Nga: SHABAN MURATI
Skandali diplomatik që shpërtheu këto ditë në marrëdhëniet midis Bullgarisë dhe Rusisë zbuloi një instrument të ri të vënë në përdorim nga Rusia për shpërndarjen e influencës së saj në Ballkan, që është blerja masive e pronave në shtetet e Ballkanit. Një nga deputetët më të njohur rusë të partisë në pushtet të presidentit Putin, “Rusia e Bashkuar” dhe një nga emrat më publikë të stacionit televiziv qeveritar “Chanel 1”, Pjotr Tolstoi, bëri një deklaratë sfiduese, e cila jo vetëm ngriti tallaze në marrëdhëniet midis dy vendeve, por nxori në sipërfaqe strategjinë ruse të invazionit të heshtur në vendet ballkanike nëpërmjet blerjes së pronave në këto vende. Deputeti i partisë së Vladimir Putinit, siç shkruante gazeta bullgare “Novinite” në 21 shtator, deklaroi se, “Ne mund të blejmë gjithë Bullgarinë. Ne kemi blerë tashmë gjysmën e bregdetit të saj”. E përkthyer më qartë, kjo do të thotë se Rusia po e kthen Bullgarinë në një pronë dhe një zonë ruse të influencës, duke blerë njërën pas tjetrës prona në atë vend, çka do të thotë se territori i Bullgarisë mund të shndërrohet në një pronë të madhe ruse.

Kjo nuk është vetëm arroganca e një përfaqësuesi të një fuqie të madhe lindore, por është afishimi i një metode shtetërore të depërtimit dhe të konsolidimit të influencës ruse në shtetet e Ballkanit. Është trajtimi i shteteve të vogla sovrane si një plaçkë tregu, të cilën Rusia ka planifikuar ta blejë dhe ta zotërojë. Ndaj, dhe reagimi i Bullgarisë ishte një ndjenjë zemërimi masiv dhe proteste të gjerë. Ministri i Jashtëm bullgar, Daniel Mitov, u kërkoi autoriteteve zyrtare ruse që të distancohen nga kjo deklaratë. Kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov, duke hedhur poshtë qëndrimin e deputetit rus, deklaroi se “askush nuk ka arritur ta blejë Bullgarinë në historinë e saj 1300-vjeçare”. Deri tani nuk ka pasur reagim zyrtar nga Ministria e Jashtme ruse lidhur me këtë skandal diplomatik në marrëdhëniet midis dy vendeve.

Përtej këtij skandali shfaqet problemi i madh i strategjisë së re të Rusisë për sigurimin e influencës dhe zotërimit të shteteve të Ballkanit nga ana e saj. Në fakt, në dhjetë-pesëmbëdhjetë vitet e fundit, që përkojnë me qenien në pushtet të presidentit me ambicie globale të Rusisë, Vladimir Putin, është konstatuar një fenomen i heshtur i blerjes masive të pronave nga ana e pronarëve rusë. Kjo nuk lidhet me blerjet e pronave luksoze, që oligarkët rusë kanë blerë dhe blejnë në vendet e shtrenjta perëndimore si në Londër, Paris, Romë, etj. Fjala është për blerjet masive nga shtetas të zakonshëm rusë, pa tituj të mëdhenj pronësie, por që kanë vërshuar nëpër shtetet e Ballkanit dhe sidomos në ato që lagen nga dete, për të blerë prona të shumta. Vetëm në vitet 2006-2014 janë blerë në Bullgari nga pronarë rusë 63574 prona rezidenciale. Sipas të dhënave të Konsullatës së Përgjithshme ruse në Bullgari, rusët kanë blerë 500 mijë prona në Bullgari, kurse sipas mediave bullgare, kjo shifër shkon në mbi 700 mijë prona. Në të njëjtën linjë arrogante me deputetin rus, gazeta ruse “Zhurnalistkaja pravda” shkruante në 21 shtator: “Nga kufiri me Rumaninë e deri në kufirin me Turqinë, rusët zotërojnë sipas llogarive të përafërta 80 për qind të pronave të patundshme, hotele, restorante, pallate dhe shtëpi private. Çfarë ka këtu për të bërtitur për këtë?”.

Në planin gjeopolitik invazioni i pronave ruse në Bullgari dhe në shtetet e tjera të Ballkanit shfaqet si një metodë e heshtur e sigurimit të pronësisë mbi territorin e një shteti të caktuar. Kjo metodë në Ballkan është bërë fenomen i nëndheshëm me blerjet masive të pronave nga Bullgaria e deri në Mal të Zi, ku sipas të dhënave të mediave malazeze, rusët zotërojnë 40 për qind të pasurive të patundshme, sidomos në bregdet. Është një fenomen, që në një formë të lexueshme konstatohet edhe në Shqipëri, sidomos kohët e fundit.

Vështirë të besojë kush në naivitetin se gjithë këto blerje masive pronash, që synojnë të fusin nën zotërimin rus pjesë gjithnjë e më të mëdha të pronave dhe të pasurive të një shteti ballkanik, janë thjesht shprehje e dëshirës së qytetarëve rusë për të bërë plazh në shtetet bregdetare ballkanike apo shprehje e rritjes së mirëqenies së qytetarëve të Rusisë. Në këtë fenomen të blerjeve masive të pronave të patundshme në vendet ballkanike konkretizohet strategjia e shtetit të Rusisë për të zotëruar Ballkanin. Është e kuptueshme se nëse një shtet si Rusia do të arrijë të fusë nën pronësinë e saj pjesën më të madhe të pronave, të bregdetit dhe të territoreve në Bullgari, në Mal të Zi apo në Shqipëri, kjo do të thotë që Rusia do të jetë në gjendje në një të ardhme jo të largët të bëhet jo vetëm faktor diktues ekonomik në shtetin përkatës, por edhe një faktor politik dhe elektoral në atë shtet.
Çfarë tërheq vëmendjen në strategjinë gjeopolitike ruse të influencës nëpërmjet blerjes së pronave në shtetet ballkanike? Tërheq vëmendjen që Rusia, së pari po synon shtetet bregdetare, që do të thotë se po synon të bëhet pronare e brigjeve të njërit apo tjetrit shtet ballkanik. Nuk është rastësi që ata po vënë në pronësi pjesën më të madhe të bregdetit bullgar apo të bregdetit malazez. Siç po shtyhen edhe drejt bregdetit shqiptar. Madje, lexuesit mund t’i kujtohet se kur disa zyrtarë trushkulur shqiptarë deshën të nxjerrin në ankand bazën ushtarako-detare të Bishtit të Pallës, të parët që u ofruan për ta blerë ishin biznesmenët rusë. Zotërimi i bregdetit do të thotë zotërimi i detit dhe Rusia gjithmonë ka aspiruar të fusë nën kontroll detet e shteteve të Ballkanit. Deri në vitin 2013 Moska ushtroi një presion të jashtëzakonshëm mbi Malin e Zi për ta detyruar qeverinë malazeze t’i akordonte një bazë ushtarako-detare. Këtë kërkesë Moska i ka bërë edhe Greqisë dhe Qipros për baza ushtarako-detare. Deri tani ka arritur të shkëpusë favore të tilla strategjike vetëm nga Qipro. Duke blerë pronësinë në bregdetin e njërit apo tjetrit shtet bregdetar ballkanik, Moska planifikon që në të ardhmen të jetë në gjendje që t’i imponojë njërës apo tjetrës qeveri ballkanike realizimin e kërkesave të saj. Me pronësinë e deritanishme Moska ka realizuar fazën e parë të planit të saj strategjik, që pjesë të bregdetit të njërit apo tjetrit shtet ballkanik të blerë nga rusët të jenë baza të fshehta të përgjimit dhe survejimit rus të shtetit përkatës dhe të shteteve fqinje me të.

Së dyti, dhe që është e rëndësishme për t’u theksuar, është fakti se blerjet masive ruse në shtete ballkanike po synojnë ato shtete që janë në NATO dhe në Bashkimin Europian. Ballkani është fusha e madhe e përplasjes gjeopolitike midis Perëndimit, NATO-s dhe BE-së nga njëra anë dhe Rusisë nga ana tjetër, ku pala perëndimore përpiqet për integrimin euroatlantik të Ballkanit, ndërsa Rusia për shkëputjen e Ballkanit nga integrimi euroatlantik. Deputeti rus Pjotr Tolstoi i drejtoi thirrje Bashkimit Europian që të heqë dorë nga politika e zgjerimit të BE me shtete në “zonën e interesave kombëtare të Rusisë”.
Deri tani Rusia ka dështuar të pengojë vendet ballkanike në integrimin europian, sepse të gjitha shtetet ballanike pa përjashtim janë anëtare apo kandidate për anëtare në BE. Përsa i takon integrimit atlantik, Rusia ka arritur të ndalojë integrimin e Serbisë dhe të Bosnjë-Hercegovinës në Aleancën Atlantike dhe të imponojë politikën zyrtare të refuzimit atlantik në këto dy shtete. Si mënyrë e zgjidhjes së pafuqisë së saj përballë integrimit euroatlantik të Ballkanit, Moska po aplikon strategjinë e futjes së influencës së saj në vendet anëtare të NATO-s dhe të BE-së nëpërmjet blerjes masive të pronave në ato vende. Pikërisht për këtë blerjet masive të pasurive të patundshme nga rusët në vendet e Ballkanit po afirmohen si një instrument gjeopolitik rus për sigurimin e influencës ruse në ato vende. Portali italian “affaritaliani.it” nën titullin e goditur “Invazioni rus i Bullgarisë kalon nga tullat”, duke analizuar skandalin diplomatik, që përmendëm në fillim të shkrimit, shkruante në 20 shtator: “Rusia nuk ka pranuar kurrë që ish-republikat sovjetike të jenë anëtare të BE. Për Kremlinin sfera e influencës natyrale të Moskës shkon nga Polonia në Serbi, duke kaluar nëpër Republikën Çeke dhe Sllovaki. Në Bullgari revanshizmi sovjetik kalon nga tullat”.

Duke blerë tullat, pra prona të patundshme në shtetet anëtare të NATO-s si Bullgaria, Mali i Zi apo Shqipëria, Rusia gradualisht do të bënte që anëtarësimi i njeri apo tjetrit shtet në NATO apo në BE të sfumohej dhe të bëhej thjesht formal, sepse praktikisht kush zotëron territorin, zotëron edhe shtetin përkatës. Në kohën e sotme të globalizimit, kur janë prishur dhe prishen shumë kufij ligjorë apo institucionalë, lindin kërcënime dhe rreziqe të reja të karakterit strategjik, të cilat nuk mund dhe nuk duhen injoruar nga qeveritë dhe shtetet e Ballkanit. Një nga këto rreziqe të heshtura janë edhe blerjet masive të pronave nga një fuqi antiperëndimore dhe me ambicie sundimi botëror si Rusia. Blerjet e pronave, si fazë e blerjes dhe e zotërimit të bregdetit dhe të territorit janë një nga format e kamufluara, që po zbaton Rusia në drejtim të shteteve ballkanike. Siç shkruan Julian Popov i Fondacionit të Klimës Europiane: “Vendet jo gjithmonë pushtohen me tanke dhe avionë. Lufta hibride është një gjë serioze. Shteti bullgar duhet të rishikojë të drejtën e rezidencës për qytetarët e huaj dhe zotërimin e pronave nga ata”.

Këto fenomene të reja gjeopolitike, që po shihen në rajonin tonë duhet të zgjojnë alarme edhe në qeverinë dhe në institucionet e specializuara shqiptare. Ruajtja e sovranitetit dhe e integritetit territorial nuk garantohet automatikisht vetëm me anëtarësimin në NATO. Edhe duke qenë në NATO, nuk pushon veprimtaria dhe strategjia e shteteve si Rusia, që kërkojnë të devijojnë Ballkanin dhe shtetet ballkanike nga përkatësia euroatlantike. Gjeopolitika ruse e influencës po bëhet gjithnjë e më e sofistikuar dhe po ashtu duhet të bëhen të sofistikuar instinkti dhe aftësia mbrojtëse e institucioneve tona.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb