Nga: OLA MITRE*
TIRANE – Për mjekët, farmacistët dhe stomatologët, që nuk kanë plotësuar numrin minimal të krediteve, penalizimi do të jetë në fund të ciklit 4-vjeçar të edukimit në vazhdim”. Deklarata vjen nga drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Edukimit në Vazhdim, Entela Shehu, e cila në një prononcim për “Gazeta Shqiptare” thotë se Vendimi i Këshillit të Ministrave, që rregullon procesin e ricertifikimit të profesionistëve të shëndetësisë nuk ka parashikuar ndonjë sanksion vjetor për këtë kategori.

“Për momentin ne kemi publikuar listat e atyre mjekëve, farmacistëve e stomatologëve që kanë përmbushur detyrimin minimal vjetor. Ata që nuk e kanë emrin në këtë listë, duhet të na kontaktojnë ne si QKEV për të sqaruar pozicionin e tyre, por pse jo edhe për raportimin e krediteve që mund t’i kenë përfituar në aktivitete të ndryshme. Megjithatë, sipas VKM-së së shtatorit të vitit të kaluar, nuk është parashikuar ndonjë sanksion për këta profesionistë. Ndërkohë që edhe Bordi i Ricertifikimit nuk ka ndonjë vendim për këtë kategori”, bëri me dije Shehu.

Kreditet
Sipas të dhënave më të fundit nga QKEV-ja, janë 3714 mjekë, 1734 stomatologë dhe 1864 farmacistë që kanë përmbushur detyrimin për numrin minimal të krediteve, ndërkohë që 4.308 profesionistë nuk janë pjesë e listës. Kjo pasi, numri total i profesionistëve të shëndetësisë, të regjistruar pranë QKEV-së është 11.620, nga të cilët 7.312 rezultojnë me detyrim të përmbushur.

Ndërkaq, me ndryshimet ligjore që u bënë në vitin 2015, këta profesionistë e kanë detyrim që të mbledhin një numër të caktuar kreditesh përgjatë një viti. Më konkretisht, mjekët duhet të kenë minimalisht 10 kredite, ndërkohë që farmacistët dhe dentistët nga 5 kredite. Cikli i dytë i edukimit në vazhdim për profesionistët e shëndetësisë, i cili nisi në vitin 2015 do të zgjasë 4 vjet, ndërkohë që numri i krediteve që duhet të grumbullojnë gjatë kësaj periudhe pësoi ulje në krahasim me ciklin e parë. Sipas vendimit të qeverisë, brenda një cikli 4-vjeçar, mjekët duhet të mbledhin një numër jo më të vogël se 120 kredite të edukimit në vazhdim, stomatologët dhe farmacistët e ndihmësfarmacistët 60 kredite, ndërsa infermierët e mamitë 40 kredite.

Ndërkaq, ashtu sikurse ishte përcaktuar edhe gjatë ciklit të parë, profesionistët e shëndetësisë, të cilët nuk plotësojnë kriteret e programit të certifikimit, do t’i nënshtrohen provimit të certifikimit e nëse nuk e kalojnë me sukses, humbasin licencën. Sipas vendimit të qeverisë detyrimin për të mbledhur kredite, përveç mjekëve, farmacistëve dhe stomatologëve tashmë e kanë edhe infermierët, ndihmësfarmacistët dhe mamitë, por për këta të fundit aplikimi nisi në janar të këtij viti.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: