NGA ERMELINDA HOXHAJ

TIRANE– Bashkë me jetën, nëna i dha edhe virusin HIV. Por ai sot, pas 18 vitesh bashkëjetese me këtë virus, nuk është aspak i inatosur as me nënën dhe as me jetën. Madje, sipas tij, ndofta virusi HIV e ka bërë këtë njeri që është sot. Gjatë një interviste për “Gazeta Shqiptare”, ai tregon momentin kur e ka marrë vesh për herë të parë se është i infektuar me HIV dhe betejën e tij të përditshme me sëmundjen, por edhe me stigmatizimin që ende e kanë njerëzit për shkak edhe të mungesës së informacionit. Më problem janë marrëdhëniet në çift, pasi kur partneret mësojnë se ka HIV, çdo gjë ndryshon.

“Mungesa e informacionit ka shumë të bëjë. Në vendin tonë njerëzit tremben pa ditur asgjë. Mjekësia ka avancuar aq shumë, sa një nënë HIV pozitiv lind fëmijë të shëndoshë. Një mashkull nëse trajtohet mund të lindë fëmijë të painfektuar. Këtu njerëzit ende kanë frikë të të japin dorën”, – tregon 18 vjeçari, i cili vijon vitin e parë të shkollës së lartë në Tiranë. I riu, me inicialet A.T., është një ndër 984 personat që jetojnë me HIV në Shqipëri. Ndërsa nga grup-mosha e të rinjve 16-24 vjeç, sipas të dhënave rezulton se janë infektuar 90 persona. Po ashtu, viti 2016 ka shënuar edhe numrin më të lartë të të diagnostikuarve me HIV, pasi janë 102 raste të reja të të infektuarve.

Si jeni infektuar? A keni komunikuar me familjen që jeni me HIV?
Qysh nga lindja, pra kam plot 18 vjet që jetoj me virusin HIV. Në rastin tim nuk ka qenë e nevojshme, pasi prindërit ishin informuar para meje që isha i infektuar me HIV. Zbulimi dhe njohja me këtë të vërtetë ndodhi kur isha vetëm 10 vjeç, në kureshtje e sipër për medikamentet që po më jepnin prindërit për të pirë. Një kureshtje e një fëmije, më shumë naive, që përfundoi në një shndërrim shpirtëror, emocional dhe në një ndjesi të çuditshme, që në momentin kur e mora vesh statusin tim e deri më sot ka ngelur si një pikënisje e re për jetën time, një rrugëtim i ri për t’u ndjekur. Mbaj mend atë ditë në mënyrë të qartë. Pothuajse qartë. Emocionet e mia dhe perceptimi im për çdo gjë ishte si një film, isha krejtësisht i tronditur.

Po marrëdhënia me prindërit, a i fajësoni ata për faktin që jeni i infektuar?
Kurrë nuk i kam fajësuar dhe nuk do ta bëj në asnjë moment. Ata situatën e kanë vuajtur më shumë se unë, pasi e kanë marrë vesh pasi kisha lindur që janë të infektuar me HIV. Familja, prindërit e mi, kanë qenë përherë mbështetës në çdo vështirësi që kam kaluar dhe burim informacioni për mua. Një familje me probleme dhe lidhje të forta emocionale dhe harmonie siç është jeta dhe përditshmëria.

E diskuton me të tjerë faktin që jeni HIV pozitiv?
Përveç njerëzve që e marrin vesh në rrugë dytësore, unë këtë anë të jetës sime e ndaj dhe e diskutoj vetëm me njerëz që kanë një lloj vlere të caktuar për mua.

Si reagojnë njerëzit kur e marrin vesh? Ndiheni i stigmatizuar?
Të them të drejtën kjo nuk dihet kurrë. Çdokush ka përjetimin e tij dhe vjen një moment që nuk ka më rëndësi kjo pjesë, por rëndësi për mua ka vetëm mosarritja ose shfaqja e mëshirimit nga ana e individëve të njohur dhe të panjohur në përditshmërinë time. Unë dhe askush tjetër nuk e meritojmë mëshirimin; ndoshta vetëm duhet të dëgjojnë dhe të kuptojnë sadopak nga ato që shprehim, flasim dhe ndajmë me të tjerët si përvojë.

Ke ndonjë mik tjetër të infektuar? Diskutoni me ta për problemet shëndetësore që mund t’ju shfaqen?
Siç e thashë edhe më sipër, për këtë problematikë nuk ke se për çfarë të flasësh, veçse për historikun ose për përjetimin e parë. Pastaj gjithçka është një normalitet, me disa veçanti për kujdesin ndaj vetes dhe shëndetit tënd. Është një marrëdhënie e pandarë me mjekun, por që nuk të kushtëzon jetën apo të përditshmen tënde. Ndodh, e merr vesh dhe pastaj jeton ‘normalisht’ me një problem që ‘fle gjumë’ brenda teje. Nuk jam në kontakt të vazhdueshëm, por njoh njerëz të tjerë të moshës sime që janë të infektuar.

Si i ri në moshë, a je i dashuruar apo ke partnere? Si është jeta juaj seksuale?
Sigurisht që kam. Nuk jam eskapist që të merrem me të kaluarën, por që për momentin kam fituar lirinë e të njohurit të vetvetes në radhë të parë e më pas të personit të jetës. Ndonëse problemi ‘fle’ tek unë, ashtu siç e vunë në gjumë brenda mendjes së tyre Edhe ish-të dashurat e mia, një shije e çuditshme ndihet midis dy personave, pra ti mund të bësh gjithçka si një njeri normal, por në mendjen e tyre ti ke diçka nga e cila, sipas mendjelehtësisë së tyre, nuk do shkëputesh kurrë. Dhe kur arrin ky moment, besoj nuk ka më vlerë marrëdhënia. Kur je HIV pozitiv ke absolutisht të drejtën të keni marrëdhënie seksuale. Dhe në qoftë se ke marrëdhënie seksuale me kondom, nuk ka asgjë për t’u shqetësuar, veçanërisht për shkak se unë jam në terapi, jam i padedektueshëm për HIV dhe marr mjekimin rregullisht. Ilaçet dhe përdorimi i kondomëve shmang pothuajse 100 për qind rrezikun e infektimit të partneres. Edhe në qoftë se unë jam tani këtu përballë jush dhe po bisedojmë bashkërisht e po pimë një çaj së bashku, do të jenë shumë të pakta mundësitë që ju të merrni HIV-in (qesh). Kjo nuk do ta ndryshojë jetën tuaj seksuale, përveçse të qenit të vetëdijshëm duke folur në lidhje me të dhe për të mbrojtur të tjerët dhe veten.

Çfarë do bëje ndryshe në jetën tënde nëse do mund ta ktheje kohën pas?
Absolutisht asgjë! Çdo gjë ka ndodhur që unë të mësoj se kush jam dhe se kush më rrethon, me këtë që kam apo pa këtë që kam. Kjo trauma e madhe emocionale dhe psikologjike e kaluar më dha mundësinë për të zgjidhur jetën time dhe të kuptoj se kush isha, jam dhe po kërkoj që të jem. Unë nuk e dhashë këtë intervistë me qëllimin për të ndihmuar veten, por për ata që do e lexojnë dhe do u mbetet diçka në mend, një mësim në jetë. Unë jam i vetëdijshëm se ku dua të shkoj, në mënyrë të fokusuar, në mënyrë të motivuar, pasi kam ndryshuar qëllimin e jetës sime. Kjo ishte një pikë kthese pozitive për mua, në mënyrë pozitive… e ndoshta HIV-i më bëri këtë njeri që jam sot.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: