Nga: ENTON ABILEKAJ*

A është Lulzim Basha delja e zezë? Ambasadori amerikan, ashtu siç kishte premtuar, foli me emra dhe tregoi gishtin nga bllokuesit e reformës. Tregoi nga PD-ja që prej kohësh e kishte drejtuar gishtin nga vetja. Sepse në sipërfaqe duket sikur është vetëm Partia Demokratike që kundërshton, por po të analizohen arsyet, po të shihet përtej sipërfaqes, arsyetimi nuk është bardhezi, nuk ka vetëm delet e Ramës, as delet e Majkos, as një dele të zezë të vetmuar.
Komuniteti
ndërkombëtar
Përfaqësuesit perëndimorë të të gjitha niveleve e mbështesin reformën, pavarësisht dyshimit se maxhoranca mund të marrë kontrollin mbi Drejtësinë. Ashtu si kanë vepruar në vende të tjera të Europës Qendrore dhe Lindore, ata duan të marrin nga reforma vetëm 2 institucione: Byronë e Hetimit dhe Njësinë Speciale Antikorrupsion. Pavarësisht emrave që kanë në draftin shqiptar apo në vende të tjera, këto janë dy institucione praktikisht të pavarura, që do të jenë nën kontrollin amerikan dhe europian. Nëse maxhoranca mund të marrë kontrollin e Prokurorisë apo gjykatave, këto dy zyra do të kontrollohen nga të huajt, që janë të vendosur për t’i dhënë fund epokës së pandëshkueshmërisë. Ashtu si në Kroaci e Rumani, këto zyra mund të vënë në pranga zyrtarë të të gjitha niveleve, kryeministër, ish-kryeministra, ministra e ish-ministra, drejtorë e ish-drejtorë të të gjitha niveleve. Që korrupsioni të jetë më në fund një krim i ndëshkueshëm. Deklaratat e tyre që reformën e pengojnë politikanët e korruptuar lidhen pikërisht me këtë projekt, që shqiptarët e pëlqejnë aq shumë dhe e mbështesin në heshtje. Por paralajmërimi i parakohshëm i Lu dhe Vllahutin për burgosje politikanësh, ka krijuar edhe frikën, që pushton parlamentin sa herë përmendet reforma në drejtësi. Prandaj gjuha e përdorur prej tyre ishte dëmtuese për reformën.
Rilindja
Drafti parashikon votimin me dy të tretat për emërimet kyçe në Drejtësi, por pas dy votimeve të dështuara, i hap rrugë krijimit të një sistemi në dukje vetërregullues, me votim brenda sistemit, që e shndërron në përfaqësim të deleguar të maxhorancës. Me këtë avantazh që i jep mundësinë të kontrollojë pjesën më të madhe të sistemit, duket se Rama është pro reformës. Në pamje të parë. Por a është vërtet kështu? Nëse do të ishte kështu, pse do deklaronte që pas reformës do burgosen liderët e opozitës? Pse duhet ta trembë maxhoranca opozitën përpara votimit të reformës? Nëse Rama do të ishte i interesuar për miratimin e reformës, nuk do të kërcënonte me burg, por do të krijonte një frymë paqësore, nuk do të nxiste frikën dhe mosbesimin, por bashkëpunimin dhe mirëbesimin. Pavarësisht se mund të marrë në kontroll institucionet e tjera, Rilindja ka frikë nga Byroja e Hetimit dhe Njësia Speciale Antikorrupsion, prandaj ka zgjedhur me zgjuarsi rrugën e vet. Deklarohet pro reformës që të përfitojë politikisht dhe prishë klimën politike që të mos ketë reformë. Me këtë rast edhe reformë nuk ka, edhe faji i mbetet opozitës.
Opozita
Jo vetëm për klauzolën e vettingut dhe emërimeve opozita ka frikë. Më shumë opozita ka frikë se Rama do t’i bëjë atë që Berisha i bëri Ramës, ka frikë se Rama do bëjë emërimet në të gjitha nivelet e Drejtësisë pa e pyetur opozitën, ashtu siç bëri Berisha për 8 vjet. Frikë e justifikuar. Ajo që ka treguar se mund të bëjë Rama, është shpesh më pak tolerante se Berisha. Përjashtimi i Ngjelës, ishte i fundit për Berishën, ndërsa Rama nuk ndalet së përjashtuari dhe denigruari kundërshtarë, partia-bunker e Berishës duket si ballkon përballë partisë-qeli të Ramës, mungesa e transparencës, marrëdhënia posesive me mediat, shoqërinë civile, dëshira për kontrollin e opinionit publik, tremb jo vetëm opozitën.
Përplasjet e fundit me drejtësinë të Ramës, Veliajt dhe Tahirit, e përforcuan idenë se Rama nuk po kërkon një drejtësi të pavarur, por një drejtësi të vetën.
Drafti duket si një akt dorëzimi pa kushte i pushtetit të drejtësisë nga opozita te Rilindja. Deri këtu skepticizmi justifikohet, por opozita ka bërë gabim gjithçka, që nga fillimi. Nuk ka qenë e qëndrueshme në kërkesat e veta, nuk e mori asnjëherë iniciativën, nuk krijoji asnjëherë besueshmërinë se është e interesuar për një reformë në drejtësi, pavarësisht draftit. Opozita ka frikë ashtu si Rilindja, nga Byroja e Hetimit dhe Njësia Speciale Antikorrupsion që do të kontrollohen nga ndërkombëtarët, por ka frikë edhe nga institucionet e tjera që do mund të kontrollohen nga Rama. Duke qenë një opozitë komode, që nuk pranon të rrezikojë edhe duke pasur disa viktima në luftën opozitare, opozita dëshiron të vijë në pushtet pa humbur asnjë privilegj, pa asnjë të ndëshkuar nga të korruptuarit e djeshëm, pothuajse me të njëjtin personel.
Reforma duket pa fat. 21 korriku mund të sjellë gjithçka përveç reformës. Një draft që të shmangë ndërkombëtarët nga procesi dhe të ndajë sistemin mes partive, si ai që propozohet nga opozita, vetëm sa do të zgjasë epokën e të paprekshmëve, të pandëshkueshmëve. Këta duket se po e fitojnë betejën; disa duke e luftuar hapur draftin, të tjerët duke bërë sikur e mbështesin.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: