NGA FATMIRA NIKOLLI

Kryepeshkopi Anastas i Kishës Autoqefale Shqiptare, në inaugurimin e Kishës së Shën Gjon Vladimirit me 25 shtator në Tivar, Mali i Zi, e ka mbajtur në gjuhën shqipe lutjen liturgjike. Vetë Kisha Ortodhokse Autoqefale e Shqipërisë ka postuar video nga çastet e kësaj meshe, ku shihet e dëgjohet Hirësia e tij, të meshojë në gjuhën shqipe, madje në sqarimin për videot specifikohet: “Momente nga lutjet që tha në shqip Kryepiskopi Anastas gjatë liturgjisë në kishën e sapopëruruar të Shën Joan Vladimirit në qytetin Tivar të Malit të Zi.

Në shërbesë mori pjesë dhe psali dhe Kori Bizantin ‘Shën Joan Kukuzeli’ i Kishës sonë”. Prej kohësh, ka pasur debate për meshat që mban Kryepeshkopi Anastas. Historiani Moikom Zeqo, në një artikull të këtij viti vë në dukje se “mbas epokës së perandorit Justinian të Bizantit të shekullit VI kur Kisha e Konstandinopojës kërkoi të vendoste hegjemoninë e saj në Itali, mbas 7 shekujsh, pra në shekullin XIII, me kultin e eshtrave të shën Gjon Vladimirit tentohej të bëhej një supremaci e Kishës Lindore ndaj Kishës Perëndimore”.

Sipas Zeqos, në shekullin XIV princi shqiptar Karl Topia, që e mbiquante veten si “Rex Albaniae” (Mbret i Shqipërisë”) i shpërnguli eshtrat e shën Gjon Vladimirit në një manastir të rindërtuar dhe të bërë katër herë më të mëdha gjatë viteve 1381-1383. Pra viti 1383 është celebruar Manastiri dhe Kisha e shën Gjon Vladimirit me reliket e shenjta dhe sot fshati quhet me emrin e shenjtit. Milan Shufflay ka shkruar se “Eshtrat e shenjtit, trupi dhe koka e hijeshuar me stolisje argjendi, ruhen në kishë në një mauzoleu në mur, mbi të cilin përjashta është paraqitur me skena afresku jeta dhe martirizimi i shenjtit”. Legjenda hyjnore mbi Vladimirin, princ serb, si dhe mbi të shoqen e tij Kosarën, bijën e perandorit bullgar, e ka shkruar rreth vitit 1200 prifti Duklian në Tivar.

VITI 2016 DHE KUSH ËSHTË GJON VLADIMIRI?
Profesor Zeqo vinte në dukje se viti 2016 është jubileu i një mijë viteve i martirizimit të Gjon Vladimirit, që iu pre koka nga perandori bullgar në 1016-ën. Ikona e jashtëzakonshme e Kostandin Shpatarakut në shekullin XVIII ka në miniaturë disa skena që lidhen me Gjon Vladimirin. Sipas Zeqos, pyetja përse kulti i tij para së gjithash nderohet nga shqiptarët shpjegohet nga Shufflay.

“Kulti i Gjon Vladimirit përbën një nga kultet më të mëdha të krishtera për gjithë Ballkanin, ky kult është i çuditshëm dhe i pastudiuar deri në fund, nuk ka ende një studim përfundimtar dhe shterues. Ky kult i cili ka lëvizur vetëm në qarkun etnik shqiptar, brendapërbrenda mjedisit shqiptar, megjithatë, është nderuar edhe nga sllavët e Jugut, edhe nga serbët, maqedonasit e kroatët. Ka debate shkencore dhe fetare për Gjon Vladimirin, ka dhe falsifikime dhe pasaktësi të nisura nga politika shoviniste dhe të qëllimshme kryesisht antishqiptare. Por, është fakt që kulti i Gjon Vladimirit ka qenë një nga legjendat më të mëdha dhe më të rëndësishme të Ballkanit, siç e ka quajtur Milan Shufflay. Gjon Vladimiri ka qenë princi i krahinës së Krajës pranë Ulqinit, një tokë me popullsi ilire-shqiptare e kahershme në shekullin XI”.

ESHTRAT
Në arkivin e Muzeut Historik Kombëtar ndodhet dhe një reliktuar i rëndësishëm prej argjendi i Gjon Vladimirit. Reliktuari me dimensione 20x15x3 cm ka dhe pjesë nga eshtrat e Gjon Vladimirit. Reliktuari ka në reliev figurën në këmbë të shenjtit me kokën të prerë në dorën e majtë, e njëjta ikonografi me reliktuarin e parë, për të cilin unë kam shkruar një studim më 2006-ën, pra 10 vite më parë.

Së fundi do të shtoj se “nacionalizimi” absolut i kultit të shenjtit si nga serbët, shqiptarët dhe grekët do të qe një ambiguitet pa asnjë kuptim. Vetë liturgjia e krishterë, ikonizimi dhe kulti i shenjtorëve ka më tepër një karakter ekumenik, dhe kjo përbën semantikën kryesore dhe të patjetërsueshme.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb