Jo vetëm Barcelona, Real Madrid, Chelsea dhe Arsenal; Elseid Hysaj është edhe në orbitën e merkatos të Bayern Munchen, për të trashëguar rolin e mbrojtësit të djathtë nga Philip Lahm. Më 11 nëntor, kapiteni i kampionëve të Gjermanisë do të festojë 34-vjetorin e lindjes, por këtë do ta bëjë larg fushave të lojës.

Menjëherë pas ndeshjes së Kupës së Gjermanisë kundër Volfsbur gut, Lahm njoftoi se në fund të sezonit do të tërhiqet nga futbolli. Ka mjaftuar kjo deklaratë që bavarezët të nisin punën për të gjetur pasardhësit e lojtarit polivalent, të rritur në akademinë e Bayernit, për të veshur fanellën e skuadrës me të cilën deri më tani ka luajtur 501 ndeshje, duke fituar 8 tituj kampionë të Bundesligës, 1 trofe të Champions dhe 1 Botëror për klube.

Elseid Hysaj është në listën e kandidatëve potencialë që do të zëvendësojnë Philip Lahm. Sipas francezes “footmercato”, me shqiptarin në garë janë edhe Serge Aurier i Paris Saint Germain, Hector Bellerin i Arsenalit apo edhe Daniel Carvajal i Realit të Madridit. Bayern Munchen shfaqi interes për mbrojtësin shqiptar prej verës së kaluar, me drejtuesit e klubit gjerman që vlerësuan mundësinë e transferimit të 22-vjeçarit nga Napoli.

Hysaj cilësohet një lojtar që pëlqehet së tepërmi nga trajneri Ancelotti, megjithatë për të siguruar shërbimet e futbollistit kuqezi, përveç konkurrencës së fortë, në “Allianz Arena” duhet të bëjnë gati edhe çekun me vlerë 50 milionë euro, shifër e përcaktuar nga Napoli për prishjen e kontratës së mbrojtësit.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: