NGA VALENTINA MADANI
Deputeti më i ri i Kuvendit, z.Flamur Çelaj ka bindjen se duhej të ishte pjesë e parlamentit që para tri vitesh. Por pavarësisht kohës së mbetur deri më 18 qershor 2017, Çelaj thotë në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” se do të bëjë gjithçka për banorët e qarkut të Vlorës.

Ai shprehet: “Shumë prej jush thonë me të drejtë se mora mandatin që meritoja prej kohësh, në fakt nuk ishte e drejtë të gëzoja mandatin e kolegëve, por të gëzoja mandatin tim, që ma dha e drejta hyjnore e votës së sovranit dhe ma morën në mënyrë të padrejtë kulisat ligjorë të Kodit Zgjedhor 3 vite më parë, duke ia bërë peshqesh tjetër kujt!”.

Z.Çelaj është një nga figurat kryesore të LSI-së në qarkun e Vlorës. Ai u vendos i dyti në listën e LSI-së pas Shkëlqim Selamit. Çelaj ka mbaruar Akademinë e Rendit në Policinë e Shtetit dhe aktualisht mban postin e drejtorit ekzekutiv të Autoritetit të Aviacionit Civil.

Z.Çelaj si e pritët vendimin e KQZ-së, duke ju mandatuar si deputet në Kuvendin e Shqipërisë?
Këtë që thoni që të jem i sinqertë e mora vesh nga ju të medias, pasi nuk e kam ndjekur mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Për cilat arsye nuk e ndoqët mbledhjen e Komisionit?
Unë jam ende në detyrë. Vazhdoj ende detyrën e drejtorit të Aviacionit Civil dhe gjithë ditën kam qenë në punë, madje edhe aktualisht që po flasim jam në zyrë, pasi po merremi me emergjencat e shërbimit civil që qytetarëve t’u garantojmë udhëtime të sigurta. Për këtë arsye nuk kam mundur të ndjek mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Nisur nga situata e krijuar për shkak të dekriminalizimit, që largoi dy deputetë nga parlamenti, ju do e pranoni këtë mandat?
Drejt kësaj po shkoj realisht, por duhet të pres momentin e betimit. Pavarësisht se KQZ-ja vendosi që unë të jem deputet, ende nuk e kam marrë zyrtarisht mandatin, pasi më parë duhet të betohem.

Si ndjeheni që zëvendësoni një ish-koleg tuajin, siç është z.Shkëlqim Selami?
Mandatin e deputetit duhej ta kisha marrë para tri vitesh, atëherë kur LSI në qarkun e Vlorës mori shumë vota dhe fitoi bindshëm në këtë qark. Por nuk u bëra dot deputet atëherë kur duhej të bëhesha. Gjithçka ndodhi për shkak të kulisave të Kodit Zgjedhor tri vite më parë. Gjithsesi, nuk dua t’i hyj atij debati. Ajo që mund të them është se ne ishim të angazhuar për fitore dhe LSI-ja pati një rezultat shumë të kënaqshëm në Vlorë.

Çfarë do të bëni përgjatë këtyre 6 muajve të mbetur, pasi më 18 qershor zhvillohen zgjedhjet e reja parlamentare?
Si deputet i ri i qarkut të Vlorës, unë do të bëj gjithçka që është e mundur për qytetarët vlonjatë dhe ju siguroj se nuk do t’i zhgënjej ata as unë, as Lëvizja Socialiste për Integrim, tek e cila besuan me votë gjatë zgjedhjeve të kaluara. Do të jem gjithnjë i angazhuar dhe i përkushtuar për t’iu gjendur pranë banorëve të këtij qarku dhe nuk do t’i zhgënjej ata. Çdo premtim i bërë do të mbahet pa asnjë mëdyshje.

(GazetaShqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: