NGA ANXHELA PEZA*

Edhe pse me dhimbje, po shkruaj për një ngjarje tronditëse të parë me aq shumë detaje për tri ditë me radhë. Një shokim i të gjithë qytetarëve, të cilët nuk e dinë nëse këto gjëra ekzistojnë me të vërtetë kaq barbarisht në institucionet ku shoqëria duhet të japë dashurinë më të madhe për atë që, mbi gjithçka, sipas natyrës, ligjit, konventave, qëndron fëmija. Sa herë tregohen detaje të tjera të këtyre videove, intervistave, të prindërve, të afërmve, të psikologëve të ndryshëm, aq herë shikojmë se si rrihet “fëmija ynë”. Ai është fëmija i të gjithëve ne!

Mungesat tona
Vërehet një mungesë e madhe kontrollesh nga ana e institucioneve për të parë arsimin përkatës të punonjësve. Shumë gazetarë bëjnë rolin e edukatorit; ata që kanë mbaruar anglisht, sociologji, infermieri apo ndonjë lloj tjetër, punojnë në një profesion për të cilin nuk kanë mbaruar shkollën, e kjo vërehet në masë në shumë institucione.

Ndaj dhe çdo gjë këtu shkon për së prapthi. Veshin xhaketa për të cilët nuk janë kompetentë t’i mbajnë. Mungesë e patolerueshme është dhe mosinformimi për institucionet ku shpien fëmijën, se sa në rregull janë me bazat e ngritjes së një institucioni, kush përkujdeset dhe i arsimon fëmijët e tyre. Sepse, kontributi monetar është mjaft i lartë, e ne jetojmë në një vend të frikshëm ku nuk jemi të sigurt për asgjë! Dhe, mbi të gjitha, ne kemi mungesë qytetarie në të gjithë thelbin e të qenit një njeri me të drejta për të denoncuar.

Si është e mundur që askush nga edukatoret për shumë muaj me radhë nuk denoncoi dhunën që ndodhte në mënyrë barbare në atë kopsht?! Si nuk e ndaluan kurrë atë, të torturonte fëmijën me metoda çnjerëzore, hematomë në kokë, rënie të flokëve, shenja në gjithë kurrizin, duke e shpënë fëmijën në një çmenduri e ndoshta pa kthim më pas?! Kush paguan për jetën e një fëmije vetëm 3 vjeç?! Po të fëmijëve të tjerë që u dhunuan, kush mban përgjithësi?!

Abuzimi me fëmijën
Fenomeni më i përhapur në problemet sociale në Shqipëri është dhuna fizike, që karakterizon çdo problem tjetër të bashkëshoqëruar. Së fundi mediat tona, të shkruara dhe vizive, dynden me fenomenin e dhunës ndaj fëmijëve, jo vetëm në kopshte e shkolla, por edhe në jetimore. Dhunë makabre fizike, e cila ushtrohet nga një person më i madh kompetent. Fëmijëria është baza e zhvillimit të njeriut, si rritesh dhe cilat janë modelet e marra të të rriturve, gjenetika, mjedisi social, ndërthuren të gjitha, dhe i tillë bëhet kur kalon në adoleshencë dhe në moshën e rritur e deri në fund të jetës. Pra në vegjëli fillon krijimi i karakterit tënd.

Dhuna e hasur më së shumti në fëmijët djem, sjell pasoja të rënda në zhvillimin e tij psikologjik, fizik, neurologjik, në gjithë personalitetin, karakterin, në të ardhmen e tij për të funksionuar normalisht në shoqëri. Dhuna joverbale me anë të mimikës, kuptimi i mesazhit që japin sytë, rrudhat e ballit, lëvizjet e duarve të prindërve apo mësuesve krijon te fëmija një gjendje stresuese, vigjilente, vëmendje e theksuar për të pritur dhunën verbale.

Me këtë hipervigjilencë arrihet që kjo të bëhet një gjendje reflektive. Sytë merren si kërcënim, një prekje miqësore për fëmijën që dhunohet vjen si mashtrim. Këta ngacmues joverbalë krijojnë një gjendje alarmi dhe frike të vazhdueshme. Kështu fëmijët e dhunuar kthehen në manipulues në sjelljen e tyre, për të mos rënë përsëri pre e dhunës. Të përdorësh forcën superiore ndaj një të mituri, nuk e bën atë të sillet më mirë, të të kuptojë apo të përmirësojnë ecurinë e tij në të nxënit dhe performancën mësimore. Përkundrazi, zhvillon tek ai një mori cilësish negative.

Te fëmijët meshkuj krijohen dy lloje personalitetesh:
1. Mund të krijojë ndjenjë inferioriteti, duke e parë veten si të padobishëm për jetën e tij. Krijojnë personalitet me frikë dhe të nënshtruar në marrëdhënie me të tjerët. Ky lloj personaliteti me ndjenja pavlefshmërie është po aq i ngjashëm edhe për vajzat e dhunuara. Një qenie tepër e frikësuar dhe inferiore për gjithçka.
2. Kthehen edhe ata në dhunues, duke marrë si shembull ndoshta babain e tyre dhunues, e duke e parë këtë gjë si krejtësisht normale. Një mënyrë për t’i zgjidhur gjërat më lehtë e për ta bindur më kollaj bashkëbiseduesin. Ata sferën emocionale e sheshojnë dhe nuk ndjejnë më keqardhje për viktimën e tyre. Fakti që fëmija ka gjininë djalë, nuk do të thotë se e përballon dhunën më shumë se vajzat.

Ata janë po aq të brishtë në psikikë, ashtu sikundër është çdo fëmijë. Truri karakterizohet nga aftësia e zhvillimit në varësi të aktivitetit të vet. Kjo do me thënë që, sa më shumë aktivizohet sistemi nervor, aq më shumë zhvillohet e ndryshon truri. Sa më shumë aktivitet ushtron fëmija, si p.sh. lojëra të ndryshme, aq më shumë i zhvillohet aftësia për këtë aktivitet. Psika e fëmijës zhvillon kështu funksione e kapacitete që reflektojnë përvojat e përsëritura.

Për analogji, kjo ndodh edhe për aktivitete të tilla si dhuna. Fëmija i dhunuar tenton të moderojë frustrimin, impulsivitetin, agresivitetin e dhunën, dhe truri i zhvillohet në varësi të këtyre përvojave. Dhuna dhe traumat ndikojnë në trurin në zhvillim dhe ndërhyjnë e ndryshojnë procesin e zhvillimit nervor normal. Ato ndikojnë emocionet, perceptimet, përvojat. Kështu, kërcënimet e dhunës aktivizojnë formën stres-reagim.

Qendra e trurit, në zhvillim është mjaft i ndjeshëm. Pastaj fëmija rritet dhe truri i tij përshtatet me dhunën. Kjo d.m.th, formim i një tërësie reagimesh karshi dhunës e kërcënimit. Këto sigurisht ndikojnë, ndryshojnë mënyrën se si vepron fëmija edhe në situatë normale. Shfaqen kështu çrregullime funksionale në aspektin njohës, në mënyrën e sjelljes, në emocione.

Zhvillohen hipervigjilenca, irritueshmëria, pasiviteti, nënshtrimi. Mosdëshirë e angazhimit ndaj botës së jashtme dhe reagohet kryesisht vetëm me stimujt që vijnë nga bota e brendshme, shoqëruar me hutim, shmangie, mpirje, ëndrra me sy hapur, depersonalizim, derealizëm. Fëmijët që pësojnë dhunë kronike përjetojnë sikur shkojnë në një vend tjetër apo edhe ikin vërtet (fuga), robotizohen, përhumben në një pikë ngultas. Më të vegjlit bëhen më të palëvizshëm, vuajnë më shumë dhe ndihen të pafuqishëm për të reaguar karshi stresit të dhunës.

Dhuna dhe përvojat traumatike sjellin edhe ankth dhe ndjenjë rreziku të vazhdueshëm. Rreziku mund të jetë direkt fizik, që paralajmëron për një kërcënim konkret dhe që nxit të bëjmë diçka për ta mënjanuar atë.

Si ta kuptojmë që fëmija ynë është i abuzuar në çerdhe, kopsht apo shkollë
• Atëherë kur ndryshon sjelljet e zakonshme të tij.
• Makthe dhe tmerret e natës.
• Ushtron dhunë, ku nuk e ka parë në familje atë model për të goditur.
• Përdor fjalë të një fjalori të padëgjuar më parë.
• Eneurezis (urinimi në shtrat).
• Refuzon në mënyrë të vazhdueshme për të vajtur në çerdhe, kopsht, shkollë. Më të vegjlit e manifestojnë këtë me të qara dhe të bërtitura të mëdha, refuzime kategorike.
• Përjetimi i ankthit dhe frikës.
• Kompleksi i ndjenjave negative që pasojnë përdorimin e dhunës sjell edhe një varg ndjenjash të tjera, si pesimizmi, lëndimi, inferioriteti, vetmia, fyerja, ndrojtja, nervozizmi, humbja e besimit në vetvete.
• Nëse shikoni që fëmija juaj nuk ka asnjë atashim dhe përjeton frikë ndaj edukatorit dhe kujdestarit përkatës.
• Pyeteni atë vazhdimisht për ditën e tij me detaje.
• Kontrolloni orë mësimore, në ambientet ku qëndron fëmija juaj.

Kam ofruar ndihmën time profesionale, gazetarëve të parë të kësaj historie, pak çaste pasi mora vesh publikimin e tij, për prindërit dhe fëmijët e dhunuar. Definitivisht fëmijët kërkojnë një mjedis ku mbizotërojnë dashuria, vëmendja dhe besimi. Ka ndikim të jashtëzakonshëm në zhvillimin dhe mirërritjen e fëmijës. Kjo i ndihmon ata të ndërtojnë dhe të kenë një jetë të shëndetshme.
*Psikologe Klinike dhe Këshillimi

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: