NGA ERMELINDA HOXHAJ*

Pjesë e garës në universitet janë bërë në total 27.672 maturantë. Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Provimeve, Rezana Vrapi ka deklaruar për “Gazeta Shqiptare” se në faqen zyrtare të AKP çdo maturant gjen të dhënat në Librin e Transparencës dhe Formularin e Korrigjimit të Pasaktësive. Ndërkohë, sa u përket listave të kandidatëve që kanë aplikuar nëpërmjet Formularit të Aplikimit, ato do t’u dërgohen universiteteve publike dhe private brenda afateve të përcaktuara nga Ministria e Arsimit. Shpallja e fituesve do bëhet nga Institucionet e Arsimit të Lartë në bazë të formulës, kritereve dhe kuotave që ata kanë përcaktuar. Veç lëndëve preferenciale që kanë pjesa kryesore e universiteteve, disa kanë edhe koeficientin e shkollës së mesme si kriter vlerësues, siç janë Universiteti Politeknik dhe Universiteti Bujqësor. Në bazë të kuotave të pranimit, për vitin akademik 2016-2017, në 34 Institucionet e Arsimit të Lartë do të pranohen 31.579 studentë.

Konkurrentët
Në datën 12 gusht u mbyll aplikimi online në universitet nëpërmjet formularit të aplikimit. “Në total në universitetet publike dhe private për kuotat e pranimit për vitin akademik 2016-2017 kanë aplikuar 27.672 maturantë. Këta maturantë kanë aplikuar online nëpërmjet Formularit të Aplikimit, ku kanë regjistruar 10 programe studimi në të cilat dëshirojnë të vijojnë studimet”, – thekson drejtoresha e AKP-së, Rezana Vrapi. Sipas saj, specialistët e AKP-së fillimisht janë duke punuar me listat e kandidatëve që do të garojnë në ato universitete ku parashikohet edhe konkursi i pranimit, siç janë Universiteti i Sporteve dhe i Arteve, si dhe disa programe të tjera studimi në universitetet e rretheve.

“Ditën e hënë, më 15 gusht, AKP-ja do t’u dorëzojë atyre universiteteve që kanë konkurs pranimi listat e kandidatëve që kanë aplikuar, për t’u përgatitur për konkursin. Ndërsa, listat për universitetet e tjera së bashku me të dhënat e maturantëve do t’u dërgohen në fund të muajit gusht, pasi maturantët të jenë konsultuar edhe me të dhënat në Librin e Transparencës. Në këtë libër çdo maturant do të ketë të dhënat e tij, ku përfshihen, 5 notat e provimeve të Maturës Shtetërore, përllogaritja e notës mesatare si dhe 10 preferencat ku ka aplikuar në universitet”, – sqaroi Vrapi. Po ashtu, ajo bëri të ditur se në faqen e AKP-së, veç Librit të Transparencës, është dhe Formulari i Korrigjimit të Pasaktësive, ku maturantët do kenë mundësi të bëjnë korrigjimin e të dhënave në rastet kur ata pretendojnë se nuk janë hedhur të saktat. “Në Formularin e Korrigjimit të Pasaktësive, maturantët do të kenë mundësi të bëjnë korrigjimin e të dhënave që janë të pasakta. Ata do drejtohen në shkollë te mësuesi i tyre përkatës, më pas shkolla i dorëzon formularët në Drejtoritë Arsimore përkatëse, më pas DAR-i i dorëzon ato në AKP. Korrigjimin e pasaktësive e bëjnë specialistët e AKP-së. Pasi të përfundojë ky proces, AKP-ja u dorëzon listat zyrtare të aplikuesve së bashku me të dhënat e çdo aplikanti të ndara sipas programeve të studimit universiteteve. Në udhëzimin e MAS-it, afati i fundit është 30 gushti; normalisht që AKP-ja do respektojë afatet. Më pas institucionet e arsimit të lartë bëjnë rankimin e kandidatëve sipas kritereve dhe kuotave që ata kanë përcaktuar, dhe do bëjnë shpalljen paraprake të fituesve në datën 5 shtator. Për çdo gjë, universitetet kanë asistencën tonë”, – sqaron drejtoresha e AKP-së, Rezana Vrapi.

Libri i
Transparencës

Agjencia Kombëtare e Provimeve publikon Librin e Transparencës, ku çdo maturant/kandidat gjen të gjithë elementët kryesorë përbërës të rezultateve të përfundimit të shkollës së mesme: Mesataren e përgjithshme të shkollës së mesme, sipas VKM-së nr. 407, dt. 01.06.2016; rezultatin e provimit të Letërsisë – D1; rezultatin e provimit të Matematikës – D2; rezultatin e provimit të Gjuhës së Huaj – D3; rezultatet e provimeve të dy lëndëve me zgjedhje; preferencat e përzgjedhura prej tij në Formularin e Aplikimit në IAL, për programet e studimit që ofrojnë IAL-të për vitin akademik 2016-2017. Secili kandidat/maturant ka hapësirën e tij në Librin e Transparencës, ku në rreshtin e parë jepen: Numri rendor; numri identifikues i maturantit (ID), që e ka shoqëruar gjatë gjithë procesit të Maturës Shtetërore; në pjesën majtas poshtë janë emërtesat dhe notat e shkallëzuara të 6 elementëve vlerësues të Maturës Shtetërore, më tej vijohet me 10 preferencat e renditura ashtu siç kandidati i ka plotësuar në formularin e aplikimit në universitet. Bashkëngjitur shkrimit janë të dhënat për maturantët e qytetit të Tiranës si dhe Formulari i Korrigjimit të Pasaktësive. Ky formular u jepet vetëm maturantëve që kanë kontestime me të dhënat në Librin e Transparencës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: