Nga SHABAN MURATI

Përfshirja e aktorëve joshtetërorë në planimetrinë e zgjeruar të diplomacisë së përmirësimit të marrëdhënieve midis shteteve është një fenomen i ri, i cili me të drejtë po merr një rëndësi të veçantë në rrymën e integrimit europian të vendeve ballkanike. Por ky fenomen, së pari po shfaq brenda sëmundjen foshnjore ballkanike të mungesës së identitetit joshtetëror, dhe së dyti po merr që në fillim ndikimin dhe instrumentalizimin nga aktorët shtetërorë. Tipik është në këtë drejtim implikimi i së ashtuquajturës shoqëri civile në çështjen e marrëdhënieve të komplikuara midis Shqipërisë dhe Serbisë. Si modë botëkuptimore në Serbi kanë gjetur kostumin e kozmopolitit, ndërsa në Shqipëri për shkallën mjerane quhen levantinë, sipas përkufizimit të Faik Konicës.

Kur në një rreth diplomatik kam dëgjuar se Veran Matiç, një publicist i njohur serb, aktivist i vjetër i shoqërisë civile dhe me lidhje të shumta në qarqet shtetërore serbe, ka marrë rolin e një eminence gri në marrëdhëniet dypalëshe, kam besuar se është gjë e mirë, që kryeministrat apo qeveritë e të dy shteteve po mendojnë se funksione të tilla a profile të vjetra të diplomacisë së fshehtë, janë ende të dobishme. Por ky besim lëkundet, kur sheh që shumë satelitë jugonostalgjikë sillen në orbitën e kabineteve aktuale qeveritare në Tiranë dhe në Prishtinë, ndoshta jo rastësisht. Ky besim lëkundet, kur analizon idetë, me të cilat eminencat gri angazhohen për ndërtimin e marrëdhënieve të reja midis Shqipërisë dhe Serbisë. Domethënëse është platforma e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Shqipërisë, që parashtron në mënyrë të detajuar Veran Matiç në një rrëfim të destinuar për audiencën shqiptare dhe të botuar në datën 9 janar 2017 nga portali “B92”, i korporatës mediatike me të njëjtin emër, ku ai është kryeredaktor dhe president i bordit të drejtorëve.

Platforma vjen me pretendimin e një interpretimi dhe një optike të shoqërisë civile serbe, që kërkon të ngrihet përtej stereotipave dhe formave të ngurosura mentale ballkanike, duke hedhur vështrimin drejt ndërtimit të një perspektive më optimiste për marrëdhëniet dypalëshe. Ajo që bie në sy menjëherë në këtë platformë të një përfaqësuesi të spikatur të shoqërisë civile serbe dhe gazetari me reputacion profesional, është identiteti i qëndrimeve, i tezave dhe i interpretimeve, me ato të mendimit qeveritar, diplomatik dhe shtetëror të Serbisë. Kaq i madh është identiteti i pikëpamjeve dhe qëndrimeve, saqë ngatërrohen rolet dhe në këtë platformë kërkohet përfundimi i një marrëveshjeje ushtarake midis dy shteteve dhe nënshkrimi i një Memorandumi dypalësh të Bashkëpunimit Ushtarako-Teknik. Për atë që ka një minimum informacioni nga ecuria e marrëdhënieve Shqipëri-Serbi, e di se ky është një propozim i vjetër i qeverisë serbe, i paraqitur disa herë qeverive shqiptare dhe me të drejtë është konsideruar i pavend. Pyetja normale që mund të bëhet është se, çfarë kërkon një përfaqësues i shoqërisë civile të nxjerrë nga sirtari shtetëror çështjen e një bashkëpunimi ushtarak midis dy shteteve.

“Ne kemi nevojë për Memorandumin e Bashkëpunimit Ushtarako-Teknik, dhe kjo marrëveshje me siguri do të influencojë pozitivisht për paqtimin e tensioneve të mundshme. Kjo mund të ketë një impakt pozitiv në sigurinë e qytetarëve në Kosovë”, shprehet Matiç. Të kërkosh një marrëveshje ushtarake midis Shqipërisë dhe Serbisë duket jo vetëm e dyshimtë, por edhe e tepruar. Aq më tepër që pretendohet se do të ndihmojë sigurinë në Kosovë, pra në një shtet tjetër. Një propozim i vjetër shtetëror serb rishfaqet si mendim dhe sugjerim nga shoqëria civile serbe. Nuk po shtyhemi për të bërë lidhje me një propozim më të vjetër ushtarak të qeverisë serbe për krijimin e një kontrolli të përbashkët ushtarak serbo-shqiptar në territorin e Kosovës etj., etj.

Në diplomaci dhe në marrëdhëniet midis shteteve gjërat kanë rendin e vet dhe nuk mund të flitet për bashkëpunim ushtarak në një kohë që as edhe një marrëveshje e thjeshtë civile dypalëshe, siç është ajo e njohjes së diplomave, e propozuar nga Tirana që në vitin 2002 dhe e premtuar zyrtarisht për t’u nënshkruar nga kryeministri serb Vuçiç gjatë vizitës së Edi Ramës në Beograd në 2014, refuzohet të nënshkruhet nga qeveria serbe. Para portës së mbyllur të qeverisë serbe qëndrojnë në radhë një numër i madh marrëveshjesh dypalëshe civile, që nuk po nënshkruhen nga Beogradi. Për të mos folur për linjën e ashpër të qëllimshme të acarimit të marrëdhënieve dypalëshe, që po ndjek MPJ e Serbisë, e cila në 6 janar 2017 thërret të ngarkuarin me punë të ambasadës së Shqipërisë në Beograd, z. Xhelal Fejza, për t’i dorëzuar notë verbale kundër. protestës paqësore të zhvilluar në Tiranë para ambasadës franceze për lirimin e Ramush Haradinajt. Për të mos folur për alarmin fals, që shpërndau në katër anët e botës në 10 janar ministri i Jashtëm serb për gjoja sulmet terroriste, që do të bëjnë shqiptarët kundër ambasadave serbe. Ose mbledhja anormale e jashtëzakonshme e qeverisë serbe, e thirrur nga kryeministri Vuçiç pas lirimit me kusht të Haradinajt në Francë etj., etj. Teza tjetër e kësaj platforme të ardhur nga shoqëria civile serbe për marrëdhëniet dypalëshe, dhe e transplantuar nga dosjet e politikës shtetërore, është ajo e krijimit të një “Bashkimi Ballkanik”, të cilën kryeministri serb Vuçiç, e hodhi së pari gjatë vizitës së tij në Paris në shtator 2016. Vuçiç deklaroi në Paris se “BEja nuk është më i vetmi faktor koheziv që mund të bashkojë Ballkanin. Ne duhet ta bëjmë atë vetë tani”. Veran Matiç thotë në platformën e tij: “Ne duhet të ndërtojmë Bashkimin tonë Ballkanik me forcë dhe nga vetë ne”. Duke analizuar këtë tezë të re të kryeministrit serb për “Bashkimin Ballkanik”, në librin tim “Ballkani Faustian” kam shkruar: “Ftesat dinake për ‘fokusim të ballkanasve te vetvetja’ janë reminishenca të papranueshme të devizës së vjetër serbe ‘Ballkani për ballkanasit’, për ta mbajtur rajonin larg Bashkimit Europian dhe pranë Serbisë”. (Tiranë, 2016, fq. 511).

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për teza të tjera, ku ndër më të rëndësishmet e dosjes diplomatike serbe është ajo e këmbënguljes së njohur shtetërore dhe diplomatike serbe për ta trajtuar Shqipërinë të shkëputur nga Kosova dhe për t’i impostuar marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Serbisë në neglizhimin e Kosovës si shtet. Shohim një përsëritje të stereotipave të njohur shtetërorë serbë për t’i injektuar shtetit dhe diplomacisë shqiptare pikëpamjen diabolike se shqiptarët e Shqipërisë janë ndryshe nga shqiptarët e Kosovës. “Unë besoj, – thekson Matiç, – se disa shqiptarë nga Shqipëria janë më afër me serbët e Beogradit sesa me shqiptarët e Kosovës. Unë gjej më shumë gjëra të përbashkëta me disa shqiptarë nga Shqipëria sesa me disa shqiptarë të Kosovës”. Është interesant se, në gjithë atë platformë të detajuar të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Serbisë, autori nuk e gjen asnjëherë rastin të pranojë ekzistencën e shtetit të pavarur të Kosovës dhe as të shtrojë çështjen e njohjes së Kosovës. Ajo që mund të quhet e re në këtë platformë civile serbe për marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Serbisë, është që për herë të parë ndërtohet teza e çuditshme e referencës së përbashkët mesjetare dypalëshe dhe se Shqipëria dhe Serbia duhet të kthehen te marrëdhëniet e mira që paskan pasur në kohën e Mesjetës. “Çelësi i rivendosjes së marrëdhënieve të mira është të kthehemi drejt kësaj trashëgimie të pasur për të promovuar këngët kombëtare të Mesjetës”, këshillon Matiç. Autori nuk e shtjellon, nëse e ka fjalën që këto marrëdhënie të mira janë të kohës së mbretërisë së Stefan Dushanit, kur Shqipëria dhe një pjesë e Ballkanit ishin të pushtuar nga Serbia. Nëse pushtimi serb i Shqipërisë mund të konsiderohet model i marrëdhënieve të mira midis pushtuesit dhe të pushtuarve, kjo referencë historike duket si ftesë e krijimit të të njëjtave raporte.

Platforma e paraqitur nga një përfaqësues në zë i shoqërisë civile serbe për marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Serbisë paraqet interes, sepse jep vizionin real dhe rolin real të kësaj shoqërie civile serbe. Ajo duhet parë me shumë kujdes, sepse shfaqet si një nismë e shoqërisë civile serbe për të rezonuar me shoqërinë civile në Shqipëri dhe në Kosovë, dhe të gjithë civilianët për të bashkëpunuar për një përmbajtje të re të marrëdhënieve të Serbisë me Shqipërinë dhe me kombin shqiptar. Ajo ka rëndësi të ndiqet me vëmendje, sepse e ashtuquajtura shoqëri civile shqiptare ka treguar se i han shumë lehtë karremat e diplomacisë dhe të shtetit serb, që vijnë të mbështjella me kapakun e bashkëpunimit të mendimit të hapur të shoqërisë civile në të dy shtetet. Dhe që e ashtuquajtura shoqëri civile shqiptare i bie shpejt grepit serb, e tregojnë dy teza të rrezikshme proserbe, që po hedhin në qarkullim gjoja akademik dhe civil disa qendra apo institucione shqiptare në të dy anët e kufirit shqiptaro- shqiptar. E para është teza mjerane dhe proserbe që Shqipëria dhe Serbia nuk kanë bërë asnjëherë luftë me njëra-tjetrën. “Nuk ka pasur konflikte direkte ushtarake ndonjëherë në historinë e marrëdhënieve me Shqipërinë”, shprehet Matiç në platformën e tij. Në pranverën e vitit 2016, idiotët e dobishëm të Serbisë në Tiranë nga shoqëria civile kanë deklaruar në forume të sponsorizuara nga Serbia, se midis Shqipërisë dhe Serbisë nuk ka pasur asnjëherë luftë. Nuk është në nderin e historianëve shqiptarë, që nuk thanë gjysmë fjale. Vetëm mendjeshiturit mund ta zhbëjnë kaq lehtë historinë e përgjakshme, të gjatë 1300-vjeçare, të luftërave midis Serbisë dhe Shqipërisë; madje, edhe pas krijimit të shtetit të ri të Shqipërisë londineze, Serbia ka pushtuar me luftë dhe i ka mbajtur të pushtuara për disa vite territoret e kësaj Shqipërie. Levantinët në Tiranë harrojnë se koncepti “Shqipëri” është koncepti historik dhe gjeografik i Naim Frashërit dhe i Rilindjes Kombëtare, dhe jo ai i Konferencës së Londrës të vitit 1913.

Për të shfajësuar Serbinë, levantinët pa atdhe të Tiranës, janë gati që luftërat, masakrat dhe spastrimin etnik të popullit shqiptar në Kosovë deri në vitet 1998-1999 t’i trajtojnë sikur i përkasin Timorit Lindor. Teza tjetër e rakorduar midis kozmopolitëve serbë dhe levantinëve shqiptarë është ajo e të ashtuquajturit komb kosovar, të ndryshëm nga ai shqiptar. “Kosova është kombi më i ri në Europë”; kështu e përkufizon Matiç në platformën e tij. Nuk thotë “shteti”, por del me tezën e huazuar, që e promovojnë disa qendra apo individë në Kosovë dhe në Shqipëri mbi të ashtuquajturin komb kosovar. Platforma, duke e sugjeruar tezën e mësipërme për marrëdhëniet dypalëshe, edhe zhbën shtetin e pavarur të Kosovës, edhe çan Shqipërinë me Kosovën. Pesha dhe ndikimi, që po marrin grupet levantine proserbe në të dy kryeqytetet shqiptare, dhe të cilët me një lehtësi të habitshme u janë ngjitur strukturave shtetërore shqiptare, nuk mund të mos shkaktojë një shqetësim të madh për rrezikun që ide dhe teza, si këto të platformës civilo-shtetërore serbe, të gjejnë vend në formulimet dhe në vendimmarrjet qeveritare e diplomatike shqiptare. Burime të afërta me kabinetin e Kryeministrit të Shqipërisë pohojnë se Veran Matiç ka zhvilluar disa herë takime të panjoftuara në Tiranë me përfaqësues të atij kabineti. Nëse idetë dhe tezat e platformës së mësipërme do t’i serviren publikut shqiptar në ndonjë platformë me logon “Republika e Shqipërisë” si çelësi i rregullimit të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Serbisë, kjo do të sanksiononte legalizimin e asimetrisë historike të marrëdhënieve dypalëshe.

Asimetri, që është karakteristika dhe trashëgimia negative historike e marrëdhënieve të deritanishme midis Shqipërisë dhe Serbisë. Ruajtja e kësaj hierarkie përulëse shfaqet si objektiv i programeve të strukturave shtetërore dhe diplomatike serbe, dhe si koncept i platformave të shoqërisë civile serbe. Shteti dhe diplomacia shqiptare nuk duhet të harrojnë për asnjë moment se “Procesi i Berlinit” apo integrimi europian nuk janë imunitet automatik ndaj rreziqeve kombëtare. Natyrisht, e kuptojmë dhe e mirëkuptojmë që kozmopolitët serbë punojnë për Serbinë dhe e paraqesin kozmopolitizmin e tyre proserb si rruga moderne e ecjes së marrëdhënieve dypalëshe. Ata janë në linjën e interesave kombëtare serbe. Kjo sugjeron si profilaksi që diplomacia dhe qeveria shqiptare të pajisen me filtra të domosdoshëm për tymin këshillimor, që vjen nga tubacionet e së ashtuquajturës shoqëri civile shqiptare, nëpërmjet sponsorizimeve të paverifikuara dhe që përligjen në zyrat e Tatimeve si ndihmë për marrëdhënie të reja midis dy shteteve. Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Serbisë nuk rregullohen kështu dhe çdo i dërguar i posaçëm serb apo jugosllav me këto ide, nuk mund të jetë eminencë gri i dobishëm për marrëdhëniet dypalëshe. E parë nga këndi i interesave shtetërore dhe kombëtare, nuk mund të mos lindë pyetja se sa është e ndërgjegjshme për këto situata qeveria dhe diplomacia shqiptare dhe a e kanë të qartë se për kë punon e ashtuquajtura shoqëri civile shqiptare, që i bën jehonën asaj serbe?

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb