Nga: ARIAN GALDINI
A është shenjtor Donald Trump-i?Sigurisht që jo! A është mëkatar Presidenti i 45-të i SHBA-ve? Pa asnjë mëdyshje, shumë mëkatar! Përndryshe nuk do të ishte bërë dot aq i pasur. Biblikisht, sa ka shanse një gjirafë të hyjë në vrimën e gjilpërës, aq ka shanse një pasanik.
E megjithatë, Donald Trump-i guxoi më tepër se cilido tjetër i sërës dhe partisë së tij dhe ia doli mbanë.
Guxoi të bëjë fushatë kundër të gjithëve, e madje edhe kundër vetes së tij dhe ndërsa askush nuk e priste, fitoi zgjedhjet presidenciale.
Kundërshtarët e përçmuan, urryen, shanë, akuzuan. Rivalët dhe oponentët brenda Partisë Republikane e grushtuan sa mundën nën brez. Mediat e kthyen në një Godzilla që kishte zbritur në qytetin politik për të bërë dëme.
Ai vetë kurrë nuk konkurroi me veten, sepse e dinte që fituesi duhej të ishte një makth të cilin askush nuk e do në realitet, por të gjithë grisin xhaketat në radhë për ta parë në kinema.
Ia doli mbanë.
Donald Trump u bë Boogeyman-i që të gjithë rendnin për ta parë në kinema, ndërsa zv/presidenti Mike Pence ishte garanti se në fund çdo gjë do të shkonte ashtu si duhej, pra sipas rrugëve e mënyrave të Zotit.
Kam parë video-mesazhe të patransmetuara në media, por të shpërndara në mënyrë virale në “whatsapp” dhe “viber”, ku Traktati i Mike Pence shpalosej me gjithë hirin e plotësinë e tij ungjillore.
Kam parë fjalime të Ivanka Trump dhe të djalit të Donald Trump, të cilat gjithashtu rrokeshin vetëm të përçuara celular pas celulari, e ku familja e re presidenciale paraqiste kredenciale të jashtëzakonshme ungjillore.
Asgjë nga këto nuk e kemi parë në TV. Asgjë nga këto nuk e ka paraqitur vetë Donald Trump-i.
Kjo është dëshmi e një strategjie komunikimi të mirëstudiuar, nëpërmjet së cilës mediat tradicionale u skualifikuan dhe mesazhi shkoi aty ku duhej e ashtu sikurse kërkohej.
Amerikës së re iu shfaq Donaldi i “Walt Disney”-t, Trump-i i transformuar në Boogeyman, ndërsa Amerikës tradicionale i fliste nën zë, celular pas celulari, e foltore pas foltore kishash, vetë zv/presidenti i zgjedhur Mike Pence.
Fushata “Trump” meriton të këqyret me shumë admirim e në çdo detaj, nga kushdo që dëshiron të ndërtojë komunikim publik dhe elektoral, këndej e tutje.
Megjithatë, përtej gjithçkaje, nga dita e nesërme, Donald Trump-i do të jetë Presidenti i 45-të i SHBA-ve.
Boogeyman apo makthi, nuk do të jetë më film në kinema, por një realitet që do të ulet e marrë vendime në zyrën ovale.
Një pjesë e elitave politike, mediatike dhe financiare në SHBA dhe më gjerë, po përpiqen të ngrenë alarmin, mbi këtë makth të kthyer në president prej vërteti.
Boritë e alarmit po bien aq të forta, sa të duket se Presidenti i ri i SHBA-ve, nga nesër do të fillojë të gëlltisë njerëz.
E vërteta është se, nga nesër, nuk do të jetë në zyrën ovale as makthi, as Trump-i i fushatës.
Nga nesër, në zyrën ovale do të jetë Donaldi prej vërteti, jo ai i “Walt Disney”-t.
As shenjt, as celebrity, as antikrisht.
Donald Trump-i që do të jetë në zyrën ovale, do të jetë ai që pati vetëdije të plotë kur ndërtoi dhe pranoi strategjinë e komunikimit gjatë fushatës elektorale.
Ai që nuk gaboi aspak kur përzgjodhi Mike Pence si zv/president.
Ai që me Paul Rayan ka ditur të jetësojë plot virtuozitet artin e marrëveshjes.
Donald Trump, vjen president në një kohë kur Kina beson se deti i pranon të gjithë lumenjtë.
Donald Trump vjen president në një kohë kur Presidenti i Rusisë, nuk beson te shumanësia në vendimmarrjen globale, por synon të ringjallë një botë me 2 superfuqi.
Donald Trump vjen president në një kohë kur Europa ka një Francë që po përpiqet t’i veshë zhartjerat e zonjës Le Pen, gjeneralit De Gol.
Donald Trump vjen president në një kohë kur Gjermania shkëlqen e vetme, por si e vetme nuk mjafton.
Donald Trump vjen president në një kohë kur Britania e Madhe, sapo ka rihedhur krahëve pelerinën e ‘mbretëreshës së deteve’, dhe ka kaq shumë nevojë për mbrojtjen e shpatullave nga SHBA.
E kështu me radhë, janë të mëdha sfidat që do të gjejë mbi tryezën e tij presidenciale, nesër Donald Trump-i.
Gjasat janë, që ai të ketë ardhur jo rastësisht në atë detyrë të lartë, më të lartën e botës.
Gjasat janë që Donald Trump t’u japë përgjigje e t’i mësojë kinezët se detet dhe lumenjtë, kanë nevojë për t’u administruar nga e vetmja fuqi që as i dëmton, as i ndot, e as i lejon të egërsohen mbi natyralen.
Gjasat janë që edhe Putini, do ta kuptojë se nuk është dot as Stalin e as Brezhnjev, aq më pak Gorbaçov. Putini, as e bashkon dot më perandorinë sovjetike, e as e shpërbën dot atë.
Nëse e kupton kufirin e tij, edhe mund të vazhdojë të luajë rolin e Carit të Rusisë, që herë pas here tërheq vëmendjen globale kur bën si tigër siberie.
Gjasat janë që edhe Europa do të rigjejë një ekuilibër të ri.
Donald Trump, mund të jetë presidenti që do të rikthejë ripërtëritjen morale në glob.
Një botë e zbrazët nga idetë, idealet dhe morali, u përçudnua masivisht në këto dekada.
Vetë ardhja e Trump dhe ringritja e mekanizmave vetëmbrojtës në shoqërinë amerikane nga rreziqet për të drejtat civile, që mund t’u vijnë SHBA-ve nga presidenca “Trump”, janë dëftues të një projeksioni të ri botëror.
Bota do të rikërkojë idetë dhe idealizmin.
Prandaj, ka shumë gjasa që presidenca “Trump” të bëjë e sjellë histori.
Urime Presidentit të 45-të të SHBA-ve!

(GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: