Nga MONIKA SHOSHORI STAFA
Zhurma e tastierës u ndërpre për një hop prej gërvishtjes së aparatit celular që e pata lëshuar pa kujdes mënjanë. Bezdisja që ai më shkaktonte vazhdimisht gjatë ditës kish marrë këtë lloj forme shpagimi, i cili vinte si një refuzim ndaj kësaj varësie teknologjike të fundshekullit të kaluar prej të cilit nuk e dimë ende se si e kur mund të shkëputemi. Këto mendime më rridhnin si lumenj në kokë sakaq zëri përtej tij më njoftoi për një dukuri natyrore, krejt të rrallë në qytet: Po bie borë. Për asnjë çast nuk u ngrita së shkruari me britmën e parë njoftuese, sepse mrekullia që ajo mbartte tek unë e me të cilën isha rritur, kish filluar të më dukej e largët dhe thuajse e pamundur për gjithaq që qyteti ku kisha lindur, mund të më ofronte. Gjithçka prej njoftimeve zyrtare për motin prej ditësh, vinte kaq e zymtë dhe ndjellakeqe, sa kisha menduar se frika që autoritetet mbartnin për një të ftohtë më se normal, përse xhanëm duhej t’i gjente kaq të paaftë ata sa kishin trembur më kot një qytet apo një vend të tërë, aty ku prej dekadash dimri thuajse nuk ish shtrirë forcërisht prepotent mjaftueshëm!

E refuzova edhe për këtë arsye ftesën për të dalë jashtë, ndaj vazhdova e qetë punën time. Por së brendshmi, një zë prej qytetit tim, më thirri. E u ngrita menjëherë. Symbyllur. Ajo kish ardhur thuajse pa trokitur, aq e urtë, e pangjyrë dhe po aq e dëlirë nën peshën e errësirës dhe baltës që mbulonte pllanga-pllanga rrugicat e periferive në çdo kënd të tij. E paftuar, s’di për çfarë arsyeje, qyteti ndihej se mezi kish pritur të jetonte një histori dashurie me të. Bora atë mbrëmje në Tiranë kështu m’u duk, teksa rrëmbyer kisha rendur pas saj si e çmendur. Kisha harruar kapuç, shall e çdo gjë tjetër… e papritur u gjenda e ikur larg shtëpisë, kompjuterit e shkrimit. Kaq me padurim kisha lëvizur, sa u gjenda e ngatërruar mes dyerve në shtëpinë time. Ndërsa i drejtohesha ballkonit, e kuptova kur mbërrita aty se rruga drejt tij nuk të çonte nëpër shkallët që të zbrisnin drejt ashensorit, por drejt lartësisë së qiellit. Një gazmend i pamatë më gulçonte padurimin për ta përpirë furishëm bardhësinë e vellos që ish vënë mbi kryet e qytetit tim, sa në çdo çast mendoja se dikush diku do të ma merrte sakaq. Kisha zbritur vrik dhe rrugët e pista të kësaj lagjeje të Tiranës ku banoj, minimarketët e vegjël e të mërzitshëm aty rrotull, pllakat e prishura që në ditë shiu të qullosin me stërkala veshjet e së përditshmes, por po aq dhe kafenetë e reja të markave të njohura, nën këtë borë të urtë që binte përunjësisht nuk mund asesi të të sfidonin më me turpin e tyre urban e të çdokohshëm. Çdo shenjë që lëshohej prej duhmës së tyre ditën dhe natën, ashtu të mbuluara nga kjo lloj bore në atë mbrëmje, m’u shfaqën aq të padukshme.

Mjegulla sa vinte e dendësohej e në aparatin e celularit po mësoja se skuadra të tëra nga bashkia kishin vërshuar rrugëve për t’iu gjendur qytetarëve në çdo hap që ata hidhnin. Sot dhe nesër, kish paralajmëruar kryetari i bashkisë së qytetit, ne do të jemi këtu për ju. I mësuar me një gjuhë genuine të foluri, e që ai e di fort mirë se njerëzit e duan, i riu në krye të punëve të qytetit ka qenë gjithherkrejt i ndërgjegjshëm për sfidat që ka marrë përsipër dhe rrugën me shumë të panjohura në të cilën hyri, ndonëse është ende në provë për t’u parë se sa shumë ky udhëtim do të mund ta sprovojë të gjithin, në mish e në shpirt. Flokët e saj binin të plota, edhe më të shpeshta madje se ato që kisha takuar një vit më parë në Voskopojë ndërsa kisha marrë rrugën për një xhirim filmi. Sikur t’i kisha besuar dyshimit tim se sot në qytet do të niste një histori bore e të mos hiqesha aq e shkujdesur ndaj propozimit që m’u bë për të dalë jashtë, do ta kisha humbur vështrimin thellësisht të mpitë që i kisha hedhur qiellit atë mbrëmje ndërsa flokët e saj zbrisnin aq urtë prej qielli. Pareshtur, sikur të binin flatra zogjsh.

Mugëtira që ish krijuar rrotull të pengonte të shihje më larg se 20 metra. Dikush, aty diku m’u ngatërrua papritmas në vështrimin tim dhe m’u bë se kujtimet po më fshiheshin nën borë, njëlloj si panorama e pisët që më vinte prej ditëve dhe netëve të qytetit deri aty të pakohë. Ai ndihej bosh, i zbrazët dhe pa njerëz. A thua në rrugë nuk kishte njeri për shkak të borës, apo mos ndoshta në këto pllaka bulevardi të ngrira nuk lëvizte kurrë këmbë njeriu? Lexova me vëmendje gjithçka ngjitur mureve gjatë këtyre rrugicave; njoftimet e kurseve e lokaleve si dhe posterat që bashkia kish shpërndarë për aktivitetet e veta, dhe mendja u qetësua pas asaj hijeje që u shfaq e u zhduk papritur sikur të dilte aty prej akullit që kish mbuluar qytetin. Më tej, në një kafene gjysmë të mbushur e me dritare të mbuluara prej bryme, munda të dalloja një grumbull të rinjsh që loznin mes tyre ndërsa bënin foto– selfie. Mora frymë lehtësisht. Symbyllur. Kjo borë e urtë nuk mund të më linte vetëm. Por tani as më shkonte ndërmend më për dyshimin tim. Ndërsa mbrëmja kish kohë që kish zbritur, me sytë e ngulur qiellit që dukej më i shndritshëm se toka vetë, sodisja flokët e borës që sa vinin zmadhoheshin tek lodronin së bashku me erën, jo si një fatkeqësi në ardhje e sipër mbi këtë qytet në të cilin isha lindur dhe rritur, por si një shenjë lumturie dhe dëlirësie të atyre viteve të fëmijërisë që më ishin kthyer plot admirim. Bora e urtë kish ardhur, pas 32 vjetësh mungesë në qytetin ku kisha kaluar vitet e lumtura të fëmijërisë, kaq papritur, pas ditësh të tëra trishtimi prej një vdekjeje që nuk mund të ishte aspak e lehtë e disa të tjerave që dëgjoja rrotull në agun e këtij janari të dhimbshëm fort që kish nisur. Një janar i paplanifikuar sakaq. E kjo borë me një bukuri të pashoqe më lumturonte kaq shumë, madje shumë më tepër se topthat e kuq të bredhit jeshil që sapo i kisha lëvizur në çantën e përvitshme për t’u ruajtur sërish për dhjetorë të tjerë.

Kështu më kish mësuar im atë sa herë vinte muaji që më sillte aq shumë përndezje prej fëmijërisë sime, bredhat mbi shpinë të tij dhe bora e urtë që rrinte aty e strukur për mua, ende e pashkrirë me qëllimin që në sytë e mi të dukej drita e malit të Dajtit që ajo pasqyronte. Ajo nuk kish rënë në Tiranë prej dekadash, por prej lumturisë që kisha ndjerë përgjatë dhjetorëve të dikurshëm, kish ndodhur që një herë në jetë bora të binte edhe në ëndrrat e mia. Kish ndodhur në fakt. Ajo vazhdoi të binte gjatë në heshtje, ashtu si nëpër ëndrra. Pas pak qyteti dhe gjithë ç’kish përreth u ndje se po frymonte më në fund i lehtësuar dhe ora e një gjumi të shëndetshëm dukej se e kish mbështjellë Tiranën rrathë-rrathë. Ndërsa ecja duke përfituar nga dremitja e saj e pabujshme këtë herë, munda të vë re së brendshmi sa e sa shtjella ngjarjesh e kishin çoroditur atë, aq sa një mik i imi kish thënë se falë kësaj gjindjeje ish ngritur një fabrikë e tërë sociale që prodhonte prej kohësh një depresion të panginj. Megjithëse asnjëherë nuk ka qenë dashamirëse ndaj politikës në gjithë zullumet e saj e të pashoqe, Tirana kish përjetuar në fundshekullin e kaluar dhe në fillimet e këtij të riu që po jetojmë, shkatërrime gjithfarësh, urrejtje e mërira provincialësh, baltosje fuqish e energjish, zhdukje historish të reja dhe të kaluara, çerdhe të fjetura rrogëtarësh që të kyçur brenda godinave që e administronin ishin të denjë bashkërisht, por dhe vetëm, të prodhonin stuhi pas stuhie.

Diku në një libër për qytetet që po lexoja rishtas, kisha takuar në ngjashmëri të çuditshme transformimesh me qytetin tim dhe sa shumë isha tallur me veten dhe me gjithë makinerinë e shtypit që godisnin pareshtur ata që kërkonin të bojatisnin apo sendërtonin qytetin ku kishim lindur. Është shumë po të them se Tirana nuk ka përjetuar aspak nga ato transformime përdhunuese sa në trupin e Berlinit ishin parë ndër shekujt e fundmë? Jo, aspak! Fare! Si në një valë të pakohë centrifuge më kalonin para syve dihatje energjish të jashtëzakonshme transformuese dhe po aq shkatërruese që ishin përçuar në Tiranë, falë një grupi përcaktues njerëzish, të cilët kishin thithur mbi vete sasi të pallogaritshme energjish negative, shpesh me dhe pa lidhje me njëritjetrin, e që me kalimin e viteve, u bënë makthi i banorëve të saj, shpeshherë të vetëm e herë grup, por mjaftueshëm të pafrikë në çmendinën e tyre të etjes për para.

Qyteti im m’u shfaq në të tërën e tij sikur donte t’i ikte rrethimit prej një armiqësie shumëvjeçare, mbushur me urrejtje gjithfarësh, mllefe e tradhti të mëdha, hakmarrjesh të vogla, rivalitete e xhelozi, shpifje të pafundme, gjysmë të vërteta, përzier me hamendje të panumërta e thashetheme pa kufi në hullinë e limontisë ku qyteti pluskonte i zhytur në harrimin degradues. Një zanafillë e vorbullës që për shumë vite të komunizmit hileqar shqiptar, por dhe të atyre të tranzicionit, iu rrotullua Tiranës sime më së shumti duke i marrë banorët e tij thellë teposhtë deri në frymën e fundit, e rrallëherë duke i shtyrë ata lart për t’i bërë të ndihen më së paku zot të qytetit të tyre. Ishte bora e mbrëmjes atë natë në Tiranë që më risolli në kujtesë gjithë historinë e qytetit tim. Ajo shtrohej ngadalë mbi këtë katrahurë tymnajash majë kullave më të larta të qytetit. Duket jetonte i lodhur prej gjindjes, një histori të re dashurie me njerëzit e tij. Symbyllur. Frymëmarrëse njëherësh. Në mesnatë, para se të lëshohesha drejt dremitjes së gjatë, në dhomën e errët tej xhamit të akullt kundrova edhe njëherë me bisht të syrit majat e çative të qytetit të cilat nuk më dalloheshin më si më parë. E pangopur me këtë perceptim lunatik timin, hapa fshehtas e lehtësisht dritaren. Kisha kaq shumë dëshirë të këqyrja një copë herë flokët e mëdhenj të borës që binin pareshtur atë mbrëmje në qytetin tim. Gjithmonë isha mahnitur prej përsosmërisë së çdo kristali bore po aq njëlloj sa prej pamjes së bebes në barkun e nënës shtatzënë.
(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: