Nga Shaban Murati

Prirja për të klasifikuar si kontrovers çdo hap të presidentit të ri amerikan, Donald Trump, e kategorizoi si të tillë edhe udhëzimin e dhënë në emër të tij dhe të shpërndarë në dhjetor nga departamenti i shtetit, që ambasadorët politikë duhet të japin dorëheqjen dhe të lenë postet deri në datën 20 janar 2017 të inaugurimit presidencial. Në të vërtetë presidenti i ri thjesht zbatoi një rregull dhe një praktikë të njohur në shërbimin diplomatik amerikan, që sa herë që ndërrohet presidenti, ambasadorët politikë duhet të paraqesin dorëheqjen.

Gazeta amerikane “Nju Jork Tajms” shkruante në 5 janar lidhur me këtë temë, se “ambasadorët politikë, shumë prej të cilëve janë donatorë që janë emëruar nga merita e lidhjeve të ngushta me presidentin, gjithmonë lenë postet në fund të mandatit të presidentit, ndërsa ambasadorët, që janë diplomatë karriere, zakonisht mbeten në postet e tyre”.

Radio e mirënjohur “Zëri i Amerikës” citonte në datën 6 janar zëdhënësin e departamentit amerikan të shtetit, Xhon Kirbi, që deklaronte se “është praktikë e zakonshme dhe tipike për ambasadorët e caktuar politikisht të japin dorëheqjen nga postet e tyre, kur ndërrohen qeveritë”.

Dy gjëra të qarta janë: se është ndjekur një praktikë normale dhe jo e re, e kërkesës për dorëheqje për ambasadorët politikë, dhe se nuk i është kërkuar ambasadorëve të karrierës të lënë postet e tyre. I vetmi element, që ka ngjallur debat në qarqet diplomatike amerikane, është fakti që udhëzimi nuk i ka lënë hapësirë shtyrjes së qëndrimit në poste për ambasadorët politikë, derisa të rregullojnë disa probleme familjare në shtetin, ku janë akredituar.

Veprimi i presidentit të ri amerikan për t’u kërkuar ambasadorëve politikë të japin dorëheqjen dhe të lënë postet e tyre deri ditën e inaugurimit të kreut të ri të ekzekutivit, është konform ligjit të shërbimit të jashtëm dhe praktikës diplomatike amerikane, dhe në të mirë të funksionimit të vetë shërbimit diplomatik.

Ambasadorët politikë janë emërime të presidentit, jashtë shërbimit profesional diplomatik të karrierës, emërime të nxitura nga kontributet financiare për fushatën elektorale të presidentit dhe disa herë për lidhje dhe miqësi me presidentin. Është e kuptueshme se ata janë ambasadorë partizanë apo ambasadorë të patronazhit, siç quhen në Amerikë, dhe kujdesi i tyre kryesor në postet diplomatike është i dominuar nga interesi politik i presidentit përkatës.

Është e logjikshme që ambasadorë të tillë të lënë postet e larta diplomatike kur ndërrohen presidentët dhe qeveritë, sepse emërimi i tyre i mëparshëm politik i bën të papërshtatshëm për presidentin e ri, për të mos thënë të dëmshëm. Nga ana tjetër, natyrshëm presidenti i ri kërkon ta shfrytëzojë për veten e vet kuotën e ambasadorëve politikë, që i takon, dhe jo ta tejkalojë apo dyfishojë atë kuotë.

Kjo që ndodhi në SHBA, jep një shembull të madh për mënyrën e organizimit dhe të drejtimit të shërbimit diplomatik në vendet demokratike, dhe sidomos në vendet ish-komuniste, që sapo kanë hyrë në rrugën e ndërtimit dhe të konsolidimit të institucioneve të shtetit.

Në këtë drejtim veprimi i presidentit të ri amerikan është një mësim tepër i vlefshëm dhe aktual për Shqipërinë, për rrugën që duhet ndjekur në ndërtimin dhe konsolidimin e një shërbimi diplomatik efektiv.

Mund të them nga përvoja ime e gjatë në shërbimin diplomatik se emërimet masive politike janë një nga sëmundjet dhe defektet kryesore, të cilat nuk e kanë lënë gjatë 25 vjetëve shërbimin diplomatik të ngrihet si një sistem profesional shtetëror dhe si një institucion të denjë për detyrat e kohës dhe të marrëdhënieve të komplikuara rajonale dhe ndërkombëtare. Është një mëkat në të cilin kanë hyrë me ndërgjegje të gjitha qeveritë shqiptare të periudhës postkomuniste.

E përkufizojmë të tillë, sepse është keqpërdorur e ashtuquajtura kuotë e emërimeve politike deri në masën që është shkaktuar një erozion në shërbimin profesional diplomatik. Në librin tim “Diplomacia shqiptare në kërkim të identitetit”, duke analizuar fenomenin e inondimit nga ambasadorët politikë, kam shkruar: “Prishja e raporteve mes numrit të ambasadorëve dhe diplomatëve të karrierës dhe numrit të ambasadorëve dhe diplomatëve politikë përbën një nga fenomenet më negative të institucionit të shërbimit diplomatik. Pakësimi i profesionistëve është dobësim dhe nxjerrje jashtë funksionit e sistemit dhe e institucionit të diplomacisë dhe cenim i interesave shtetërore”.(Tiranë, 2013,fq. 117)

Shumë vende praktikojnë emërime të ambasadorëve politikë nga presidentët apo qeveritë e tyre, për arsye të ndryshme, për të kompensuar kontribute politike dhe financiare apo për të mbajtur, apo krijuar lidhje të ngushta me grupe të fuqishme të brendshme.

Por në shtete demokratike si SHBA ka rregulla dhe ligje strikte. Së pari, është një kuotë e caktuar, e cila që nga periudha e Luftës së Dytë Botërore nuk ka kaluar kurrë 30 përqindëshin e numrit të përgjithshëm të ambasadorëve. Së dyti, ambasadorët e emëruar politikisht nuk rrinë gjithë jetën ambasadorë, por me të mbaruar mandatin e tyre të parë kthehen nga kanë ardhur, në bizneset dhe preokupimet e tyre personale. Mesatarja e mandatit të ambasadorëve politikë në SHBA ka qenë 2,5 vjet, kurse në Shqipëri rregullisht 8, 9 dhe 10 vjet.

E keqja, që ka ndodhur në shërbimin diplomatik shqiptar është se e ashtuquajtura kuotë e emërimeve politike është shqyer që në fillim, duke e çuar secila parti e re në pushtet në 40 për qind, dhe kur ka përsëritur mandatin, e ka çuar në 60 për qind, dhe kur ka ardhur partia tjetër e ka shtuar edhe ajo 40 për qind më shumë, për të ardhur në aktin e papranueshëm, të miratuar nga parlamenti aktual, që në ligjin e ri për shërbimin e jashtëm është hequr fare çdo kufizim për emërimet politike.

Emërimet e ambasadorëve politikë në Shqipëri kanë sjellë disa fenomene negative. Së pari, janë bërë emërime pa kriter dhe pa profile të larta intelektuale, kulturore apo akademike. Të ashtuquajturat udhëzime, VKM apo nene, që qeveritë shpiknin për lumin e emërimeve politike, me pretekstin e prurjes së figurave të shquara të kulturës apo shkencës shqiptare, ngelën në sirtarë si autosugjestion i ministrave të Jashtëm dhe i kryeministrave për përligjjen e emërimeve në diplomaci të funksionarëve të lartë të partive, të militantëve fanatikë, të fisit apo të njerëzve të klanit të kryeministrave, të fshatit apo të krahinës së kryeministrave, apo të përkatësive të tjera, të cilat për respekt të lexuesit nuk po i përmend.

Se sa pa kriter intelektual, profesional dhe moral, janë bërë disa emërime ambasadorësh politikë, e tregon fakti që në vitin 1997 ata ambasadorë politikë kërkuan strehim politik në vendet perëndimore, ku ishin akredituar, dhe nuk ndodhi kjo gjë me asnjë ambasador të karrierës. Dhe ata ambasadorë politikë, me të marrë azilin politik dhe shtetësinë e atij shteti, u bënë menjëherë me qeverinë e re, me akuzat ndaj të cilës kishin mbështetur kërkesën për azil.

Së dyti, u krijua fenomeni negativ i staxhionimit të ambasadorëve politikë me tetë vjet në të njëjtin post, kur partia, që e kishte dërguar, fitonte një mandat të dytë. Dhe meqë në Shqipëri, si rregull i dakorduar, dy partitë kryesore politike që nga 1992 qëndrojnë nga dy mandate në pushtet, dominimi i kastës së ambasadorëve politikë është legalizuar bashkërisht. Së treti, u krijua praktika e dëmshme politike e futjes së ambasadorëve politikë, pas kthimit nga postet diplomatike, direkt në poste drejtuese në Ministrinë e Jashtme, për të drejtuar departamente dhe sektorë, që ata as i njihnin dhe as mund t’i drejtonin.

Politizimi i sistemit të shërbimit të jashtëm zgjeroi dhe thelloi procesin e erozionit të shërbimit dhe të nivelit profesional të diplomacisë. Ai hoqi detyrimin për formimin dhe ngritjen profesionale të punonjësve të shërbimit diplomatik, sepse solli modelin e preferencës së militantit të partisë mbi aftësinë dhe përgatitjen profesionale. Ai hoqi shkallët normale dhe të detyrueshme në të gjitha llojet e shërbimeve shtetërore për ngritjen në karrierë, sepse u pengoi dhe u mohoi diplomatëve të vjetër dhe të rij të karrierës të drejtën për postet e ambasadorëve, të cilat iu dhanë emërimeve politike.

Është njësoj sikur në forcat e armatosura t’u heqësh ushtarakëve të drejtën të bëhen gjeneralë, sepse gjeneralët do t’i emërojë partia nga jashtë sistemit të mbrojtjes. Ndodhi absurditeti i madh, që diplomacia nuk u pa më si profesion, por si institucion i rregullimit të kushërinjve dhe të militantëve, të cilët natyrisht u sollën si militantë të fanatizuar edhe në postet e tyre të larta diplomatike, sepse e panë që kjo ishte mënyra e ndenjes së gjatë në shërbimin diplomatik.

Të gjithë ministrat e Jashtëm të periudhës postkomuniste kanë ardhur në MPJ nga politika dhe kanë vënë në plan të parë interesat e perspektivës së tyre politike. Kjo ka bërë që të dominojë vizioni politik mbi vizionin shtetëror. Diplomacia është ndër institucionet themelore të shtetit dhe ngritja dhe konsolidimi i saj mbi baza profesionale është garanci e mbrojtjes së sigurt të interesave jetike të shtetit dhe të kombit.

Kjo situatë kërkon korrigjimin sa më parë të kësaj plage dëmprurëse të politizimit të emërimeve në diplomaci dhe të gjithë sistemit. Kërkon një korrigjim urgjent me një amendament të ligjit për shërbimin e jashtëm nga parlamenti i Shqipërisë,

Korrigjim, i cili duhet të përmbajë thjesht dhe vetëm pak kërkesa rigoroze: 1-që të ketë një kuotë fikse të caktuar dhe të ulët për emërimet politike. Akademia prestigjioze Amerikane e Diplomacisë u ka sugjeruar presidentëve amerikanë që kuota e ambasadorëve politikë të jetë 10 për qind. 2- që ambasadorët politikë dhe diplomatët politike të japin dorëheqjen dhe të lënë postet diplomatike në rastet e ndërrimit të qeverive. 3- që ambasadorët politikë dhe diplomatët politikë të kthehen në detyrat dhe profesionet nga kanë ardhur, pas përmbylljes së mandatit politiko-diplomatik.

Presidenti i ri amerikan, Donald Trump, ndoqi rregullin dhe një praktikë të njohur të diplomacisë amerikane. Por ai dha një mësim të madh se si duhet ta ndërtojnë dhe ta bëjnë funksionale diplomacinë dhe shtetin vendet si Shqipëria, që aspirojnë dhe deklarojnë se janë për rendin demokratik dhe për shtetin funksional.

(GazetaShqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: