Eshtë e gabuar ideja se humbja e flokëve është një problem vetëm i meshkujve. Madje 40% e personave të cilët kanë problem të përkohshëm apo afatgjatë me humbjen e flokëve janë gratë. Te disa persona ky problem shfaqet në të gjithë kokën, te disa të tjerë vetëm në pjesën qendrore të kokës. Për çdo grua është stresues momenti kur shikon krehrin e flokëve me një numër më të madh flokësh të rënë. Kjo gjendje zakonisht shfaqet pas pushimeve vjetore, gjatë ndryshimeve të stinëve apo gjatë shtatzënisë.

Rënia e flokëve ngjall frikë, për shkak se asnjë grua nuk mund ta imagjinojë veten pa flokë. Hulumtimet tregojnë se ky problem shfaqet te 1 nga 4 gra. Shumë shpesh floku është i pari që i vuan pasojat kur organizmi nuk funksionon siç duhet, kur duhet të përballet me sëmundje të caktuara, ose atëherë kur duhet të vërë në funksion rezervat për të cilat ka nevojë. Humbja e flokëve mund të jetë fiziologjike, por edhe patologjike, kur ajo shfaqet si shenjë e ndonjë sëmundjeje të caktuar. Gjatë përcaktimit të llojit të sëmundjes, e cila e shkakton apo mund të jetë e lidhur me rënien e flokëve, fillimisht udhëhiqemi nga pamja klinike apo me llojin e alopecisë që është e pranishme.

Kontrolli dhe trajtimi
Nëse vëreni se gjatë ditës ju bien më tepër se 100 fije floku, kjo do të thotë se është koha për të kryer kontroll te mjeku dermatolog. Nëse konstatohet se është rënia e flokut e tipit femër, përcaktohet shkalla e seriozitetit dhe jepet trajtimi apo terapia e duhur. Nëse vendoset diagnoza e vezoreve policistike me anë të ekos nga mjeku gjinekolog, dhe nëse bëhet statusi hormonal, si dhe kontrolli i gjendjes së hekurit dhe mineraleve dhe vitaminave të tjera, trajtimi kryhet fillimisht me preparate si minohidil, estrogjen lokal dhe shampo për stimulimin e rritjes së flokëve.

Mënyra natyrale
Mundësia e dytë është aplikimi PRP në lëkurën e kokës, nga plazma juaj e pastruar e pasur me trombocite. Plazma jonë e gjakut përmban faktorë aktivë të rritjes dhe bën të mundur stimulimin e rritjes së flokut. Kjo metodë është e përshtatshme si për meshkujt edhe për femrat të cilët duan të trajtohen në mënyrë natyrale dhe të kenë flokë të dendur pa ndërhyrje kirurgjikale. Aplikimi i PRP jo vetëm që përmirëson pamjen tuaj, por gjithashtu ju kthen vetëbesimin.

Metoda FUE
Mundësia e tretë është për rastet e avancuara të shkallës së tretë: përdoret metoda FUE për transplantimin e flokëve. Gjatë kryerjes së kësaj procedure, merren flokë në atë zonë ku keni më tepër dhe implimentohen fije për fije në zonën në të cilën nuk keni. Ky veprim kryhet me anë të anestezisë lokale, pa prerje operative dhe pa qepje. Flokët e implimentuar nuk mund të bien përsëri, pasi këta flokë nuk kanë receptorë reduktues alfa 5 të testosteronit, hormon i cili shkakton rënien e flokut. Rezultati përfundimtar i ndërhyrjes është rishpërndarja në mënyrë të barabartë e flokëve, si dhe pamja dhe volumi natyral, i cili bën të mundur që të mos dallohen flokët e rinj nga flokët e vjetër.
(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: