I ftuar nga Instituti Demokratik Amerikan në Kuvendin e Filadelfias ishte edhe deputeti i Partisë Socialiste të Shqipërisë, ish-kryeministri Pandeli Majko. Zoti Majko foli me gazetaren Keida Kostreci, gjatë punimeve të kuvendit, që e vlerësoi si një nga momentet më të rëndësishme të politikës amerikane.

Zoti Majko në bisedën me Zërin e Amerikës flet edhe për zhvillimet e fundit në Shqipëri. Ai shprehet i çliruar që reforma në drejtësi u miratua, por pohon se reforma vështirë se do të ishte miratuar pa një presion të fortë nga Perëndimi. Në gjykimin e politikanit veteran, procesi politik në Shqipëri doli i humbur, pasi aktorët politikë nuk arritën të shfrytëzojnë këtë mundësi historike për të dëshmuar gatishmëri dhe vullnet dhe për ta miratuar vetë reformën. Kuvendi, vazhdon zoti Majko, “u kthye në një regres dhe ne u dukëm pak a shumë në statusin e ish-Komitetit Qendror të Partisë së Punës në periudhën e viteve ‘90”.

Zoti Majko thotë se procesi për miratimin e reformës në drejtësi nuk lë vend për optimizëm për punën e Kuvendit, dhe se arritja e votave ishte pasqyrë e insistimit të fortë nga ambasadorët e huaj si dhe presionit të publikut, pasi mungonte vullneti i palëve politike në vend për të përmbushur këtë mision.

Miratimi i reformës ishte dëshmi se Perëndimi në marrëdhëniet e tij me Shqipërinë mbajti krahun e publikut shqiptar dhe jo të politikës shqiptare, shprehet zoti Majko. Ky ka qenë një fakt i qëndrimit amerikan ndaj Shqipërisë, vazhdon më tej deputeti socialist: “Miqësia e Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk ka kaluar nga dyert e politikës, ka kaluar nëpër dyert e shqiptarëve”.

Zoti Majko fajëson opozitën për pengesat deri në arritjen e miratimit, gjë që dëshmohet, thotë ai, edhe nga kritikat e Perëndimit shpesh shumë të ashpra në adresë të udhëheqjes së opozitës. Në gjykimin e tij, kundërshtia nuk lidhej me nene të caktuara, por me interesa politike të pushtet-mbajtjes sot, dhe pushtet-marrjes së nesërme.

Ish-kryeministri Pandeli Majko pohon se koalicioni qeverisës po përjeton tensione të brendshme, gjë që u bë më e dukshme gjatë diskutimit të reformës së drejtësisë. Duke pohuar se ka tendenca nga ana e LSI-së për një afrim me Partinë Demokratike, deputeti socialist thotë se këto lëvizje nuk duhen gjykuar negativisht. Partia Socialiste, thotë ai, në marrëdhënie me partnerët në koalicion, ka për detyrë të diktojë tonin e qeverisjes, larg aludimeve, larg akuzave, apo intrigave, por me diskutim të hapur e transparent. E ardhmja e kësaj qeverisjeje, thotë ai, nuk është një histori sallonesh, por një diskutim serioz që t’i shërbejë mbarëvajtjes së qeverisjes, si dhe reformave në pritje, përfshirë reformën zgjedhore.

Nëse marrëdhënia PS-LSI vazhdon përmes deklaratave, dhe në distancë nga njëra-tjetra, do të bëhet e nevojshme marrja e një vendimi për partneritetin e palëve në koalicion, shprehet anëtari i Partisë Socialiste, zoti Pandeli Majko.

Z.Majko, ju jeni këtu në SHBA për të marrë pjesë në kuvendin e demokratëve, i ftuar nga NDI. Për ju si politikan shqiptar, si ish-kryeministër çfarë kuptimi kanë këto zgjedhje në SHBA?
Kjo është një mundësi për të takuar miq të vjetër dhe për të ndjekur nga afër një nga momentet më të rëndësishme të politikës amerikane, por jo vetëm, sepse tanimë ky nuk është moment i rëndësishëm vetëm i Amerikës, por edhe i gjithë botës, pasi është një vend, i cili me lidershipin e tij, ndikon në një mënyrë apo një tjetër edhe në fatet e kombeve të tjera. Me zonjën Kinton ne shqiptarët ndajmë një histori të veçantë, një kujtesë të veçantë që ka të bëjë me atë çka ajo dhe bashkëshorti i saj kanë dhënë për luftën e Kosovës, për shqiptarët, për të drejtat e shqiptarëve e kështu me radhë.

Le të kthehemi te politika në Shqipëri. Reforma tashmë është miratuar, pas tensionesh politike të mëdha…
Dua të jem te pjesa e njerëzve optimistë, pavarësisht se kam qenë shumë optimist se do të kalonte reforma në drejtësi, ashtu siç kaloi. Mbase nuk isha shumë i bindur se do të kalonte me 140 vota pro, por mendoj se kjo reformë duhet pranuar kështu siç është. Pa ndihmën e Perëndimit, pa ndihmën e SHBA dhe të BE, reforma vështirë se do të kalonte në Kuvend. Kuvendi në një mënyrë apo një tjetër, për disa arsye mendoj, pa dashur të jem thellësisht qortues karshi qëndrimeve të disa palëve në Kuvend, u kthye në regres dhe ne u dukëm pak a shumë si me statusin e ish- Komitetit Qendror të Partisë së Punës në periudhën e viteve ’90. Reforma e drejtësisë mendoj se u miratua nën një presion të tillë, nën një presion nga publiku dhe nga Perëndimi. Mendoj se të gjitha partitë patën një rast për të bërë një takim me të kaluarën e tyre dhe, për sa më takon, ndihem krenar për atë që bënë kolegët e mi dhe Partia Socialiste.

Mënyra se si e pasqyroni ju arritjen në këtë pikë të reformës është pak e njëanshme, po të kesh parasysh se pati kundërshtime të forta për mënyrën se si u miratua reforma…
Mund ta kishim zgjidhur edhe vetë. Mund ta kishim zgjidhur edhe pa ndërhyrjen e ambasadorëve të huaj, të cilët në mënyrë të veçantë dua t’i falënderoj, ambasadorin Lu…

Sigurisht, nëse do kishte fleksibilitet…
…Ambasadoren Vlahutin…, por mendoj se presioni i Perëndimit ishte domethënës, i paprecedentë, dhe kjo duhet thënë kështu siç është, dhe pa këtë presion reforma vështirë se do të kalonte edhe në planin matematikor. Do të kishim probleme shumë të mëdha dhe, e përsëris, nuk hyj tek optimistët për të thënë që kjo që bëmë ne si Kuvend ishte një diçka gjeniale. Jo. Ne u ndodhëm nën një presion të madh të publikut, të Perëndimit, dhe ky ishte rezultati i bashkimit me 140 vota pro të reformës. Nuk kemi pse fshihemi pas gishtit. Realiteti është ky.

Megjithatë pas miratimit të reformës ka filluar tani një lojë politike për të deklaruar fitues dhe humbës. Pse duhet bërë kjo?
Nuk besoj që ia vlen që ne të diskutojmë për fitues dhe humbës, në këtë pikë. Mendoj që ne do të ishim fitues nëse do ta kishim bërë vetë këtë reformë dhe jemi deri diku humbës, përderisa politika shqiptare u vu nën një presion të tillë, të paprecedentë nga Perëndimi, por edhe nga publiku shqiptar dhe nga një pjesë e rëndësishme e shoqërisë civile që kjo reformë në drejtësi të kalonte. Në fund fare Perëndimi mbajti krahun e publikut shqiptar, jo të politikës shqiptare. E sidomos SHBA-të ripohuan një fakt shumë të rëndësishëm, të cilin ne të politikës kemi qejf ta themi dhe ngandonjëherë nuk kemi qejf ta themi. Miqësia e Shqipërisë me SHBA nuk ka kaluar nga dyert e politikës shqiptare, por nga dyert e shqiptarëve, sidomos nga emigracioni shqiptar që nga koha e Nolit e deri më sot.

Faktori ndërkombëtar megjithatë i mori parasysh shqetësimet e shtruara nga opozita; megjithëse siç thoni ju kjo është fitore për publikun, duhet pranuar që mazhoranca ka treguar fleksibilitet derisa u miratua me një kompromis mes asaj që donit ju dhe opozita…
Sinqerisht do të doja të ishte kështu, që e gjitha kjo pjesë të ishte pjesë e mospranimit tonë. Deklaratat e ambasadave të SHBA e të BE, shpesh shumë të ashpra në drejtim të lidershipit të opozitës e sjellin të natyrshëm faktin se nuk ka qenë pengesë mazhoranca. Megjithatë dëshiroj të them se kjo nuk më bën të ndihem i lumtur. Në fund fare Shqipërisë nuk i intereson të ketë asnjë segment politik që të ketë një lloj vokacioni antiperëndimor. Unë shpresoj dhe mendoj që kjo nuk ka për të ndodhur.

Debat ka pasur përsëri për arsyen e paketës së ligjeve…
Nuk besoj se këtu bëhet fjalë për interesa nenesh. E përsëris edhe një herë, faktin që jemi në konventën e Partisë Demokratike dhe në një ambient ku liria e të thënit të gjërave është dominante, mendoj se nuk bëhet fjalë për nene të caktuara. Mendoj se bëhet fjalë për interesa politike të pushtetit, të pushtetmbajtjes së sotme dhe të pushtetmbajtjes së nesërme, por një gjë është e sigurt. Me ndryshimet kushtetuese gjërat janë të kuadratuara. Nuk mund të dalin as jashtë tyre, as mund të japin më pak sesa ato janë shkruar dhe që garantojnë të ardhmen e drejtësisë së pavarur në Shqipëri.

Z.Majko, është folur vazhdimisht gjatë këtij procesi për problemet e brendshme që mund të ketë koalicioni. Z.Meta, gjatë këtij procesi të reformës, të paktën dy herë paralajmëroi se nëse kjo nuk do të zgjidhej, do të jepte dorëheqjen ose bëri thirrje për qeveri teknike. Duket se ka një tension mes PS-së dhe LSI-së. Megjithëse zoti Meta, në intervistën për “Zërin e Amerikës” foli për intriga dhe thashetheme politike, duke deklaruar se u qëndron marrëveshjeve. Si e lexoni ju situatën? Si është në të vërtetë?
Ka një të vërtetë. Me diskutimin e reformës së drejtësisë, ne nuk mund të themi dhe nuk mund të fshehim në mënyrë të përgjithshme që koalicioni po funksionon në rregull dhe gjithçka është si më parë. Mendoj se diskutimi i reformës solli disa probleme. Dhe ka një lëvizje të LSI-së për një marrëdhënie më të afërt me PD-në, por kjo s’duhet parë në sensin e negativitetit. Ajo që është përgjegjësia e PS-së në marrëdhënie me LSI-në është se si do ndërtohet e ardhmja e qeverisjes, se qeverisja është një nga gjërat më të rëndësishme, e cila s’ka të bëjë thjesht se kush janë llogaritë e PS-së, LSI-së apo PD-së për pushtetin, kur do të bëhen zgjedhjet. Ajo që ne duhet t’i bëjmë pyetje vetes, qoftë PS-ja, qoftë LSIja, është se si do ta ndërtojmë këtë histori të përbashkët të qeverisjes së vendit. Nuk mund të vazhdojmë me aludime. Nuk mund të vazhdojmë me akuza, me intriga, dhe jam dakord me atë që ka thënë Meta në këtë drejtim, por në funksion të një diskutimi të hapur, transparent, përballë me njëri-tjetrin. Se kush do jetë e ardhmja e kësaj qeverisjeje, mendoj se kjo është, jo pikëpyetje, por një pyetje shumë e rëndësishme publike, pasi ne e kemi marrë votën për të qenë seriozë jo vetëm me të majtët, por edhe me të djathtët. Qeverisja nuk mund të jetë një histori sallonesh, por duhet të jetë një histori e përgjegjshme, e cila do të kërkojë një sqarim, një ridiskutim, pse jo, të marrëdhënies së koalicionit mes PS-së dhe LSIsë, si do ta vazhdojmë këtë koalicion, si do ta ndërtojmë të ardhmen e qeverisjes, sepse kemi edhe një vit qeverisje në vazhdim. Kemi reformën zgjedhore që pret për t’u diskutuar dhe mendoj se nga ky soliditet marrëdhëniesh të PSsë dhe LSI-së sigurisht do të varen edhe hapat e parë që do të hedhë reforma në drejtësi, po ashtu edhe ajo zgjedhore. Mendoj se, nëse ne do të vazhdojmë thjesht me tempin e deklarimeve dhe të ruajtjes së një distance nga njëri-tjetri, kam parasysh PS-në dhe LSI-në, atëherë ne do të jemi në një drejtim në të cilin duhet të marrim një vendim se si do ta vazhdojmë marrëdhënien me LSI dhe LSI me ne. Nuk e them këtë në sensin e të bërit presion, por e them në sensin e përgjegjësisë që kanë palët në drejtimin e vendit. Unë kam dëgjuar deklarata nga përfaqësues të LSI-së që janë shprehur për vazhdimin e koalicionit, por mendoj që pakënaqësitë, problemet, të gjitha historitë të cilat grumbullohen në qeverisje, në radhë të parë duhen diskutuar në tavolinën e bisedimeve, në mënyrë institucionale, sigurisht pa ngjalë përballë. (voa)

(er.nu/el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: