Nga: URAN BUTKA

Data e 14 shtatorit 1943 është një ditë e shënuar në historinë e Luftës Antifashiste të popullit tonë, kur ranë në luftën
për çlirim nga pushtuesit italianë 37 luftëtarë nacionalistë të Ballit Kombëtar me në krye komandantin Hysni Lepenica. Kjo ditë e vlerësuar si Dita e Dëshmorëve nacionalistë dëshmon për pjesëmarrjen, kontributin dhe flijimin e forcave nacionaliste në luftën kundër pushtuesve nazifashistë, një luftë e mohuar dhe e tjetërsuar nga regjimi komunist dhe historiografia komuniste, por që është vlerësuar me shpalljen Dëshmorë të Atdheut të 37 komandantëve dhe luftë-tarëve ballistë të rënë për atdhe, me rastin e 50-vjetorit të vrasjes së tyre në Grehot.
Grehoti është vatra ku ndeshet lufta për liri me intrigën e pushtuesve fashistë, shqiptarizmi me pabesinë komuniste, e vërteta me falsifikimin gjysmë-shekullor.
Lufta dhe sakrifica e martirëve të Grehotit lidhet në radhë të parë me emrin e Hysni Lepenicës, këtij burri të madh të Shqipërisë.

I ushqyer me patriotizëm në familjen Lepenica dhe në trevën e Lumit të Vlorës, i frymëzuar nga idetë e rilindësve dhe në mënyrë të veçantë nga mëmëdhetarizmi i arbëreshëve të Shën Mitër koronës, ku ai kreu shkollën për mësues, djaloshi Lepenica eci në udhën e tyre, sidomos të xhaxhait atdhetar Ahmet Lepenica, por në kohë të tjera, shkeli edhe në rrugë të reja. Ndonëse u pushua nga puna si mësues prej autoriteteve pushtuese italiane, ai nuk e ndali hovin patriotik. Mori pjesë në luftën për çlirimin e Vlorës të vitit 1920, mandej, pas krijimit dhe njohjes së shtetit shqiptar, shërbeu si oficer i gjindarmarisë shqiptare në Vlorë e Gjirokastër. Demokrat i spikatur, bashkëpunoi me Avni Rustemin në shoqërinë “Bashkimi”. Vrasja e Avni Rustemit e vendosi Lepenicën në mesin e forcave kryengritëse të qershorit 1924. Ai mbështeti qeverinë demokratike të Nolit dhe pas “Triumfit të Legalitetit” të dhjetorit 1924, ai emigroi nga Shqipëria. I amnistuar, u kthye në vitin 1927 dhe së bashku me Hasan Dostin, Skënder Muçon, Bilal Golemin etj. veproi në organizatën e fshehtë kundërmonarkiste “Lëvizja e Vlorës”, e cila u dekonspirua dhe veprimtarët e saj republikanë u arrestuan dhe u dënuan me vdekje: Hysni Lepenica, Muharrem Hamzaraj, Qazim Kokoshi, Skënder Muço,Beqir Sulo, Murat Tërbaçi, Tare Libohova. Protestat bënë që vendimi me vdekje t’u kthehej në burgim të përjetshëm.
H.Lepenica mbeti në burg deri në vitin 1938. I priti me armë në dorë pushtuesit italianë në Vlorë më 7 prill 1939 dhe organizoi qëndresën dhe demonstratat antiitaliane në qarkun e Vlorës. Në Himarë organizoi vrasjen e togerit italian Moreti dhe u hodh në ilegalitet.
Abaz Ermenji shkruante: “Unë, Safet Butka dhe Hysni Lepenica krijuan në vitin 1942 çetat e para të Ballit Kombëtar kundër pushtimit italian”.

H.Lepenica formoi çetën nacionaliste Shqiponja në qarkun e Vlorës, një nga çetat e para antifashiste në Shqipëri. Komisari i saj politik ishte avokat Skënder Muço, bashkëpunëtori më i ngushtë i Lepenicës dhe anëtar i KQ të Ballit Kombëtar.
Kulmi i veprimtarive luftarake të Hysni Lepenicës është beteja e Gjormit, 30 dhjetor 1942-2 janar 1943 kundër italianëve, ku morën pjesë 1600 luftëtarë nga Mesapliku, Sevasteri, Dukati, Gjormi etj., si edhe çeta partizane “Plakë” e Vlorës me komandant Neki Ymeraj, që përballuan sulmin e ushtrisë italiane prej mëse 2000 ushtarësh të komanduar nga koloneli Franko Klementi, në kuadrin e një operacioni spastrimi, në të cilin merrnin pjesë përkrah pushtuesve italianë edhe forcat mercenare kolaboracioniste të Halil Alisë dhe Selim Kaloshit, me urdhër të kryeministrit Mustafa Kruja nr.107/5 datë 17.12 1942.
Në këtë betejë, që vazhdoi pesë ditë, u vra edhe komandanti italian Klementi me rreth 180 ushtarë italianë, ndërsa ranë në fushën e luftës 6 luftëtarë dhe 4 të plagosur nga të dy grupimet kryesore të rezistencës antifashiste shqiptare.

Kjo betejë e përbashkët, e komanduar nga Hysni Lepenica, u tjetërsua nga politika dhe historiografia komuniste. Në dhjetë faqet që ajo zë në botimin “Historia e Luftës NÇ” e vitit 1975, nuk përmendet farë emri i Hysni Lepenicës, si edhe i forcave luftarake të Ballit Kombëtar. Aty thuhet shprehimisht: “Një qëndresë të tillë u përpoqën ta sabotonin H.Lepenica dhe S.Muço me shokë, ndërsa veprimet luftarake i drejtonin drejtpërdrejt shokët Hysni Kapo dhe Mehmet Shehu”.
Ky falsifikim u rrëzua nga dokumentet që u gjendën në Arkivin e Shtetit dhe që u botuan prej meje në vitin 1993.
H.Lepenica dhe S.Muco, jo vetëm në këtë betejë të përbashkët kundër italianëve, por edhe përgjatë vitit 1943 u përpoqën të bashkëpunonin me forcat partizane, ata negociuan me drejtuesit e lëvizjes NÇ dhe bënë edhe marrëveshje për luftë të përbashkët kundër pushtuesve si në Shkozë, Dushkarak, Mesaplik, Gjorm etj., ndonëse drejtuesit komunistë si E.Hoxha, H. Kapo, M.Shehu i sabotuan dhe i shkelën këto marrëveshje.

H. Lepenica dhe Skënder Muço morën pjesë si delegatë të Ballit Kombëtar në Kuvendin e Mukjes, 2-4 gusht 1943 dhe nënshkruan marrëveshjen me delegatët e Nacionalçlirimtares për një luftë të përbashkët antifashiste nën drejtimin e Komitetin për Shpëtimin e Shqipërisë, si edhe për një Shqipëri të lirë, demokratike dhe etnike. Fjala e H. Lepenicës në këtë kuvend kombëtar është lapidare: “Ne delegatët e Ballit Kombëtar kemi ardhur vetëm për të gjetur rrugët dhe për të arritur një bashkëpunim me frontin N.Ç në luftë kundër okupatorëve. Po pyes: Ç’na ndan ne? A mos vallë, përveç qëllimit të përbashkët, na pengojnë emrat që mbajmë? A nuk kuptohet që front N.Ç, i përkthyer në shqip do të thotë Ball Kombëtar? Atëherë kur është kështu, ç’na mbetet për të rënë dakord që të bashkohemi në këtë luftë?”
Në Mukje, H. Lepenica u emërua komandat i përgjithshëm i fuqive të Ballit Kombëtar për Jugun. Më 9 shtator H. Lepenica dhe S. Muço, në krye të çetës “Shqiponja” hynë në Gjirokastër, liruan të gjithë të burgosurit dhe iu drejtuan me një letër shtabit N.Ç në Cepunë, duke i ftuar drejtuesit e tij, që edhe ata të vinin në Gjirokastër dhe ta qeverisnin bashkërisht qytetin:
“Ju njoftojmë se Gjirokastra është në duart e shqiptarëve. Qysh pardje kemi kërkuar të viheshim në kontakt me ju për të bashkëpunuar dhe koordinuar veprimet. Ju ftojmë që sa më parë të delegoni përfaqësuesit tuaj për këtë qëllim. Çasti është kritik, nuk lypset t’i shmangemi detyrës që na imponojnë rrethanat e luftës kundër okupatorit të ri, interesat e larta të kombit dhe ato të demokracisë shqiptare. Në qoftë se nuk i përgjigjeni kësaj thirrjeje të sinqertë nga ana jonë, me hovin që imponohet nga rasti, na duket se merrni një përgjegjësi të rëndë përpara popullit.
Me prurësin presim një përgjigje të shpejtë.
Komandanti i Përgjithshëm i Fuqive të B.K të Jugut
Hysni Lepenica
Anëtari i Këshillit të Qendrës së BK
Av. Skënder Muço”
Kjo letër dëshmon për tolerancën, dialogun dhe bashkëpunimin që kërkonte të arrinte H.Lepenica me përfaqësuesit e Frontit Nacionalçlirimtar në luftën për çlirim, por udhëheqësit komunistë me në krye Bedri Spahiun iu përgjigjen negativisht thirrjes për bashkëpunim, ndërsa Enver Hoxha, në Qarkoren që i drejtonte Komitetit Krahinor të Partisë Komuniste të Gjirokastrës jep urdhrin që të mos e ndajnë pushtetin me nacionalistët, por t’u vënë pushkët atyre. Kështu filloi edhe lufta civile në Gjirokastër, Vlorë dhe në gjithë Shqipërinë, luftë e brendshme vëllavrasëse, e urdhëruar nga Partia Komuniste dhe E.Hoxha dhe e nxitur nga emisarët jugosllavë.
Fundi i veprimtarisë atdhetare dhe luftarake të Hysni Lepenicës është lufta e Grehotit. Çetat e Ballit Kombëtar të komanduara nga Hysni Lepenica u goditën papritur nga ushtarët italianë në Grehot më 14 shtator 1943, tek kishin shkuar për të marrë në dorëzim armët dhe për t’i përcjellë italianët e kapitulluar të Divizionit “Peruxhia” në Gjirokastër deri në bregdet, sipas marrëveshjes që kishin arritur më parë. Atje ranë në pritë dhe u vranë duke luftuar 36 luftëtarë ballistë me gjithë komandantin e tyre, Hysni Lepenica. Nxitje për këtë masakër u bënë edhe krerët e LNÇ Bedri Spahiu, Shefqet Peçi etj., që ndodheshin në zyrën e gjeneralit italian të divizionit “Peruxhia” në kazermat e Grehotit. Komanda italiane hapi zjarr pa asnjë paralajmërim në drejtim të Hysni Lepenicës dhe forcave të tij, sipas skenarit të krerëve komunistë. Në Grehotin e pambrojtur, kryekomandanti H.Lepenica dhe luftëtarët e tij luftuan trimërisht dhe ranë dëshmorë për Shqipërinë, ndër ta: Sefer Imeraj, Hasan Xhaferri, Nano Gjoni, i biri i tij, Hasan Gjoni; Mehmet Koka, Izet Ruka, Shazivar Karabina, Abaz Dauti, Neki Mahmutaj, Sherif Buhuci, Bilal Bilaj, Ali Sheme, Agim Cane, Agim Selfo, Hamza Tola, Ibrahim Graca e të tjerë.
Po këtë fat pati edhe intelektuali, atdhetari dhe luftëtari antifashist Skënder Muço, koordinator i Ballit Kombëtar me aleatët britanikë, i cili u vra nga pushtuesit gjermanë së bashku me nacionalistët Yzeir Ismaili dhe Zako Mezini më 10 gusht të vitit 1944.
(Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb