Nga: Ermelinda Hoxhaj*
Të gjithë kandidatët që janë bërë pjesë e Maturës Shtetërore, tashmë kanë të publikuar në Librin e Transparencës 6 elementet e vlerësimit. Në këto elemente vlerësimi përfshihen 5 notat e provimeve të maturës, si dhe nota mesatare e viteve të gjimnazit. Nëse kandidatët vërejnë ndonjë mangësi në këto të dhëna, ata kanë mundësinë që nëpërmjet Formularit të Korrigjimit të Pasaktësive të bëjnë korrigjimin e këtyre elementeve. Afati i fundit që ata kanë për të bërë plotësimin e këtij formuari është deri ditën e premte, 19 gusht 2016. AKP-ja njofton se për çdo ndryshim që do të bëhet do të kërkohet dokument zyrtar nga drejtoria e shkollës. Në këtë libër janë pasqyruar rreth 27.672 maturantë të cilët janë bërë edhe pjesë e garës në universitet, pasi të listuara këta kandidatë kanë edhe 10 preferencat që kanë përzgjedhur. Sipas AKP-së, nuk përfshihen në Librin e Transparencës, maturantët që nuk kanë kaluar qoftë edhe në njërin prej pesë provimeve, pra janë vlerësuar me notën 4 (katër).
Formulari i Korrigjimeve
Libri i Transparencës është një libër pune, ku secili maturant/kandidat mund të kontestojë me anë të Formularit të Korrigjimit të Pasaktësive, ndonjë parregullsi që vëren në të dhënat e tij në Librin e Transparencës. Sipas udhëzimit të AKP-së, për çdo ndryshim, do të kërkohet dokumentim zyrtar nga Drejtoritë e Shkollave dhe Drejtoritë Arsimore të rretheve (Formularin e Korrigjimit të Pasaktësive e gjeni në tabelën bashkëngjitur). Sa i përket mënyrës së plotësimit të këtij formulari, AKP-ja sqaron më poshtë hapat se si do të procedojnë kandidatët që kanë kontestime të të dhënave të tyre. “Në pjesën e parë të formularit, është e detyrueshme të plotësohen të dhënat për rrethin, bashkinë/komunën, shkollën dhe ID-në e maturantit. Në çdo kuti shkruhet vetëm një shkronjë ose një numër. Shkronjat duhet të jenë kapitale dhe numrat me shifra arabe. Këto të dhëna janë të domosdoshme për identifikimin e maturantit që kërkon ndryshime të dhënash në bazën e të dhënave. Në pjesën e dytë, në seksionin “Si ishte”, janë të detyrueshme të plotësohen të gjitha të dhënat: Emri, atësia, mbiemri, datëlindja, nota mesatare(me shifra dhe me shkrim). Praktikisht këto të dhëna janë si në Librin e Transparencës. Në seksionin “Si bëhet”, do të plotësohen vetëm ato të dhëna ku kërkohet ndryshimi: P.sh., nëse kërkohet ndryshim tek emri, te rreshti “Emri” shkruhet si duhet të jetë emri i saktë. Mund të ndodhë të kërkohen dy ose më shumë ndryshime: p.sh., datëlindja dhe nota mesatare sipas VKM-së nr.407, datë 1.6.2016. Pasi kërkesa për ndryshimet të jetë plotësuar me kujdes, maturanti shkruan emrin, mbiemrin dhe firmos në vendin përkatës”, përcaktohet në udhëzim. Po ashtu, këto ndryshime që kërkohen nga maturanti duhet të konfirmohen nga mësuesi kujdestar, drejtori i shkollës, që pasi firmos vendos dhe vulën e shkollës, si dhe nga drejtori i DAR/ZA, që gjithashtu firmos dhe vulos këtë formular. “Ky formular është përgatitur për të evidentuar pasaktësitë që mund të shfaqen në Librin e Transparencës për maturantë të ndryshëm. Pas plotësimit të tij nga maturanti përkatës dhe konfirmimit zyrtar me firmë dhe vulë nga drejtoritë e shkollave dhe drejtoritë e DAR/ZA-ve, këto të fundit i përcjellin brenda ditës së premte, datë 19.08.2016, ora 14:00, dhe ndërkohë duhet t’i përcjellin dhe zyrtarisht në format letër. Hedhja e korrigjimeve në bazën e të dhënave në sistem bëhet nga specialistët e AKP-së”, sqarohet nga AKP-ja.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb