NGA: KLODIANA LALA*
Mëngjeset në Lukovë janë të paqta. Është pak të thuash se fshati është i bekuar. Natyra ka bërë mrekulli. Në muajt e verës Lukova popullohet më shumë se zakonisht. Turistët vendës dhe të huaj nuk i rezistojnë dot tundimit për të shijuar disa ditë pushimesh në këtë fshat. Det dhe rërë e pastër. Natyrë tërësisht e virgjër. Një copëz relaksi, ku gjithkush mund të çlodhet dhe të rigjejë forcat. Por, pyetja që shtrohet është: a ofron Lukova gjithçka u duhet turistëve? Ofron shumëçka, por duhet edhe më shumë. Sigurisht nga shteti.

BRENDA NË FSHAT
Në pamje të parë gjithçka duket si ëndërr. Por, Lukova që duhet të ishte një fshat i pasur dhe i begatë me milionat që vilen nga turizmi, në fakt është i varfër. Rrugët e fshatit janë të paasfaltuara e pa ndriçim. Shkolla në qendër të Lukovës, në bankat e të cilës këtë vit pritet të ulen rreth 60 nxënës ngjan e shkretë. Zhurmat e nxënësve, sigurisht do ta gjallëronin jo pak. Në këtë shkollë mësojnë jo vetëm fëmijët e Lukovës, por edhe ata të fshatit Piqeras. Katedralja madhështore pret të inaugurohet. Rrugët e kalldrëmta në thellësi të fshatit janë një pasuri më vete, por kanë domosdoshmëri mirëmbajtjen, pasi në të kundërtën mund të shkatërrohen tërësisht. Shumë banorë të zonës blejnë ushqime me listë. “11.900 lekë (të vjetra) bëjnë të gjitha”, – i thotë shitësja e njërit prej marketeve të shumtë që janë hapur së fundmi në Lukovë, një gruaje rreth të 50-ave. “Më vër edhe dy shkrepëse, lekët t’i sjell” – i thotë blerësja. Lista e borxhlinjve në fletoren e pronares së marketit është e gjatë. “Ç’të bëjnë moj vajzë, janë të varfër. Ja vetëm oriz, makarona ose vaj blejnë. Lekët i paguajnë kur të munden. Ja shihe listën”, – thotë shitësja. Ndërsa, shumë të rinj që nuk kanë gjetur punë në lokalet afër plazhit, gjatë sezonit enden të papunë. Të moshuarit kalojnë kohën së bashku, duke pirë kafetë në verandat e shtëpive të mbuluara nga lulet.

DREJT PLAZHIT…
Rruga gjarpërushe që të çon në plazhin “Shpella” është asfaltuar pesë vite më parë. Teksa udhëton, përpara syve të shfaqet një peizazh çlodhës dhe mahnitës. Mali dhe deti duket sikur prej vitesh janë bërë për njëri-tjetrin. Pemët e ullinjve u japin kodrinave edhe më shumë hijeshi. Tek-tuk ndonjë lopë ose kopetë e dhive mund të të presin rrugën, por kjo ndodh rrallë. Panorama që të shfaqet përpara syve pas çdo metri udhë që përshkon me makinë është e mrekullueshme. Pas pak kilometrash që përshkruhen në pak minuta, shfaqet plazhi “Shpella”. Që në momentin e parë kupton se për fat betoni nuk e ka “infektuar” këtë perlë të fshehur. Lokalet janë të gjitha prej druri. Nuk ka asnjë gjurmë betoni. Natyra është e virgjër, madje, madje e ashpër. Lukovitët janë njerëz të sjellshëm. Të presin me mirësjellje. Një kafe buzë detit shijon shumë. Pastaj petullat me mjaltë që të shërbehen nën çadrën e plazhit janë të shijshme dhe dëshmi e gjallë se në fshat gatuhet mirë. Përtej kësaj, në Lukovë përshfaqet frikshëm ana tjetër e medaljes. Pak metra nga deti blu dhe rëra e pastër, rëndojnë si një gurë disa lokale të shkatërruara. Mesa duket kanë falimentuar. Depozitat e ujit qëndrojnë “hijerënda”.

“Ujin e kemi sjellë vetë deri këtu. E mbajmë në depozita. Ashtu bëmë edhe me dritat. Nuk na i solli shteti. Blemë kabull dhe e shtrimë vetë”, – thotë pronarja e njërit prej lokaleve buzë detit. Ndërkaq, ajo shprehet se, “me shumë vështirësi i kemi vënë lokalet në punë. Ama shteti, taksat vjen dhe na i kërkon. Drita nuk solli, por faturat i sjell. Ne e përdorim energjinë vetëm për frigoriferë, pasi gatuajmë me gjeneratorë”, – sqaron ajo. Mbeturinat janë një tjetër problem i madh. “Në pjesën e plazhit që kemi vendosur çadrat, paguajmë taksat dhe e pastrojmë, por pjesa tjetër që është plazh publik mbetet e papastruar. Vijnë turistët vënë çadrat dhe pasdite vonë largohen duke lënë mbeturinat aty-këtu. Edhe mbeturinat e lokaleve i mbledhim tek një pikë që na është caktuar, por rrallë vjen makina t’i marrë. Kjo çështje duhet zgjidhur, pasi nuk mund të ftojmë turistët të na vizitojnë”, rrëfehet më tej gruaja, teksa komunikon me kamerierët duke dhënë herë pas here porosi. Tualetet janë sërish një “plagë e madhe” për turizmin. Fotot dëshmojnë qartë se disa kthina të vogla janë përshtatur si banja, por që nuk ofrojnë as kushtet me minimale për turistët. “Kaq mundëm të bëjmë”, thonë pronar. ët e lokaleve.

LUMRA, PLAZHI ME PAK TURISTË
Teksa merr tatëpjetën dhe nuk ke ecur shumë për tek “Shpella”, një tabelë të lajmëron për një tjetër gji ku mund të bësh plazh. Lumra është një tjetër mrekulli në Lukovë. Por, rruga e paasfaltuar nuk të jep mundësinë të shkosh deri atje. “Është një plazh i mrekullueshëm, por është vështirë të shkosh deri atje. Duhet një makinë e mirë”, – thonë turistët. “Nëse rruga bëhet, – thotë një banor i Lukovës – atëherë do ketë më shumë turistë. Deri atëherë Lumra do vizitohet pak, edhe pse është një tjetër gji, që pret turistët”.

SHQETËSIMET E BANORËVE
Lefter Çunami dhe bashkëshortja e tij, Vera nga fshati Shën Vasil janë të dy pensionistë. Prej të paktën 5 vitesh kur rruga nga Lukova për në plazhin “Shpella” u asfaltua, dy bashkëshortët “zbarkojnë” përditë buzë detit për të shitur fiq, dardhë dhe rrush. “Ngrihemi me natë të mbledhim të vjelat e udhëtojmë 20 minuta me makinë për t’i shitur këtu. Turistët herë blejnë e herë jo, po nuk kemi zgjidhje. Pensioni nuk na mjafton për të përballuar shpenzimet”, – thotë Lefteri. Burri është i ashpër me qeveritë, teksa shprehet se, “nuk ka zot ky vend. Na kanë harruar. Ja, të jesh në plazh dhe të mos kesh drita e ujë…”. Sa për politikanët, Lefteri tregon se deputeten e zonës as e kanë parë ndonjëherë të vijë e flasë me ta. “Qeveria duhet të bëjë më shumë për banorët. T’u vijë në ndihmë bizneseve. Të sjellë drita e ujë dhe të pastrojë ditë pas dite mbeturinat”, – thotë Lefteri, i cili mbështetet nga një tjetër burrë pensionist, që pjek misra buzë detit dhe ua shet turistëve. Spartaku, 26 vjeç, ka blerë disa kanoe, të cilat i jep me qira për turistët që duan të bëjnë një shëtitje në det. “Gjatë sezonit përpiqem të nxjerr ndonjë lekë këtu. Më vonë merrem me mbledhjen e ullinjve”, thotë djali, fytyra e të cilit është përzhitur nga dielli i fortë. “Bëj çmos që të siguroj jetesën. Këtu s’ka punë tjetër”, pohon i riu, i cili shpesh mbledh mbeturinat në atë pjesë të plazhit publik, pasi do të sigurojë një vend të pastër për kanoet e tij, se vetëm kështu ndonjë turist mund të ofrohet e të paguajë një 3 mijë lekësh të vjetër për gjysmë ore shëtitje në det.

TURIZMI NË LUKOVË
“Gjatë këtij viti ka pasur një shtim të numrit të turistëve që kanë vizituar Lukovën. Në fshat kanë ardhur jo vetëm turistë vendës, por shumë të huaj. Mbi 40 dhoma në hotel këtë vit janë prenotuar nga të huajt, si: italianë, gjermanë, francezë, madje edhe nga Arabia Saudite”, – thotë Odhise Papa, i cili prej 13 vitesh operon në biznesin e turizmit. Ai e sheh turizmin si mundësi të vetme për zhvillimin e zonës, ndaj edhe shprehet se në Lukovë është domosdoshmëri që bizneset të mbështeten nga qeveria, duke u çuar drita dhe ujë. Sipas Papës, në fshat duhet të ndërhyhet në përmirësimin e infrastrukturës për asfaltimin e rrugëve, ndriçimin, ndërtimin e trotuareve, me qëllim që turistët të bëjnë shëtitje mbrëmjeve. “Rrugët me kalldrëm gjithashtu duhen rregulluar”, thekson babai i dy fëmijëve.

ME SYTË E TURISTËVE
Peta dhe Caitlin janë nga Zelanda e Re. Kanë udhëtuar drejt Shqipërisë me miqtë e tyre kosovarë, që punojnë e jetojnë ne vendin e tyre. Janë vendosur në një hotel në hyrje të Sarandës dhe kanë shëtitur përgjatë bregut. Lukova nuk kishte sesi të mungonte në listën e tyre në mesin e vendeve që kishin përzgjedhur të vizitonin. “Natyra këtu është e mrekullueshme. Është hera e parë që vijmë në Shqipëri, por do të rikthehemi prapë”, thonë vajzat, teksa shijojnë gatimet e zonës. Turistet tregojnë se do të sjellin edhe miqtë e tyre për të vizituar Shqipërinë e kësisoj nuk reshtin që kërkuari informacion për vendin.

Alice, me profesion arkitekte nga Bolonja e Italisë, prej disa ditësh ndodhet në Lukovë me bashkëshortin dhe dy vajzat. “Vij për herë në vendin tuaj. Është vend shumë i bukur. Jugu i Shqipërisë më ngjan me Sicilinë. Në Lukovë erdha pas shumë kërkimesh që bëra në internet për rivierën Shqiptare. Zgjodha Lukovën, sepse vendosëm që pushimet t’i bëjmë në një vend të qetë dhe pa zhurma”, thotë arkitektja nga vendi fqinj. Nëna e dy vajzave duket se e ka fort për zemër Shqipërinë, por me shumë finesë shprehet se duhet bërë më shumë për turizmin. “Problemi më i madh që kam hasur janë çmimet, kur bëhet konvertimi nga lekë në euro. Psh., nëse një pjatë kushton 8 mijë lekë, neve na kërkojnë 8 euro. Por, e pëlqej shumë Lukovën dhe e kam kaluar çdo gjë me pozitivitet. Këtu kam hasur plot banorë që më kanë surprizuar. Një ditë, pasi bëra disa foto në kuzhinën e një restoranti, kuzhinieri më dha dy peshq që t’i gatuaja. Ndërsa pronari i një tjetër lokali, i cili kishte jetuar për disa vite në Itali, pasi mësoi ‘rrengun’ e kamerierit me çmimin, na ofroi falas akullore për vajzat dhe pije për mua dhe bashkëshortin”, rrëfen Alice. Një tjetër shqetësim për italianen janë rrugët. “Këtu rri tërë kohës me frikë në timon. Nga momenti në moment mund të ta presin rrugën njerëzit apo ndonjë kafshë”, thotë ajo. Në fakt, përtej dëshmive e vëzhgimit, për Lukovën ka shumë për të folur. Është pasuri e lukovitëve dhe e gjithë shqiptarëve. Është vendi ku gjithkund mund të gjesh pakëz qetësi. Në mbyllje të pushimeve, për gjithkënd rruga e kthimit për në shtëpi është më e shkurtër, por gjithmonë ka vend për t’u rikthyer në Lukovë. Në fshatin perlë të braktisur nga shteti.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb