u copëtua pas Luftërave Ballkanike, ai ëndërronte gjithnjë bashkimin e saj.
Isha pothuaj nëntë vjeçe kur më vdiq babai. Ishte viti 1919, fundi i “Luftës së Madhe”, dhe vdekja e tij më goditi në shpirt. Shumë shpejt, për të na rritur, nëna hapi një dyqan rrobaqepësie dhe punonte gjithë ditën. Por jetën e saj e mbushte me lumturi dashuria për ne. Jeta jonë ishte shtëpia, kisha, shkollimi. Shkonim për meshë në kishën e “Zemrës së Shenjtë” të Shkupit. Peshkop ishte Toma Glasnoviç dhe për ndihmë i erdhi më pas një jezuit shqiptar Gaspër Zadrima. Jepte mësimet e katekizmit, meqë dinte shqipen. Shpesh unë i shërbeja si interprete priftit Cepeviç. Më pas erdhi një tjetër prift kroat, Franjo Jambrenkoviç, i cili më udhëhoqi në rrugën time. E doja shumë. Ishte ai që themeloi dhe “Kongregacionin e Marisë” dhe unë shkova të organizoja punën atje. Kështu jeta ime u lidh me kishën akoma më shumë. I lexoja me pasion numrat e revistës “Misionet katolike” që vinin atje dhe që flisnin për jetën e misionarëve të katolicizmit. Aty vinin dhe misionarë të ndryshëm që kishin shëtitur nëpër botë dhe tregimet e tyre më ngacmonin. Një tjetër botë hapej para meje, ajo e përkushtimit. Një natë, Franjo hapi një hartë të madhe gjeografike dhe na tregoi për misionet katolike. Atë kohë në Vatikan ishte Papa Pie XI. Ishte ai që i dha hov punës së misionarëve nëpër botë. Ishte ai që ekzaltoi vëllazërimin mes popujve dhe ndihmën për tjetrin.
Jo larg Shkupit, në malin Or, çdo vit familja jonë bënte një pelegrinazh në vendin e shenjtë të Leshnicës. Ati im kishte ndihmuar dikur një mikun e tij për ndërtimin e shtëpisë atje dhe tashmë, ai na priste me shumë dëshirë. Ishim si në shtëpinë tonë. Ne i hipnim plaçkat mbi një qerre që tërhiqej nga kuajt dhe shkonim në këmbë përgjatë 10 km në ditët e verës së nxehtë. E lodhur, nëna hipte në karro, mes plaçkave dhe enëve të kuzhinës, por kur ishim të vegjël, ishim ne fëmijët që hipnim në karro dhe nëna na shoqëronte në këmbë.
– Po më pas Nënë, çfarë ndodhi? Si e dëgjove atë zë që të thirri, zërin e Atit të Shenjtë, siç e quan ti?
– Atëherë isha 17-18 vjeçe dhe më kujtohet që qëndrova atje në Letnicë një muaj më shumë për t’u lutur, dhe pikërisht atje e mora vendimin që të bëhesha misionare. Për këtë fola me drejtuesin tim shpirtëror. I thashë: “Si mund ta di që Zoti po më thërret dhe përse më thërret?” Dhe ai m’u përgjigj: “Nga gëzimi yt. Nëse ti je e lumtur që Zoti mund të të thërrasë që t’i shërbesh atij dhe të afërmit tënd, kjo është prova më e mirë e dhuntisë tënde! Gëzimi i thellë është si një busull që tregon drejtimin e jetës!”
Një natë, dëgjova fjalët e një misionari që kishte ardhur nga India: “Çdo njeri ka dhuntinë e tij të veçantë dhe duhet ta ndjekë atë!” Ideja që të bëhesha misionare dhe t’i shërbeja Zotit forcohej te unë dita-ditës. Një natë, me qiri në dorë, hyra në kishë dhe u gjunjëzova para Virgjëreshës Maria. Atë mbrëmje, buzëqeshja e statujës m’u duk më e ëmbël. Pikërisht aty dëgjova zërin e Zotit që më ftonte të isha e gjitha në shërbimin e tij: t’i përkushtohesha atij dhe çdo njeriu pranë meje. Dhe kjo ishte një dëshirë e fshehtë dhe e thellë brenda meje, prej shumë kohësh… Po, ishte Shën Maria që më ndihmoi të zbuloj dhuntinë time…
Më pas, kur i thashë nënës se do t’i kushtohesha Zotit, ajo nuk m’u përgjigj menjëherë. U fut në dhomë dhe lutej. E kishte të vështirë të ndahej nga unë dhe unë të shkëputesha përgjithnjë nga familja. Llazari, im vëlla nuk donte. “Ku shkon kështu, – më tha, – do ta mbyllësh jetën tënde brenda mureve të Kishës!”
Më 25 shtator të vitit 1928, unë u nisa. E kisha vendosur të shkoja fillimthi në “Urdhrin e Loretto”-s (Notre Dame de Lorette), që bënte një punë të mrekullueshme në Kalkuta. Një natë, para se të largohesha, u mblodhën të gjithë në shtëpi: ishin dhe miq të familjes, fqinjët tanë. Muzikë, këngë dhe një tekst lamtumire që shkrova në gjuhën shqipe, të cilën e lashë në kishëz.
Të nesërmen, disa miq më përcollën në stacionin e trenit, ku shkova bashkë me nënën dhe motrën time Age. Të gjithë kishim vendosur të mos qanim, por duke u ngjitur në tren nuk i mbajta dot lotët. Dola në dritare të shikoja ata njerëz të mirë që më përshëndesnin duke tundur shamitë. Nëna dhe motra Age erdhën deri në Zagreb.
Pak gjëra dija nga jeta e “Kongregacionit të Motrave të Lumtura të Virgjëreshës Maria” të Loretto-s, të krijuar që në shekullin XVII nga anglezja Mary Ward. Ky manastir donte t’i jepte një rol më të madh femrës në fushën e fesë. Ajo vdiq më 1645, por vepra e saj për të Plotfuqishmin dhe njerëzimin, jetoi.
Më 13 tetor, bashkë me një vajzë tjetër, misionare gjithashtu, ne u nisëm drejt Francës. Më kujtohet si tani fytyra e saj e mirë. Quhej Btilika Kajnec dhe ishte një mikeshë e mirë. Edhe ajo do të vinte me mua në Loretto. Kaluam nëpër Austri, Zvicër, e pastaj me tren nëpër Francë derisa mbërritëm në Calais, ku morëm më së fundi anijen për të shkuar në Londër e pastaj në Rothfaruham, pranë Dublinit të Irlandës.
Më vonë, hipur në një anije ne iu afruam brigjeve të Ceilonit. Zbarkuam në portin e Kolombos dhe që andej i dërgova një letër revistës Misionet katolike rreth udhëtimit tonë, ku ndër të tjera u shkruaja: “Me një ndjesi të veçantë shohim rrugët përreth dhe menjëherë pikasim europianët, me rrobat e tyre të fisme si dhe njerëzit me fytyrat e tyre zeshkane dhe të veshur shumë keq, shumica e të cilëve ecin në rrugë gjysmë të zhveshur. Lëkura e tyre si dhe e kuajve shndrisin nën atë diell të nxehtë. E kuptojmë që këta njerëz jetojnë në një mjerim të madh. Por na vjen më shumë keq për ata të mjerë që tërheqin karrot në rrugë si të ishin kuaj. Dhe të gjithë vendosim të mos i përdorim këto lloj karrocash, por zoti Scalon që ishte me ne, i mësuar me to, na detyroi të shkonim me karro. U mërzitëm shumë, por ishim të detyruara. Na mbetej veç të luteshim që barra e tyre të ishte sa më e lehtë. U qetësuam sapo mbërritëm në shtëpinë e tij.»
Dy ditë më vonë, në shoqërinë e një prifti katolik, ne u nisëm për në Darjeeling ku mbërritëm në janar të vitit 1929. Në mbrëmje, ne zbarkuam në Mandras. Të nesërmen vizituam qytetin. Mjerimi ishte i papërshkrueshëm. Shumë familje jetonin në rrugë, përgjatë mureve apo në udhëkalimet. Jetonin aty natë e ditë mbi një shtresë me gjethe palmash dhe më së shumti drejtpërdrejt mbi tokë. Disa ditë më vonë ne e lamë bregun dhe udhëtuam në deltën e Gangut, deri në portin e Kalkutës. Motrat tona indiane na prisnin në skenë. Motrat e Loretto-s ishin vendosur aty që prej një shekulli. Këtë vend marinarët e quanin “Golgota”. Indianët e quanin fenë e tyre hinduizëm, apo “Sanatana Dharma”, ose “Ligji Antik”.
Më pas, nga Kalkuta ne u nisëm me tren për në Darjeeling, ku udhëtuam gjatë 24 orësh. Darjeeling gjendej në këmbët e një prej majave të Himalajës, në një lartësi mbi 2000 metra. Ishte një vend i bukur, tërheqës, një vend parajse. Kështu, më 23 maj 1929, unë hyra në Institutin e Vajzave të Lumtura të Virgjëreshës Mari, duke veshur rroben e bardhë e të gjatë. Gjatë dy vjetëve iu nënshtrova rregullave të manastirit, duke i shkëputur gjithë lidhjet e mëparshme afektive si dhe ndjesinë për të mirat private apo personale. Mjaft më me informacione nga bota, nga gazetat, spektaklet, librat profanë. Duhej vetëm studimi i Biblës, i teologjisë, i rregullave të kongregacionit. Dy vjet më vonë, pas studimeve, kisha të drejtë t’u mësoja të tjerëve ato ç’kisha mësuar, teologjinë, rregullat kishtare.
Nënë, kam lexuar dikur se kur ishit adoleshente, nëna juaj Drane ju thoshte: “Kur bëni një të mirë, bëjeni sikur të hidhni një gur në det!”
– Sipas rregullave të kongregacionit, tashmë unë duhej të ndryshoja emrin dhe të zgjidhja një emër të ri. Në ato vite flitej shumë për Terezën e Lisieux në Normandi të Francës dhe mrekullinë e saj, përkushtimin ndaj Jezusë, çka e kishte bërë aq të njohur në Europë. Ajo ishte shenjtëruar gjashtë vjet më parë dhe ishte prijëse e misionit me François Xavier. Dhe unë zgjodha atë. Pas kësaj u nisa në një qendër mjekimi, në xhunglën e Bengalit, që të mësoja nga ana mjekësore, por ishte larg, njëqind kilometra nga Darjeeling. Aty vinin njerëz nga anë të largëta që të mjekoheshin, njerëz të mjerë. Më vonë u ktheva përsëri në Kalkuta. Tashmë kisha diplomën si edukatore dhe më 1934, u caktova si mësuese e shkollës “Shën Teresa”, në një lagje të Kalkutës… Fillova të punoj për të varfrit, t’i ndihmoj kudo ata nëpër rrugë. Atëherë filluan të më quanin “Nënë Tereza e Bengalit”.
I kujtoja gjithnjë fjalët e atit tim që kur ishim në shtëpinë tonë, më thoshte: “Mos prano asnjëherë një kafshatë pa e ndarë atë me të tjerët”. Më kujtohen gjithnjë dhe porositë e nënës Drane që na thoshte: “Kur bëni një të mirë, bëjeni sikur të hidhni një gur në det”. Dhe unë kështu bëja… hidhja gurë në det. Kishin kaluar tetëmbëdhjetë vite që unë kisha dëgjuar zërin e Zotit. Dhe tani ai më fliste përsëri. Duhej të shkoja tek më të mjerët. Duhej ta lija kuvendin dhe të shkoja pranë të vobektëve e të jetoja me ata. Ishte si një lloj urdhri, një detyrë. Tashmë e dija se ç’duhej të bëja, por nuk e dija si. Ishte një lloj iluminimi. Po, ishte zëri i Zotit. Dhe kjo ishte thirrja e dytë, pas asaj të Shën Marisë në Letnicë. Ishte si një shkreptimë rrufeje!
Kur u thashë të tjerëve që doja të ikja nga kuvendi, të gjithë u habitën. I shkrova atit tim shpirtëror, jezuitit belg Celeste Van Exem, priftit të misionit “Motrat e Lorette”-s. Ai u habit shumë. Në fillim më tha të heshtja, të lutesha e të mos u thosha superioreve të mia. Më tha se në një rast të favorshëm, ai do të fliste për këtë me peshkopin. Por arqipeshkvi francez Ferdinant Périer, kur dëgjoi për dëshirën time, u shpreh kundër. Ideja që një fetar kërkonte të largohej nga kuvendi ku ka shërbyer për tetëmbëdhjetë vjet, për të jetuar mes të mjerëve e rrugëve, u dukej pa kuptim.
Në të vërtetë nuk prisja ndonjë përgjigje pozitive, pasi ai s’mund të pranonte që një fetare e thjeshtë të vepronte në emër të Perëndisë përmes një urdhri të ri, një urdhri tjetër. Pak kohë më vonë u sëmura dhe më çuan dyqind kilometra larg, në një sanatorium të fetareve, në Asarsol. Ishte viti 1947. Në atë kohë në Indi kishte revolta. Njerëzit kërkonin paqësisht pavarësinë nga anglezët. Ishte një zgjim kombëtar. Në skenën politike ishte Mohan Das Gandhi. Mua më thirrën që të kthehesha në manastir, por unë e kisha zgjedhur rrugën time si një “dëshmitare” e Krishtit. Nuk doja të ndihmoja thjesht të varfrit, siç ishte “Misioni i Anës”, për çka superioret e mia ishin dakord. Jo, unë doja të shkoja të jetoja mes tyre. Atëherë i shkrova një letër superioreve në Dublin që të më lejonin të dilja nga kuvendi. Më 20 janar 1948, Gandhi u vra, ndërkohë që unë prisja një përgjigje. Nehru u vendos në krye të vendit. Prisja që të vinte një përgjigje pozitive nga Roma. Atëherë i shkrova një letër drejtpërdrejt Shenjtërisë së tij, Pie XII. Përgjigjja në Delhi erdhi më 8 gusht të vitit 1948 dhe gëzimi im ishte i papërshkruar. Shenjtëria e kishte nisur që më 12 prill. Më akordohej veçse një vit të largohesha dhe pastaj të kthehesha.
Ti ishe e vetme, Nënë. Ç’mund të bëje veç me dy duar dhe një zemër të vogël, në një vend ku qindra mijëra të mjerë dergjeshin rrugëve të prag të vdekjes?
– Sigurisht, të lija Misionin e “Motrave të Lorette”-s ishte e dhembshme për mua, ishte një sakrificë e jashtëzakonshme që kurrë nuk e kisha bërë në jetën time, pasi Lorette ishte gjithçka për mua, ishte familja ime. Isha 38 vjeçe dhe duhej të dilja në rrugë. Kalkuta ishte një qytet gjigant me katër milionë banorë. Kështu, mora trenin për të shkuar në Patna, kryeqendër e Bihar-it, 500 km në veri të Kalkutës. E refuzova ndihmën financiare të misionit që të mund të kisha diçka për ditët në vazhdim. Fillimisht shkova në një spital të mësoja punën e infermieres. “Atje, bashkë me motrat e tjera, hanim veç oriz dhe kripë dhe asgjë tjetër. Ishte një mjerim i madh. Qëndrova katër muaj dhe pastaj u riktheva në Kalkuta. Qëndrova disa ditë dhe vetëm lutesha, pastaj dola në rrugë. Pikasa se varfëria ekstreme e boshatiste njeriun nga ndjesitë njerëzore. Mora me vete veçse pesë rupi, të cilat i futa në librin e Biblës. Gjatë rrugës, të mjerët që zvarriteshin më kërkonin ndihmë dhe nuk kisha si të mos i ndihmoja. Ua dhashë dhe rupitë e fundit. U gjenda në mes të rrugës, pa strehë, pa ndihmë, pa para, pa asgjë. Megjithatë fillova të ndihmoj të mjerët. Një ditë, dikush më solli një zarf dhe pashë që brenda ishin 50 rupi. Kush vallë m’i kishte sjellë? Nuk e mora vesh asnjëherë. Që nga ai çast unë e kuptova se Zoti po e bekonte misionin që kisha ndërmarrë dhe se ai nuk do më braktiste…”
Në fillim kërkoja të gjeja strehë në cepat e rrugëve, me të mjerët e mi, por ngado vendet ishin të zëna. Disa ditë u ktheva natën të flija tek “Motrat e Vogla të të Varfërve”, në një rrugë të Kalkutës. Pastaj shkova në lagjen “Motijhil” që të mund të filloja vërtet misionin tim. Gjeta një grup fëmijësh të braktisur gjithë lecka dhe fillova t’u mësoj shkrim e këndim. Fëmijët u habitën dhe u gëzuan me mua, pasi isha një grua europiane dhe jo një hindu. Ulesha në një trung peme dhe u mësoja. Më kujtohet që ishte 21 dhjetori i vitit 1948. Një javë më vonë arrita të gjeja një kthinë me dy dhoma ku u vendosa, por aty s’kishte as banka e as dërrasë të zezë. Në sajë të disa ndihmave rregullova një klasë mësimi.
(VIJON NESËR NE GAZETA SHQIPTARE)
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: