SHBA – Pas debatit të dytë presidencial, Donald Trump mbajti një konferencë për shtyp me disa femra që akuzonin Bill Clinton për përdhunim dhe ngacmime seksuale. Ngjarja e papritur u transmetua live në “Facebook” dhe ndodhi vetëm disa orë pas debatit të dytë kokë më kokë të republikanit Trump dhe demokrates Hillary. Trump shihet me 4 gra, 2 nga të cilat akuzojnë ish-presidentin Bill Clinton për kryerjen e dhunës seksuale ndaj tyre, ndërsa një tjetër akuzon zonjën Clinton se e ka kërcënuar atë. Të katërta treguan mbështetjen e kandidaturës së Trump dhe kritikuan Clinton-ët. Paula Jones, një ish-punonjëse e shtetit Arkansas, tha se ishte ngacmuar seksualisht nga Clinton në vitin 1999.

“Jam këtu për të mbështetur Trump, sepse ai do ta bëjë sërish Amerikën të madhe, dhe mendoj se kushdo që voton atë, e bën sepse është njeri i mirë, jo ashtu siç thonë ata”, – u shpreh ajo. Kathy Shelton, që pretendon se është përdhunuar kur ishte 12 vjeçe dhe sulmuesi i saj është mbrojtur në gjykatë nga Hillary Clinton kur ajo punonte si avokate, thotë: “Gjithashtu mbështes Trump.

Në moshën 12-vjeçare, ajo më vendosi në një situatë të vështirë dhe këtej thotë që mbron femrat e fëmijët”. Juanita Broadrcik, që akuzon Bill Clinton për përdhunim thotë: “Bill Clinton më përdhunoi, ndërsa bashkëshortja e tij që sot është kandidate për presidente më kërcënoi”. Ndërkaq, të dielën është zhvilluar edhe debati i dy kandidatëve për garën presidenciale. Sipas votuesve, Hillary Clinton fitoi debatin e dytë presidencial. Këto janë të dhënat e sondazhit të parë të opinionit publik.

Sipas sondazhit të “CNN”, 57 për qind e njerëzve mendojnë se fituese e këtij debati të dytë televiziv është Clinton, krahasuar me 34 për qind të votuesve që besojnë se Donald Trump kishte performancë më të mirë. Një tjetër sondazh i realizuar nga “YouGov” doli në përfundimin se 47 për qind favorizonin Clinton, ndërsa 42 për qind Trump. Mes atyre që më parë kishin qenë të pavendosur u dallua vota pro Clinton. Debati i nxehtë erdhi pas një fundjave dramatike dhe disi të hidhur të fushatës elektorale në SHBA, kjo pas publikimit të një videoje të kandidatit republikan, i cili bënte komente denigruese ndaj femrave.
(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: