NGA ORNELA MANJANI
Ish-pronarët që presin kompensim nga Agjencia e Trajtimit të Pronave duhet të dorëzojnë një dokument shtesë, deklaratë noteriale, e cila është parashikuar si ndryshim në një pikë të të gjithë formularëve.

Në pikën katër të vendimit të qeverisë thuhet se në të gjithë formularët që i bashkëlidhen vendimit, paragrafët e fundit ndryshohen, si më poshtë vijon: “Marrje dijeni mbi efektet e formularit dhe dokumentacionit të paraqitur sipas kërkesave në këtë formular. Unë, i nënshkruari__ kam marrë dijeni dhe jam i vetëdijshëm se:
a) Ky formular përbën dokument zyrtar që i drejtohet një organi shtetëror dhe i nënshtrohet verifikimit;
b) Paraqitja e të dhënave të pavërteta, të pasakta ose fshehja e tyre sjell përjashtimin e menjëhershëm dhe në çdo kohë nga çdo procedurë e mëtejshme si dhe përgjegjësi penale sipas ligjit;
c) Me plotësimin e këtij formulari kam dhënë pëlqimin dhe autorizoj ATP-në për verifikimin e plotë të çdo të dhëne, informacioni dhe dokumentacioni që shoqëron këtë formular;
ç) Trajtimi i të dhënave do të kryhet në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale”, thuhet në vendim. Më pas, dokumenti noterial përcakton pasojat e deklarimit të rremë.

“Duke qenë i vetëdijshëm për pasojat ligjore në rast të vetëdeklarimeve të pavërteta, të pasakta ose fshehjen e tyre konfirmoj saktësinë e të dhënave të pasqyruara në dokumentacionin e paraqitur sipas kërkesave në këtë formular”, thuhet në vendim. Qeveria ngarkon Ministrinë e Drejtësisë dhe Agjencinë e Trajtimit të Pronës për zbatimin e këtij vendimi.

Pagesat e përshpejtuara
Në ligjin për pronat janë vendosur tre afati pagesash të përshpejtuara. Pagesë brenda një viti, brenda tri vitesh dhe brenda pesë vitesh. Për secilin variant në një VKM të posaçëm është përcaktuar edhe përqindja e pagesës. Për pagesën brenda një viti, pronari merr 20% të vlerës së faturës, për pagesën brenda tri viteve merr 30% dhe brenda pesë viteve merr 40% të vlerës së kompensimit dhe heq dorë nga pjesa tjetër e kësaj vlere. Të gjitha subjektet që kanë një vendim përfundimtar kompensimi, pavarësisht rendit kronologjik të tij dhe llojit të zërit kadastral të pronës së vlerësuar, kanë të drejtë të aplikojnë pranë ATP-së me kërkesë të veçantë, ku shprehin vullnetin për t’u kompensuar financiarisht.

Kërkesat e veçanta për kompensim financiar do të trajtohen sipas kësaj procedure nga çdo fond vjetor buxhetor i kompensimit financiar, jo më shumë se 1/3 e tij mund të përdoret për kërkesat e veçanta të kompensimit financiar. Të gjitha subjektet kërkuese, të cilat shprehin vullnetin për t’u kompensuar financiarisht me kërkesë të veçantë, duhet të aplikojnë pranë ATP-së brenda vitit të çeljes së fondit vjetor buxhetor të kompensimit financiar dhe pas aplikimit për kompensim financiar me kërkesë të veçantë, ATP-ja përgatit vlerësimin financiar të pronës, pavarësisht rendit kronologjik të vendimit dhe në rastin e disa aplikimeve për kompensim me kërkesë të veçantë do të zbatohet rendi kronologjik i datës së vendimeve për këto aplikime.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: