TIRANE – Deputeti socialist, Anastas Angjeli është më i paguari për punën si deputet dhe të tjera angazhime profesionale, gjatë vitit 2015. Sipas renditjes së bërë nga “Open Data”, Angjeli ka të ardhura nga Kuvendi në vlerën 2.6 milionë lekë, dhe të ardhura nga mësimdhënia në universitete jopublike rreth 2.9 milionë lekë. Sipas deklaratave të deputetëve për vitin 2015, rezulton që një deputet fiton mesatarisht mbi 8.37 milionë lekë në vit ose mbi 697.429 lekë në muaj, mesatare kjo pesë herë më e lartë se paga si deputet.

Njëqind e katër deputetë kanë deklaruar se kanë të ardhura nga paga dhe shpërblime të punës vetëm për funksionin e deputetit. Njëmbëdhjetë deputetë të Kuvendit të Shqipërisë deklarojnë se kanë përfituar bonuse në vitin 2015. Vlerën më të madhe të të ardhurave nga bonuset e ka deklaruar deputeti Alban Zeneli, i cili ka përfituar 3.2 milionë lekë me Vendim të Këshillit të Ministrave si pagesë për shpenzime për mjekim. Anastas Angjeli dhe Edlira Cekrezi janë deputetët e vetëm që deklarojnë të ardhura si Këshilltarë apo Anëtarë Bordesh për vitin 2015. Të ardhurat nga interesa nga depozita bankare, letra me vlerë dhe obligacione është një tjetër formë përfitimi të ardhurash.

Janë tridhjetë e tre deputetë që deklarojnë të ardhura të vitit 2015 nga ky burim. Deputeti me vlerën më të lartë të këtyre të ardhurave është Ben Blushi, i cili deklaron të ardhura nga obligacionet në vlerën 2.437.986 lekë. Znj. Liljana Elmazi dhe z. Genc Ruli pasojnë listën. Dyzet deputetë të Kuvendit përfitojnë të ardhura nga qiratë. Deputeti që ka përfituar më shumë të ardhura nga qiratë është Astrit Veliaj, me 25.7 milionë lekë. Piro Kapurani gjithashtu ka përfituar një vlerë të konsiderueshme si të ardhura nga qiratë, përkatësisht 13.3 milionë lekë.

Pesëmbëdhjetë deputetë rezultojnë me të ardhura nga qiratë më të larta se të ardhurat e pagës pranë Kuvendit. Te kategoria “Të ardhura nga biznese dhe sipërmarrje” rezulton deputeti Tom Doshi në krye të listës, me njëqind e njëmbëdhjetë milionë lekë të ardhura nga bizneset. Eduard Selami deklaron të ardhura në vlerë 56 mijë dollarë amerikanë nga një biznes në SHBA dhe Dashamir Peza deklaron të ardhura nga biznesi 2.4 milionë lekë. Të tjerë deputetë kanë të ardhura të sipërmarrjeve, bizneseve dhe ndarja e dividendëve, por ato janë të kategorizuara si të ardhura të personave të familjes.

Renditjen e deputetëve sipas të ardhurave më të larta të personave të familjes, kryesisht bashkëshortë apo partnerë, e kryeson zoti Anastas Angjeli, pasi znj. Greta Angjeli ka siguruar gjatë 2015-ës të ardhura vetëm nga punësimi pranë “AAEF” në vlerën 125.574 dollarë. Familja Angjeli kryeson në renditjen sipas kategorisë “Të ardhura nga persona të familjes së deputetit”, pasuar nga familja Berisha, familja Ruçi dhe familja Dokle. Sa u takon pagave për bashkëshortët apo partnerët, lista e kryesuar nga znj. Angjeli pasohet nga bashkëshorti i deputetes Olta Xhaçka, z. Artan Gaçi, njëkohësisht deputet, dhe pason me z. Florion Mima e znj. Mimoza Hafizi. Kryeministri mban renditjen me numër 14 sa u takon të ardhurave nga bashkëshortët e deputetëve, duke u renditur pas anëtarëve të grupit të tij parlamentar si Anastas Angjeli, Olta Xhaçka, Mimoza Hafizi, Klodiana Spahiu apo Taulant Balla.

“Të ardhura nga detyrime të shlyera nga të tretë” është një tjetër burim të ardhurash për deputetët e Kuvendit. Këto të ardhura janë kryesisht hyrje që vijnë nga shitja e pasurive apo detyrimeve të tjera kontraktore. Z. Omer Mamo, deputet i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, kryeson renditjen për këtë kategori. Në këtë renditje na shfaqet edhe çifti i deputetëve Meta dhe Kryemadhi, renditur në pozicionin numër 8, të cilët kanë deklaruar gjatë vitit 2015 hyrje në llogari për një shitje apartamenti të realizuar që në vitin 2014.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: