Nga XHEVAT MUSTAFA

Ashtu siç parashikohej dhe pritej nga qëndrimet dhe mesazhet paraprirëse të BE-së më 8 dhe 9 nëntor 2016; të ministrit të Jashtëm të Greqisë, Nikos Kotzias, më 14 nëntor; të përfaqësuesit të grupit parlamentar më të madh të Bundestagut gjerman CDU, Gunther Krichbaum më 24 nëntor, të Presidentit të Gjermanisë, Hoakim Gauk, më 27 nëntor, kryeministri Edi Rama nuk mori atë që dëshironte nga kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, gjatë takimit të tyre më 28 nëntor. Mërzinë, dëshpërimin apo zhgënjimin e kryeministrit tonë nuk e fshihnin dot as buzëqeshjet e tij të sforcuara apo thuajse të ngrira.

As vlerësimet pozitive, më shumë për kortezi dhe diplomaci, të bëra nga kancelarja Merkel për ecurinë e Shqipërisë gjatë viteve të fundit dhe premtimet e saj për mbështetje të mëtejshme. As besimi apo bindja e tij se takimi i tyre ishte i suksesshëm dhe se në fund të dhjetorit do të hapet drita jeshile për çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE… Pakënaqësinë e Ramës e shprehu edhe “kërcënimi” i BE-së prej tij në “Frankfurter Allgemeine Zeitung” se “Rusia dhe militantët islamikë mund të përpiqen të rrisin ndikimin e tyre në vendet e Ballkanit nëse Bashkimi Evropian nuk do t’i pranojë si anëtarë”(thua se nuk e dinë Merkeli dhe Shërbimi Sekret Gjerman).

Gjithashtu, ashtu siç paramendohej dhe sipas një praktike alla-shqiptare rreth 25-vjeçare, në pamundësi që t’u vërsulej Komisionit Evropian dhe kancelares Angela Merkel, për vonesën apo shtyrjen e dhuratës, kryeministri Rama, akuzoi PD-në dhe opozitën në tërësi, si bllokuese të procesit të hapjes së negociatave. Është e kuptueshme se opozita, duke menduar ngushtësisht për interesat e saj, ka dëshirë dhe interes që BEja të mos ia bëjë këtë dhuratë qeverisjes së majtë para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Sipas llogarive të saj, nëse kjo do të ndodhë më herët, do të përdorej nga Edi Rama me shokë dhe shoqe gjatë fushatës parazgjedhore si fitore e tyre partiake, koalicioniste, ekipore dhe qeverisëse. Me gojën e ish-liderit të PD-së Sali Berisha dhe të liderit aktual Lulzim Basha, opozita ka qenë kritikueshëm e sinqertë kur ka deklaruar se hapja e negociatave do të realizohet kur të rikthehet ajo në pushtet! Por, opozitës, në gjendjen që është, i bën dëm të jetë kaq shumë euforike dhe cinike.

Kërkesa e saj më 8 nëntor në Bruksel për të mos caktuar datë të afërt për çeljen e negociatave të pranimit të Shqipërisë në BE si dhe dëshira e saj që kjo do të ndodhë pas rikthimit të saj në pushtet, mund të sjellin të keqen e madhe që Komisioni dhe Këshilli Evropian të shtyhen të mendojnë dhe të vendosin që datën e hapjes së bisedimeve me Shqipërinë ta shtyjnë, ashtu siç dëshirojnë edhe ca politikanë shqiptarë, për në … kalendat greke. Por, kur të vijë kjo ditë e shumëdëshiruar nga rreth 90% e qytetarëve tanë, ka edhe gjasa që, kur të votohet për Shqipërinë, në KE të tundë veton lart dhe gjatë delegacioni i Serbisë… Ajo që ndodhi në Bruksel më 8 dhe 9 nëntor 2016, kur disa politikanë shqiptarë i kursyen Greqisë konsumimin me veto, konfirmoi më shumë thënien e Faik Konicës në parajsë se “shqiptarët janë armiqtë më të mëdhenj të vetvetes” sesa sinqeritetin e Aldo Bumçit në tokë. Më shumë se koalicionin aktual qeverisës apo Edi Ramën individualisht, kjo kërkesë dëmtoi popullin shqiptar dhe vendin.

Natyrisht, nuk i dha pikë në favor as PDsë dhe Lulzim Bashës individualisht. As Sali Berishës, që le të kuptohet pa vështirësi se nga prapaskena, vazhdon të jetë i plotfuqishëm dhe vendimmarrës, duke hedhur gurin dhe fshehur dorën dhe duke përforcuar bindjen e plot kundërshtarëve të tij se edhe tani “të gjitha fajet i ka Saliu”. Qofsha i gabuar, por të fituarit më të mëdhenj e më të befasuar nga kjo dhuratë prej vetë shqiptarëve janë në Beograd, Athinë, Moskë… Kapur fort te ky qëndrim i opozitës, kryeministri Edi Rama, deklaroi më 29 nëntor se PD-ja po luan si macja me miun me procesin e integrimit dhe se “kjo është pjesë e lojës së vjetër të asaj partie për të çoroditur publikun shqiptar me gënjeshtra dhe manipulime të pafundme të së vërtetës dhe fakteve”. Por, kjo akuzë, edhe pse jo krejt e pabazë, lë hapur edhe mundësinë që t’i kujtojnë një fakt që nuk është shumë i ndenjur dhe se në qëndrimin e PD-së nuk ka asgjë të papritur e për t’u çuditur.

Me kujtesën e fortë që ka, kryeministri nuk duhet ta ketë harruar se për më shumë se për rreth 4 vite rresht, më 2009-2013, ishin socialistët ata që bënë të njëjtën lojë të pistë, duke refuzuar të votonin tri ligjet e kërkuara nga BE-ja, si kusht për hapjen e negociatave dhe për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE. Kështu, kujtdo i lind e drejta të mendojë dhe shprehet se si pozita, ashtu edhe opozita, edhe dje kur ishin në role dhe emërtime të ndryshme, kanë luajtur dhe vazhdojnë të luajnë me procesin e integrimit të vendit në BE jo vetëm me njëra-tjetrën në Tiranë dhe Bruksel, por pandershmërisht dhe papërgjeshmërisht me interesat e shumicës së qytetarëve të sotëm dhe të nesërm. Nuk mund të fshihet me të gjithë degët dhe fletët e kanabisit mbjellë e korrur në të gjithë Shqipërinë lakuriqësia e faktit se integrimi i Shqipërisë në BE është vështruar dhe përdorur nga dy krahët e politikës shqiptare si kartë për përfitime ngushtësisht apo ligësisht partiake, koalicioniste, klanore, politike e financiare, kryesisht për bosët apo pronarët e partive kryesore qeverisëse dhe opozitare.

Sipas këndvështrimeve, planeve dhe llogarive të tyre, më shumë se integrimi sa më i shpejtë i vendit në BE, pra edhe se interesat e qytetarëve, vlejnë interesat dhe meritat individuale, partiake, aleanciste, se cila parti dhe qeverisje, cili koalicion do të arrijë të realizojë çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE brenda dhjetorit 2016 apo brenda mandatit të vet qeverisës. Edi Rama shpreh me fjalë se është i djegur dhe përvëluar për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Por, dëshira dhe prirja për ta besuar kundërshtohen nga faktet apo veprat. Në qoftë se nga Edi Rama dhe ekipet e tij politikë dhe qeverisës do të kishte synim dhe dëshirë të sinqertë dhe do të bëheshin përpjekje e hapa seriozë për ta përshpejtuar integrimin e vendit, nuk do të ishin humbur apo djegur rreth 3 vjet, duke mos i përmbushur kushtet apo kriteret e vëna nga BE-ja. Nga çdo këndvështrim është e qartë se nuk janë kushte apo kërkesa të parealizueshme. Brukseli nuk kërkon që Shqipëria të bëhet brenda një mandati 4-vjeçar qeverisës Zvicër, Suedi, Norvegji e Danimarkë, Gjermani apo Francë.

BE-ja dhe qytetarët e Shqipërisë kërkojnë dhe presin nga klasa politike dhe qeverisëse që, sipas standardeve më të përparuara të Evropës Perëndimore, të bëjnë reforma të dukshme, të efektshme e të përjetueshme në administratën publike; në sistemin e drejtësisë; në luftën kundër korrupsionit, trafiqeve ilegale dhe kriminale; në fushën e të drejtave të njeriut, të masave kundër diskriminimit dhe të realizimit të së drejtës së pronës; për dekriminalizimin e Parlamentit dhe institucioneve të qeverisjes qendrore e vendore, për zhvillimin e proceseve zgjedhore demokratike e të ndershme… Kuptohet se, këto kërkesa të BE-së, shprehur nëpërmjet Brukselit apo Berlinit, nuk janë as të shumta, as të ekzagjeruara dhe as të vështira për t’u realizuar. Nga çdo anë që t’i vështrosh dhe analizosh, ato janë tejet jetike për të sotmen dhe të ardhmen e qytetarëve dhe të vendit. Kuptohet se, përveç disa qarqeve gjenetikisht dhe patologjikisht antishqiptare në Beograd, Athinë dhe gjetiu, ato nuk janë të dëshirueshme dhe të leverdishme edhe për një pjesë të klasës aktuale politike dhe qeverisëse.

Arsyeja është lehtësisht e kuptueshme. Ky kontingjent nuk do t’i ketë më, si deri sot, liritë, hapësirat, privilegjet, përfitimet marramendëse dhe këtë nivel kaq të lartë pandëshkueshmërie, edhe për veprime apo firma e vula, që qelben nga era korrupsion, shpërdorim funksioni apo pushteti, familjariteti, klientelizmi apo ortakllëku. Për ecuri më të përshpejtuar dhe më të suksesshme të integrimit të vendit tonë në BE nuk mjafton vetëm dëshira masive dhe e sinqertë e qytetarëve dhe publikisht edhe e klasës politike shqiptare. Për këtë qëllim kërkohet një strategji dhe diplomaci shumë e rafinuar, vizionare, kërkohet kompromis dhe konsensus mes pozitës dhe opozitës në Tiranë, Bruksel, Berlin e kudo tjetër në botë. Në qoftë se Edi Rama do të mendonte më thellë dhe më larg, do të kuptonte se shembjen e ca ndërtimeve të paligjshme në Himarë apo hapjen e një polemike të re me Greqinë mund ta shtynte dhe ta linte për në janar 2017. Vërtet fitoi ca pikë si patriot dhe si kryeministër, por mund të thuhet se këto shkuan më shumë në llogarinë e tij personale, politike, mediatike, elektorale…

Kur ka shtyrë për më shumë se 3 vjet punë shumë më të rëndësishme dhe me dobi jetike për masa të mëdha qytetarësh, nuk do të ishte shkelje e rëndë dhe e dënueshme shtyrja me 3-4 muaj e shembjes së atyre pak ndërtimeve të paligjshme në Himarë… Po kështu, dëshira për t’i marrë si të sinqerta deklarimet e kryeministrit Rama për përkushtimin e tij personal dhe ekipor për kryerjen e të gjitha reformave të nevojshme për krijimin në Shqipëri të një shteti ligjor të standardeve më të përparuara, mjegullohet dhe minimizohet kur vështron fytyrat dhe emrat e plot njerëzve që e rrethojnë në grupin e tij parlamentar, në qeveri, ministri, drejtori të përgjithshme, prefektura, bashki… Si mund të besohet dhe pranohet se do të kemi shtet ligjor demokratik sipas standardeve më të përparuara dhe luftë të ndershme e të suksesshme kundër korrupsionit dhe kriminalitetit, kur edhe tani pas afro 3 vjetësh e gjysmë, vazhdojnë të jenë në krah apo menjëherë pas kryeministrit Rama, njerëz me 3-4 emra, me dosje voluminoze krimesh nëpër arkivat e policisë, prokurorisë dhe gjykatave të vendit e të botës, me dëftesa gjimnazi, diploma universitetesh dhe certifikata specializimesh të blera?

Apo njerëz, pa karrierë fare ose me përvojë fillestare, kryesisht nëpër OJQ-të e SOROS-it, në drejtimin e institucioneve të larta e të mesme shtetërore. Gjithashtu, sinqeritetin e premtimeve të kryeministrit e vënë në dyshim edhe rastet e bollshme, kur fitues tenderash, koncesionesh dhe dhjetëra milionë eurosh, përgjithësisht dhe “rastësisht” janë biznesmenë me lidhje të shumëllojshme me të, me ministra dhe ministresha, me deputetë dhe politikanë të radhës së parë në ceremoni partiake apo zyrtare. Po kështu, në qoftë se kryeministri do të mendonte dhe dëshironte shtet me të vërtetë ligjor dhe një reformë në drejtësi të standardeve më demokratike e më korrektësisht funksionale, Fatmir Xhafaj dhe ekspertë rreth tij nuk do të mendonin e jo më të guxonin që ta mbingarkonin shefin me kompetenca, fuqi apo pushtete, që frikshëm të kujtojnë modelin “Putin”, “Erdogan”, “Çavez” e “Maduro”…

Nga gjithë sa parashtruam dhe duke u rikthyer te titulli, mund edhe të mendohet se Edi Rama nuk e kapërceu më 28 nëntor 2016 “Murin” e Berlinit, jo sepse nuk i hapi asnjë derë apo dritare Angela Merkel, por më shumë, sepse ai vetë ka mbi 3 vjet që është me gjysmë mendje dhe zemre, që investon më shumë për fjalë e reklama sesa për vepra konkrete dhe hapa të vendosur e të mëdhenj. Duke e mbyllur, përderisa për afro 40 muaj qeveria “Rama” nuk ka arritur të realizojë përmirësimin e ndjeshëm të gjendjes në Shqipëri dhe ta largojë atë nga vendet e fundit në Evropë për treguesit kryesorë të zhvillimit ekonomiko- social dhe të mirëqenies, nuk do të ishte në të mirë as të vetë kryeministrit Rama dhe as të vendit, që ai të humbte shumë kohë dhe energji, për rolin “e njërit nga faktorët kyç të normalizimit në Ballkanin Perëndimor” si dhe për…ekspozita në vend dhe nëpër botë.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: