Nga: ISIDOR KOTI*

E gjithë bota është tronditur nga sulmet e vazhdueshme terroriste që po marrin jetë të pafajshme, saqë edhe kur lëviz në rrugë, mes shumë gjërave që mendon e vepron, të përsëritet frika se pas një çasti mund të mos marrësh më frymë. Hija e vdekjes është bërë kudo e pranishme dhe vjen papritur nga një sulm i çmendur që mbase ka motive terroriste, politike, fetare, por kurrsesi antihumaniste. Thjesht njerëzorja përdoret, për të çimentuar frikën e një konflikti të jashtëm, që duhet imponuar edhe së brendshmi. Ky është qëllimi: Terrorizimi i qenies, kudo qoftë ajo, për t’i dhënë botës një imazh tjetër, imazhin e luftës.
Duket e çuditshme, por nuk është dhe aq, që e keqja të quhet e mirë dhe e mira e keqe. E keqja nuk vjen nga kushtet, por nga perceptimi. Duket se gjithçka ndodh sepse njerëzve nuk iu japin aspak dinjitet dhe dashuri. Dhe ndodhin këto që dëgjojmë e shikojmë. Nga njëra anë predikohet paqe e vëllazëri dhe në po të njëjtin vend lindin, rriten e zhvillohen dishepujt e konfliktit, urrejtjes, vdekjes. Nuk kemi të bëjmë thjesht me çështje interpretimesh, as doktrinash apo të indoktrinuar. Leksionet dhe fjalimet e oratorëve kanë dështuar përpara akteve terroriste. Çdo nivel komandues i shoqërisë e ka larguar praktikisht njerëzoren nga njerëzorja. Mos i kërkoni terroristët me dylbi, as me lupë nëpër harta, ata janë në zemër të qytetërimit, pavarësisht se janë veshur me lëkurën e qengjit. Terroristët janë midis nesh, sepse mendojnë gabimisht që përmes padrejtësive zhdukin padrejtësitë, përmes dhunës e frikës sjellin paqen. Një gjendje absurde që nuk vjen as nga kultura, as nga edukimi, por nga rendi.
Ky rend nuk kërkon më një dorë për të arritur majën më të lart të njerëzores. Ky rend nuk kërkon drejtësi, solidaritet, trajtim humanist të njeriut. Humanizmi nuk konsiderohet më si një ide pozitive, thjesht një epokë e kaluar. Kjo të sjell ndërmend shprehjet si dashuria ndaj njerëzimit, paqja dhe vëllazërimi, të cilat janë thjesht etiketa, në një botë katërcipërisht të polarizuar, ku shpirtërorja e ndjeshmëria janë këmbyer me materialen dhe predominimin. Një perspektivë kjo postmoderne me koncepte të lashta. Këto nuk janë domethënie filozofike, por shumë më kuptimplote: Humanizmi sot nuk ka humanitetin si fokus, por ka si qëllim kryesor krijimin e rrethanave përfituese të të fortëve ndaj të dobëtëve. Prandaj problemi qëndron jo thjesht te disa njerëz që marrin përsipër të humbin jetën e tyre, duke marrë edhe të tjerë me vete, për të krijuar dinjitetin dhe rendin e ri të drejtësisë, dashurisë dhe në thelb të vlerës njerëzore, e cila fetarisht konceptohet si një bashkëqenie e trupit me shpirtin, një modus vivendi me Zotin.
Terrorizmi është një ide idiote, një praktikë e tmerrshme çnjerëzore që me siguri ka zgjuar jo vetëm frikën, por edhe reflektimin se si zhvillimi duhet pajtuar me traditat dhe se si materializmi duhet të respektojë spiritualizmin. Kjo do të ishte arritja më serioze dhe historike e progresit të shekullit XXI, i cili ka marrë shumë emërtime në ecurinë e tij: Politik, ekonomik, kulturor, teknologjik, etj, që sigurisht janë të lidhur bashkë dhe në shërbim të diskutueshëm të njeriut. Por këto nuk kanë lidhje me ndjeshmërinë, me psikosomatikën, me thelbin. Të zgjasësh dorën ndaj dikujt që është në nevojë, që edhe ai të mos përjashtohet nga të tjerët. Të respektosh atë që është ndryshe nga ty, të mos emërtosh në të njëjtën botë njerëz të botës së parë, të dytë, të tretë…të ndërtosh një gjendje të re politike e sociale ku në qendër të jetë njeriu e jo interesi. Më saktë në qendër të jetë Dashuria.
Humanizmi është fisnikëri për dashurinë dhe ndjenjat njerëzore, artikuluar në mënyrë të pamatur këto kohë, dhe që ka një potencial lehtësisht të manipulueshëm. Disa qarqe provojnë të imponojnë një kuptim të turbullt dhe abstrakt për popujt e hutuar dhe dyshimeve të lindura në zemrat e tyre. Por humanizmi (s’) ka marrë fund, për aq kohë sa nuk do ngatërrohen antivlerat me vlerat dhe anasjelltas.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: