NGA ERMELINDA HOXHAJ

TIRANE-
Data 28 korrik njihet si dita Botërore e Hepa titit. Prej vitit të shkuar në listën e barnave të rimbursueshme është futur edhe medikamenti, i cili trajton hepatitin “Sovosfubir”. Me rastin e kësaj dite, ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ka vizituar laboratorin e ekzaminimeve në Spitalin Universitar Obstetriko- Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”, ku ka folur programin e ri të menaxhimit të integruar të instrumenteve kirurgjikalë të sterilizuar, e cila ul ndjeshëm shkallën e infeksioneve spitalore. Në lidhje me hepatitin, kreu i shëndetësisë ka folur edhe për futjen e medikamenteve në listën e barnave të rimbursueshme.

“Edhe në Shqipëri mund të shërohet hepatiti C. 11 pacientë të prekur nga Hepatiti C dhe të trajtuar për rreth 12 javë me një medikament të ri, që vetëm një vit më parë u përfshi në listën e barnave të rimbursueshme kanë pasur rezultate të mira. Vjet ne kemi financuar rreth 600 mijë euro për të kuruar 11 të sëmurë. Këtë viti kemi financuar 1 milion euro për të shëruar 25 të sëmurë”, shprehet ministri Beqaj.

Por, përveç hepatiti C, masa paraprake merren edhe për parandalimin e shtimit të rasteve me hepatit B. Përveç sterilizimit të instrumenteve kirurgjikale në sallat e operacionit, futjen e sistemit të ri të testimit NAP në bankën e gjakut, të gjithë bebet e porsalindura vaksinohen ndaj hepatiteve. Madje, edhe në raste kur nëna është bartëse e hepatiti B, parandalohet transmetimi vertikal tek bebja.

Vetëm në një vit në maternitetin “Mbretëresha Xheraldinë” numërohen 200 raste kur nëna është bartëse e hepatitit B. Sipas mjekes mikrobiologe, Vera Barça, pranë këtij materniteti ndërgjegjësimi i nënave shtatzëna është rritur. “Sa më herët që të bëhet analiza e hepatitit, aq më mirë është si për gruan shtatzënë, ashtu edhe për bebin. Nga të dhënat që ne kemi, rezulton se gjatë vitit të fundit mbi 95% e nënave shtatzënë e kanë kryer këtë analizë, çka tregon një ndërgjegjësim të tyre”, ka pohuar mjekja.

HEPATITI B&C
Sipas specialistes së ISHP, Lumturi Mërkuri, hepatiti B është një infeksion viral i mëlçisë, i shkaktuar nga virusi i hepatitit B, që mund të shkaktojë infeksion akut dhe kronik të saj. Virusi i hepatitit B transmetohet nëpërmjet kontaktit me gjakun ose lëngje të tjera trupore (p.sh. sperma apo sekrecionet vaginale) të një personi të infektuar. Sipas specialistes së ISHP-së, Mërkurit, sa u përket simptomave, shumica e njerëzve nuk përjetojnë asnjë shenjë gjatë fazës akute të infeksionit. Megjithatë, disa njerëz shfaqin shenja që zgjasin disa javë duke përfshirë zverdhje të lëkurës dhe syve, urinë të errët, lodhje ekstreme, të përziera, të vjella dhe dhimbje barku.
Një pjesë e personave me hepatit mund të zhvillojnë dëmtim akut të mëlçisë që mund të çojë në vdekje. Te disa njerëz, virusi i hepatitit B mund të shkaktojë infeksion kronik të mëlçisë, që më vonë mund të kalojë në cirrozë dhe kancer të mëlçisë. Mbi 90% e të rriturve të cilët janë të infektuar me virusin e hepatitit B, por që nuk kanë komplikacione, do të shërohen natyrshëm nga virusi brenda vitit të parë. Po ashtu, sipas saj rreth 95% e njerëzve me hepatit nuk janë në dijeni të infeksionit të tyre, ndaj apelohet që të bëhen testimet për hepatit.

“Hepatiti C është një sëmundje e mëlçisë e shkaktuar nga virusi i hepatitit C. Virusi mund të shkaktojë hepatit akut dhe kronik dhe mund të shkojë nga një sëmundje e lehtë, që zgjat disa javë deri në gjendje të rëndë apo të përjetshme, që çon në cirrozë apo kancer të mëlçisë. Virusi i hepatitit C transmetohet nëpërmjet kontaktit me gjakun e infektuar. Mënyrat më të zakonshme të infeksionit janë nëpërmjet praktikave të pasigurta të injektimit, sterilizimit të papërshtatshëm të pajisjeve mjekësore në disa mjedise të kujdesit shëndetësor, si dhe gjakut dhe produkteve të tij të pakontrolluara”, sqaron specialistja e ISHP, Lumturi Mërkuri.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: