Nga: Prof.Paskal Milo*

Figurat historike si aktorë e faktorë të procesit historik janë objekt studimi në kompleksitetin e tyre. Historiografia shqiptare sot ndodhet ende në rrugëtimin e saj modernizues metodologjik. Ajo ka emancipuar analizën dhe gjykimin e ngjarjeve e të personaliteteve historike dhe ka bërë një ndryshim cilësor në interpretimin e fakteve e të fenomeneve historike. Por, mbetet ende shumë për të bërë për të pastruar baltën që është hedhur në shtatoren biografike të veprimtarëve historikë dhe në ndriçimin e drejtpeshuar të historisë.
Sejfulla Malëshova është një ndër rastet jo të pakta të historisë shqiptare, që rrethanat dhe kapriçot e jetës i rezervuan fatin e shtegtarit të pafat, të poetit popullor me popull të ndaluar, të komunistit idealist me zhgënjimet e mëdha, të atdhetarit të respektuar me respekt të munguar e të censuruar, të humanistit që nuk gëzoi përcjelljen e dhimbjen njerëzore të kësaj bote në largimin prej saj. Ka shumë vite që për Sejfulla Malëshovën po shkruhet. Është botuar jetëshkrimi i tij, poezia, kujtime e dëshmi të bashkëkohësve e të njerëzve që e kanë njohur si homazh e vlerësim për jetën dhe veprën e tij. Por nuk ka ndonjë studim për vitet e Luftës Nacionalçlirimtare.
Sejfulla Malëshova e nisi jetën e tij politike si një demokrat liberal, si bashkëpunëtor i Fan Nolit në gjysmën e parë të viteve ’20-të të shekullit të kaluar. Me mentorin e tij politik ai ndau disa vite edhe në emigracion në Evropë derisa rrugët e tyre morën kahje të ndryshme gjeografike dhe ideore. Noli u rikthye në Shtetet e Bashkuara me epitetin e “peshkopit të kuq”, por në të vërtetë si njeri me bindje demokratike, i lodhur nga politika dhe i vendosur për t’i shërbyer atdheut të vetë si peshkop i Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare e si njeri i letrave. Malëshovën fati, por edhe bindjet e çuan në Moskë së bashku me disa shqiptarë të tjerë të brezit të tij për të njohur nga afër Mekën e komunizmit ndërkombëtar. Atje u indoktrinua dhe u formua si komunist i shkollës sovjetike me entuziazmin e dogmës për ndërtimin e një shoqërie egalitare dhe u bë një ushtar i ushtrisë internacionale komuniste për eksportimin e ideologjisë e të revolucionit bolshevik nëpër botë. Atje përballoi sfida sa personale aq edhe ideore, pësoi zhgënjime, por edhe pasuroi kulturën me dije nga thesaret e letërsisë, artit e muzikës ruso-sovjetike.
POETI LAME KODRA
Malëshova nuk ishte vetëm veprimtar politik i një kauze, që në atë kohë ishte në ekspansion e në modë dhe që i mori vitet më të bukura të jetës së tij. Ashpërsia e dogmës komuniste dhe purgatori stalinist nuk e prekën botën e brishtë e të butë të tij. Ai jetonte me këtë botë, me unin e tij të dytë, herë të padukshëm e të panjohur që ishte edhe thelbi i qenies së tij të vërtetë. Që këtej buronte edhe muza e tij poetike e lidhur ngushtë me tabanin popullor, që reflektonte sa dhembje e nostalgji për atdheun dhe po aq rebelizëm nëpër vargje si protestë për padrejtësitë, pabarazinë e vuajtjet e si thirrje për kryengritje kundër tyre. Kështu lindi e u njoh poeti rebel e popullor Lame Kodra në vitet e emigracionit të gjatë politik.
Pushtimi i Shqipërisë nga Italia fashiste në 7 prill 1939 e gjeti në Francë. Së bashku me antifashistë të tjerë shqiptarë iu vunë projektit për të krijuar një federatë panshqiptare për të luftuar fashizmin. Por fillimi i Luftës së Dytë Botërore e pushtimi i Francës nga Gjermania e pengoi projektin e krijimit të Federatës. Rreth Malëshovës të ardhur nga Moska e të njohur si i dërguar i Kominternit u grumbulluan shumica e shqiptarëve antifashistë që jetonin, punonin apo studionin në Francë. Pas largimit nga jeta të Ali Kelmendit e të Halim Xhelos, të kthimit në Shqipëri të Llazar (Zai) Fundos, ai mbeti drejtuesi kryesor komunist në emigracion. Aty gjeti e bashkëpunoi me bashkëveprimtarët e Moskës, Demir Godelli e Qamil Çela, me studentët Ymer Dishnica, Thanas Ziko, Dhimitër Shuteriqi, Dhori Samsuri, me luftëtarin e Spanjës Petro Marko, me familjen punëtore e mike të Nushajve, e me shumë të tjerë.
ME NOLIN
Veprimtaria e Malëshovës në Francë është temë më vete sikurse ajo e emigracionit të tij në përgjithësi, që ia vlen të studiohet me vëmendje. Por, nuk mund të mos përmenden përpjekjet e tij për të krijuar Federatën antifashiste panshqiptare. Për këtë qëllim me nxitjen e tij, Thanas Ziko shkoi në Beograd për t’u lidhur me shqiptarët që vepronin atje.
Sejfulla Malëshova sapo mbërriti në Paris vendosi lidhje me udhëheqësin e tij shpirtëror, Fan Nolin, në Shtetet e Bashkuara. Duke filluar nga shtatori i 1939 i kërkon Nolit që të aktivizohet dhe e informon se “kemi lidhje të shëndosha me Shqipërinë dhe një lëvizje jashtë do të ishte një ndihmë e madhe për lëvizjen brenda”. Malëshova i shkruan se “si jashtë, ashtu edhe brenda pyesin e thonë: ku është Fan Noli? Pse s’dëgjohet, pse nuk del në krye të punës”? Dhe në fund i thotë se “edhe unë jam i mndjes se t’i duhet ta nxjersh edhe një herë shpatën dhe të hethsh në sheshin e luftës tërë autoritetin t’ënd moral dhe politik në këtë kohë kritike për atdheun”.
Malëshova që njeh potencialet e fuqishme kombëtare e historike të shqiptarëve të Amerikës kërkon të shkojë vetë atje si i deleguar i Federatës panshqiptare “për të organizuar aty një lëvizje të madhe, sidomos po të kem përkrahjen tënde”, i shkruante ai, Nolit në një letër tjetër. Misionin e tij në Shtetet e Bashkuara për të nxitur një lëvizje kombëtare e lidhte me synimin “që të vendoset një lidhje e ngushtë në mes shqiptarëve të atyshëm dhe të Federatës këtu dhe në Jugosllavi e gjetkë”.
Vizioni i Sejfulla Malëshovës për të krijuar një front antifashist mbarëshqiptar jashtë e brenda Shqipërisë ishte shprehje e thellësisë strategjike të platformës së tij kombëtare. E artikuluar me kaq qartësi në vitin 1939, kjo platformë dëshmon se ai qëndronte më lartë se të gjithë ata shqiptarë që përpiqeshin të fillonin organizimin e rezistencës antifashiste në Shqipëri dhe mbi pikëpamjet e shprehura nga veprimtarë të veçantë apo të grupeve komuniste brenda vendit. Ndaj edhe autoriteti i tij u rrit shumë mes shqiptarëve brenda e jashtë vendit, që njihnin jo vetëm autorin e vjershës së famshme “Si e dua Shqipërinë”, apo shqipëruesin e veprave letrare persiane, ruso-sovjetike e gjermane, por edhe veprimtarin kombëtar e antifashist.
Me shpërndarjen e Kominternit në vitin 1943, misioni i Sejfulla Malëshovës mbaroi në Francë. Ai kishte ndjekur me vëmendje rritjen e Lëvizjes Antifashiste e Nacionalçlirimtare në Shqipëri dhe ndodhej në lidhje të vazhdueshme me mjaft eksponentë të saj si Ymer Dishnica, Kozma e Gogo Nushi, etj. I ndërgjegjshëm se vendi dhe fronti i tij i luftës natyrshëm këtej e tutje do të ishte në Shqipëri, në qershor 1943 erdhi në Durrës, ku u prit dhe u strehua në fillim te miqtë e tij Nushaj, më vonë në familjen e Zeqi Agollit e në baza të tjera ilegale.
NË PARTI
Për veprimtarinë shumëvjeçare atdhetare e revolucionare, Sejfulla Malëshova u bë menjëherë si kandidat i KQ të PKSH e si anëtar i Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar në fillim të korrikut 1943. Disa ditë më vonë, në 10 korrik u zgjodh në Labinot edhe midis 12 anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Kultura, përvoja dhe niveli i lartë politik bëri menjëherë diferencën me shumë prej drejtuesve të udhëheqjes komuniste. Malëshova u tregua shumë aktiv që në fillim, në diskutime e biseda, në takime me njerëzit e thjeshtë e partizanët. Shumë shpejtë u bë popullor falë edhe thjeshtësisë, komunikimit e shpirtit të tij poetik. Sipas procesverbalit të Konferencës së dytë të Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar, që u mbajt po në Labinot në fillim të shtatorit 1943, përveç Ymer Dishnicës që mbajti raportin për këshillat nacionalçlirimtare, Malëshova bëri diskutimin kryesor dhe ndërhyri disa herë të tjera. Ai është një nga hartuesit e rezolucionit të kësaj mbledhjeje.
Personaliteti i tij i dallueshëm nga të tjerët shumë shpejt ra ndesh me mediokritetin e nivelin e ulët kulturor të një pjese të mirë të udhëheqjes komuniste, që kishin një arsimim minimal. Por ajo çfarë ishte më e keqe kishte të bënte me autoritetin e Enver Hoxhës, që rrezikohej të lëkundej si sekretar i përgjithshëm i PKSH dhe si komisar i Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Ai e ndjeu këtë rrezik dhe siç dëshmon edhe vetë në kujtimet e shumta për Luftën të shkruara e të redaktuara, e vuri në shënjestrën e kritikave që në fillim Sejfulla Malëshovën. Edhe Miladin Popoviçi nuk e donte, sepse ishte larg nivelit kulturor e politik të Malëshovës, që kishte mbi të gjitha edhe pasaportën e punëtorit të Kominternit. Si rival e shihte edhe Koço Tashko, që kishte si letër të fortë të kaluarën e tij si i deleguar i Kominternit e si mik i Fan Nolit. Edhe nëse nuk i shfaqnin hapur, pakënaqësi e xhelozi grumbulluan ndaj tij për ngjitjen e shpejtë edhe Nako Spiru (Deti), Ramadan Çitaku (Baca) e ndonjë tjetër.
Si publicist, poet e profesor i marksizmit Sejfulla Malëshova u caktua të punonte në Tiranë me grupin e njerëzve që merreshin me propagandën komuniste, e shtypin ilegal. Përgjegjësi i këtij seksioni në fillim ishte Ramadan Çitaku e më vonë Nako Spiru. Malëshova duhet ta ketë pasur të vështirë për të pranuar që të kishte mbi kokë e të merrte udhëzime se si duhej shkruar e çfarë duhej shkruar nga një person me arsim të kufizuar. Autoriteti i tij si njeriu i Kominternit e me pretendime lideri ra ndesh me nivelin e ulët teorik marksist të Bacës e të shumë të tjerëve që e rrethonin. Ky superioritet kulturor e teorik konkurrohej nga të tjerët me kontributet e tyre si themelues të PKSH e si njerëz të aksionit e të luftës në terren. Natyra e shkolla të ndryshme filluan të përplasen në fillim në heshtje e më vonë hapur.
KRITIKAT NGA HOXHA
Ende pa u mbushur tre muaj nga ardhja e Malëshovës, filluan edhe kritikat ndaj tij. Në 24 shtator 1943 R. Çitaku (Baca) i shkruante Enver Hoxhës se “Sejfullahu ka ba gjatë gjithë kësaj kohe vetëm një artikull dhe një trakt” për ushtrinë gjermane, se artikulli nuk e ka frymën e artikujve të “Zërit të Popullit”, se “Balli nuk zihet në gojë kërkund dhe i ban shumë elozhe fjalimit të Fan Nolit”.
Enver Hoxha sikurse e dëshmon edhe në kujtimet e tij nuk e kishte pëlqyer Sejfulla Malëshovën që në takimin e parë. Ai i përdori ankesat e kritikat që vinin ndaj Malëshovës për t’i treguar atij se PKSH e kishte udhëheqësin e saj e se ai duhej të merrte udhëzime, por edhe urdhra prej tij. Në shtator Hoxha adresoi vërejtjet e para kur i shkroi atij se duhej të lëvizte më tepër për punën e këshillave nacionalçlirimtare e për punën e shkrimeve. Ai e porosiste Bacën që t’i thoshte Sejfullahut “se me një lule s’vjen behari dhe me një artikull në tre muaj nuk mund të shkojë puna përpara”. Hoxha e dinte tashmë se Malëshova nuk bënte artikuj “sur commande”, si i shkruante Çitakut, por “të paktën të bëj pa komandë”. Nuk kalojnë veç pak ditë dhe kritikat përsëriten edhe më të forta. Sejfullahu konsiderohet si “hamshor” që rri, që jep këshilla e i mungon puna praktike, se harxhonte kohën me muhabete e se “burrat e botës nuk presin Sejfullahnë”.
Çitaku i inkurajuar nga Enver Hoxha shkon më tej në kritikat e akuzat e tij kundër Malëshovës. I raporton Hoxhës se në mbledhjen e Këshillit Nacionalçlirimtar të Tiranës “Sejfullahu nuk ka qenë aspak objektiv” dhe “jashtë vijës së Luftës Nacionalçlirimtare…”.
Malëshova dhe Hoxha kanë pasur mosmarrëveshje edhe për krijimin e partisë socialdemokrate. I pari ishte për të ndihmuar në krijimin e saj dhe për afrimin e përfshirjen e saj në Frontin Nacionalçlirimtar. I dyti e kundërshtoi që në fillim ashpër këtë propozim. Ai e shihte krijimin e kësaj partie si të panevojshme e si një rrezik për influencën e PKSH në popull e në projektet e ardhshme për pushtet. Edhe kur u shpall në 2 tetor 1943, Partia Socialdemokrate u godit dhe u akuzua nga PKSH njësoj si Balli Kombëtar e Legaliteti.
Sejfulla Malëshova ka qenë pjesëmarrës aktiv në të gjitha aksionet politike të Frontit Nacionalçlirimtar e të PKSH. Ai nuk kishte njohuri ushtarake dhe as nuk drejtoi e mori pjesë në ndonjë veprim apo betejë luftarake. Qenia e tij si anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UNÇL ishte më tepër simbolik. Ndaj edhe kur iu kërkua në vitin 1963 që të shkruante kujtimet e tij për veprimtarinë e Shtabit të Përgjithshëm, ai nuk përmend veç fakte e ngjarje të njohura. Siç e shihni, i shkruante ai, gjeneral Spiro Moisiut “më tepër po shes mënt se sa jap fakte e dokumente; shumë hollësira i kam harruar, nuk mbaj mënt mirë emrat dhe datat”.
Malëshova ka marrë pjesë në takimet me misionet ushtarake angleze e amerikane, me gjeneralin Dejvis, por edhe në bisedime me të deleguarit e PK të Jugosllavisë, Miladin Popoviç, Dushan Mugosha, Velimir Stojniç, Niaz Dizdareviç, etj. Me Popoviçin nuk shkonte mirë, ndërsa me Stojniçin kur ky zëvendësoi të parin, lidhjet u bënë të ngushta.
Gati një vit pasi kishte ardhur në Shqipëri, në Kongresin e Përmetit, në maj 1944, Malëshova ishte afirmuar si një nga udhëheqësit kryesorë të Luftës. Në këtë Kongres ai ndërhyri disa herë me ide e propozime konkrete për zgjerimin e radhëve të FNÇL dhe u dëgjua e u respektua nga delegatët e Kongresit jo vetëm si drejtues, por edhe si poet popullor. Për meritat e tij u zgjodh anëtar i Këshillit të Përgjithshëm Antifashist Nacionalçlirimtar, por edhe në kryesinë e tij. Në Komitetin Antifashist Nacionalçlirimtar (KANÇL) që u krijua me atributet e një qeverie të përkohshme, Sejfulla Malëshova u emërua si i ngarkuar me punë për shtypin, propagandën e kulturën popullore.
Në këto detyra e gjeti pragu i çlirimit të vendit. Në mbledhjen e dytë të Këshillit të Përgjithshëm Antifashist Nacionalçlirimtar në 22 tetor 1944, Sejfulla Malëshova me krijimin e Qeverisë së Përkohshme Demokratike u zgjodh ministër i Kulturës Popullore. Krijimi i qeverisë dhe afrimi i ditës së fitores mbi pushtuesit nazifashistë nxori në sipërfaqe e në plan të parë ambiciet e luftën për pushtet në gjirin e PKSH. Individë të veçantë në gjirin e saj që i kishin mbajtur të kontrolluara deri në këtë kohë ato, filluan t’i shfaqin hapur e të grupohen kundër monopolit të Enver Hoxhës në PKSH, qeveri e UNÇL. Ata u mbështetën nga shefi i misionit ushtarak jugosllav dhe i deleguari i PKJ në Shqipëri, Velimir Stojniç, që kishte ardhur në vend të Miladin Popoviçit, i akuzuar ndër të tjera edhe për gabime sektare.
Enver Hoxha i mbështetur nga Popoviçi kishte bërë një numër gabimesh gjatë Luftës dhe kjo ishte e padyshimtë. Nëse ideja për t’i korrigjuar ato në prag të çlirimit e të marrjes së pushtetit ishte pozitive, mënyra konspirative me të cilën u organizua kundërvënia, aq më tepër nën dirigjimin e fshehtë të jugosllavëve ishte po aq e gabuar. Sejfulla Malëshova, Koçi Xoxe, Nako Spiru, etj., që në mbledhjen e Byrosë Politike në 8 – 13 nëntor 1944 hodhën akuzat dhe tezat e tyre kundër vijës që kishte ndjekur PKSH dhe Enver Hoxha gjatë Luftës, të cilat i shpalosën hapur e me forcë në plenumin e dytë në 23 – 26 nëntor. Në këtë plenum Sejfulla Malëshova ka folur i pari dhe ka mbajtur referatin mbi situatën politike, i cili deri tani së fundi konsiderohej i humbur, por që u gjet në materialet sekrete të ish- arkivit të KQ të PPSH, në shënimet e mbajtura nga Alqi Kondi.
Sejfulla Malëshova kritikoi taktikën e gabuar nacionalçlirimtare, kalimin nga oportunizmi në Konferencën e Mukjes në sektarizmin e luftës së hapur ndaj Ballit pas saj. Enveri, theksoi Malëshova, “është konsideruar si strumbullari i sukseseve, kurse ai në të vërtetë është sinteza e gabimeve tona”. Akoma edhe më e rëndë ishte akuza tjetër e Sejfullahut se PKSH ishte një parti terroriste.
Enver Hoxha u gjunjëzua në Berat e nëse nuk u hoq si Sekretar i Përgjithshëm i PKSH kishte disa arsye: e para, se Tirana ishte çliruar dhe pritej çlirimi i plotë i Shqipërisë, që duhej ta gjente vendin me një qeveri të përkohshme. E dyta, jugosllavët menduan se me goditjen që mori, Enver Hoxha do të nënshtrohej e do t’u bindej atyre më mirë e më shumë. E treta, nuk kishte pasur kohë për të zgjedhur midis tre pretendentëve që mund ta zëvendësonin Hoxhën: S. Malëshova, Nako Spiru e Koçi Xoxe. Të tre ishin ambiciozë për të qenë i pari dhe aleanca e tyre kundër Hoxhës ishte e përkohshme. Sejfullahu do të bëhej viktima e parë e hakmarrjes dhe e revanshit të Enver Hoxhës kur ai e ndjeu veten të fortë. Nako Spiru e Koçi Xoxe nuk i dolën në krahë aleatit të tyre të Beratit. E lanë të fundosej për të qëndruar në pushtet edhe ata përkohësisht.
Fati politik i Sejfulla Malëshovës u vendos gradualisht pas lufte, etapë pas etape, në 1946 e 1947, në 1949 e 1956. Ishte fati i figurave komplekse dhe i rrugëtimit të ndërlikuar të tyre, ku bashkëjetonin ide e koncepte sa progresive, aq edhe të gabuara. Fatkeqësia e tyre ishte se komunizmi shqiptar ishte varianti stalinist. Si i tillë atij i përshtatet sentenca e njohur se revolucioni i ha bijtë e vetë.

(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: