Nga: VALENTINA MADANI*
TIRANE – Prej më shumë se 8 muajsh, në parlament janë paraqitur tri nisma ligjore për heqjen e medaljeve dhe dekoratave të bashkëpunëtorëve të regjimit komunist. Të tria dokumentet, i PD-së, PS-së dhe PDIU-së, synojnë heqjen e medaljeve për persekutorët dhe “xhelatët” e sistemit komunist. Nismat erdhën pasi “Gazeta Shqiptare” zbardhi vendimin e qeverisë së majtë, e cila dekoronte hetuesin e At Zef Pllumit dhe ish-drejtues të PPSH-së dhe Sigurimit të Shtetit. Por, përveç një debati të nxehtë në Kuvend në fund të legjislacionit të kaluar dhe dorëzimit në Kuvend të tri nismave ligjore, që nga dhjetori i 2015-ës politika shqiptare nuk ka bërë asgjë për heqjen e dekoratave.

Nismat janë dorëzuar në Këshillin e Legjislacionit dhe që atëherë ato vazhdojnë të mos shqyrtohen nga parlamenti. Që prej atëherë, nuk u mblodhën më anëtarët e Këshillit të Legjislacionit dhe nismat janë ende të pashqyrtuara. Por deputetja Mesila Doda, që bashkë me kreun e PDIU-së, Shpëtim Idrizi, ishin iniciuesit e parë të nismës për heqjen e dekoratave të xhelatëve të komunizmit, konfirmoi dje për “Gazeta Shqiptare” një betejë të ashpër në Kuvend për anulimin e dekoratave që iu dhanë ish-persekutorëve të komunizmit. “Në muajin shtator fillojmë luftën për heqjen e dekoratave të xhelatëve të komunizmit”, – deklaroi deputetja e PDIU-së, Mesila Doda.

Aktualisht në Kuvend janë të paprekura tri nismat që kanë si qëllim heqjen e medaljeve dhe dekoratave të dhëna nga qeveritë për ata persona që kanë qenë bashkëpunëtorë apo zyrtarë të lartë të komunizmit, si dhe ndalimin që këto situata të përsëriten në të ardhmen. Bëhet fjalë për projektligjin e paraqitur nga zj.Doda dhe Idrizi, projektligji tjetër i mazhorancës dhe që mban firmat e kryeministrit Edi Rama dhe deputetit Taulant Balla, si dhe projektrezolutën e paraqitur nga demokratët dhe dorëzuar në Kuvend nga Oerd Bylykbashi. Pra, ndërsa dy nismat e para paraqesin propozime konkrete për amendime të ligjit mbi bazën e të cilit jepen medaljet dhe dekoratat në vendin tonë, nisma e tretë është thjesht një rezolutë, e cila kërkon ndryshimin e legjislacionit ekzistues. Tri nisma që kanë objekt të njëjtë: heqjen e medaljeve dhe dekoratave bashkëpunëtorëve të regjimit komunist.

Mazhoranca
Projektligji i paraqitur nga mazhoranca, i iniciuar nga kryeministri Edi Rama dhe deputeti Taulant Balla, përmban dy amendamente shtesë në ligjin aktual “Për medaljet, dekoratat dhe titujt e nderit”. Nisma ligjore propozon që pas nenit 5, të shtohet neni 5/1, i cili parashikon që “të përjashtohen nga e drejta për të marrë dekorata, tituj nderi, medalje dhe tituj vendorë nderi, sipas këtij ligji, dhe në rast se i kanë marrë do iu hiqet, personat të cilët janë dënuar ose dënohen me vendim gjykate të formës së prerë, për krime lufte, për krime kundër njerëzimit, për bashkëpunim me pushtuesit e vendit, për veprimtari agjenturore kundër interesave të Shqipërisë”.

Po ashtu, përcaktohet që medaljet dhe dekoratat u ndalohen ose u hiqen nëse i kanë marrë edhe “personat që gjatë periudhës 29.11.1944 deri më 31.03.1991 kanë ushtruar në strukturat e shtetit shqiptar funksionet si: anëtar ose kandidat i Byrosë Politike të Partisë së Punës së Shqipërisë, drejtues i Frontit Demokratik të Shqipërisë, kryetar i Gjykatës së Lartë, prokuror i Për-gjithshëm, kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme, kryetar i degëve të Punëve të Brendshme, punonjësi i organeve të ish-Sigurimit të Shtetit, bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit apo i favorizuar prej tij, anëtar i komisionit qendror të Dëbim-Internimeve, si dhe gjyqtar, prokuror, hetues, në procese politike”.

PDIU
Edhe nisma ligjore e propozuar nga deputetët Mesila Doda dhe Shpëtim Idrizi propozon disa amendime shtesë në ligjin bazë, ku mes të tjerash parashikohet se “ndalohet dhe nuk mund t’u jepen dekorata, tituj nderi dhe medalje, dhe nëse u janë dhënë, institucionet dhe/ose organet që i kanë dhënë, brenda një muaji nga hyrja në fuqi e këtij ligji ua heqin ato personave të cilët kanë qenë pjesë dhe/ose kanë punuar në institucione si më poshtë: a) Strukturat e ish-Sigurimit të Shtetit; b) Bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit; c) Strukturat Drejtuese të Partisë së Punës së Shqipërisë, në nivel lokal apo qendror; d) Funksione të larta drejtuese të pushtetit ekzekutiv, në nivel lokal apo qendror; e) Drejtimin e Forcave të Armatosura; f) Strukturat e Hetuesisë së Republikës; g) Në detyrën e gjyqtarit dhe prokurorit. d) Si dhe të gjithë personave që kanë kryer veprime që bien ndesh me moralin, nderin dhe vlerat e një shoqërie demokratike”. Përmes një dispozite tranzitore, nisma Doda-Idrizi parashikon që brenda 15 ditësh nga hyrja në fuqi e këtij ligji, institucionet ose organet kompetente për dhënien e dekoratave, detyrohen të krijojnë pranë tyre një komision të posaçëm, i cili duhet të vlerësojë e të japë mendim në lidhje me plotësimin e kritereve të përcaktuara në nenin e mësipërm.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb