TIRANE- U mbajt dje në Tiranë konferenca e përvitshme për shtyp e festivalit DokuFest, me ç’rast u prezantua programi i plotë i edicionit të 15-të të festivalit, i cili do të mbahet nga data 5-13 gusht në Prizren, Kosovë. Filmat u shfaqën dje, më 29 korrik 2016, tek instalacioni “Reja” i Fujimotos, përpara Galerisë së Arteve në Tiranë, në orën 20:00. Në konferencën për mediat, ministrja e Kulturës së Republikës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro, e cila foli për mbështetjen e këtij edicioni të DokuFest nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë. Ndërsa Veton Nurkollari, Drejtori Artistik i DokuFest, e vazhdoi prezantimin e programit.

Të zgjedhur nga një numër rekord rreth 5.000 aplikime, festivali do të prezantojë 250 filma nga 57 vende në 6 programe garuese dhe një numër të programeve speciale. Kategoritë garuese të festivalit janë në qendër të programit dhe përzgjedhja e këtij viti përfshin një numër të jashtëzakonshëm të filmave dokumentarë, të filmave të shkurtër dhe eksperimentalë.

Korrupsioni është tema qendrore e festivalit të këtij viti, shqyrtuar nga konteksti social, lokal dhe global, si dhe pasojat e tij, të cilat do të theksohen dhe eksplorohen përmes një numri të eventeve, përfshirë panele, diskutime me filmbërës dhe ekspertë të ftuar ndërkombëtarë dhe lokalë, punëtori dhe konferencë të teknologjisë. Një përzgjedhje e filmave që fokusohet në çështjen e Korrupsionit si dhe dy fenomeneve që shkojnë bashkë me të, Fuqisë dhe Gënjeshtrave (Power, Corruption and Lies), është kuruar posaçërisht për të përkuar me temën.

Duke vazhduar bashkëpunimin e tij me DokuFest, regjisori Daniel Mulloy ka krijuar edhe një kampanjë vizuele goditëse që përputhet me temën e këtij viti. Festivali do t’i bëjë homazh mjeshtrit të madh të kinemasë iraniane dhe botërore, Abbas Kiarostami, i cili vdiq më 22 korrik të këtij viti, me shfaqjen e filmit të tij ikonik “Taste of Cherry”. Filmat e shkurtët, nominuar për Oscar, filma për internet, për sulme masive me armë në SHBA, për një shkëmb të vetëvrasjeve në Japoni si dhe gjendjen e refugjatëve të cilët përpiqen të arrijnë Evropën, janë të gjitha pjesë e programit të edicionit jubilar të këtij viti.

DokuKids, festivali i fëmijëve, gjithashtu feston vitin jubilar, duke mbushur 10 vjet, dhe do të sjellë katër punëtori të cilat targetojnë grupmosha të ndryshme të fëmijëve. DokuFest-i i sivjetmë sheh rikthimin e fotografit të njohur Seamus Murphy në Prizren – këtë herë, për të nisur ekspozitën e DokuPhoto më 4 gusht. Murphy është një fotograf i shquar, me një karrierë që tejkalon dy dekada, të fokusuar në Evropë, Lindje të Mesme, Azi, Afrikë dhe Amerikë Latine. Ekspozita e tij në DokuPhoto, e cila e ka hapjen një ditë para fillimit zyrtar të DokuFest, do të qëndrojë e hapur për tërësinë e festivalit dhe do të shfaqë fotografi nga botimi i tij “The Hollow of the Hand” (shq. Në gropë të dorës).

Programin e koncerteve të muzikës DokuNights, do ta hapim me të jashtëzakonshmin nga Siria, Omar Souleyman, i cili do të na marrë me furi në festën e tij të gëzuar më 5 gusht. Meloditë fantashkencë të Blind Observatory dhe nostalgjia e tij për të ardhmen do të pasojnë, në një natë me qasje të plotë në kozmos. Pjesa e butë dhe romantike e jona do të na theksohet natën në të cilën jemi nikoqirë të bendit përrallor Super700. Një natë po aq emocionuese do t’i përkushtohet bashkëpunimit me klubin “Drugstore” të Beogradit. Teknoklubi underground më i mirë do të jetë nikoqir i natës me tre DJ rezidentë të tij, për të na zhytur në bas dhe elektronikë. Mbylljen e festivalit do ta bëjë artistja me renome botërore, Yasmine Hamdan, në natën finale të festivalit, dedikuar vetëm të dashuruarve.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: