NGA ERMELINDA HOXHAJ

TIRANE- Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim (QKEV) për profesionistët e shëndetësisë ka përcaktuar datat e provimit të certifikimit të mjekëve të cilët nuk kanë plotësuar kreditet. Sipas njoftimit të QKEV-së, në periudhën 3-7 tetor 2016 janë parashikuar të zhvillohen provimet e certifikimit për profesionistët e shëndetësisë (mjekë, stomatologë, farmacistë), të cilët nuk kanë përmbushur detyrimet e ciklit të parë të programit të certifikimit 2010-2014.

DATAT & PROFESIONI
Provimet për mjekët zhvillohen pranë Universitetit të Mjekësisë, në departamentet përkatëse, në orën 09:00, sipas datave të mëposhtme: Data 3 tetor 2016 – provimet e certifikimit për specialitetet: Mjekësi Familje, Endokrinologji, Mikrobiologji, Shëndet Publik, Mjekësi ligjore. Data 4 tetor 2016 – provimet e certifikimit për specialitetet: Kirurgji, Radiologji, Neurologji, Kardiologji, Biokimi. Data 5 tetor 2016 – provimet e certifikimit për specialitetet: Anestezi-Reanimacion, Hematologji, Onkologji, Psikiatri, Reumatologji. Data 6 tetor 2016 – provimet e certifikimit për specialitetet: Pediatri, Obstetrikë- Gjinekologji, Urgjenca mjekësore, Ortopedi”, njofton Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim.

Ndërkohë që, provimi i certifikimit për farmacistët zhvillohet pranë Universitetit të Mjekësisë (Departamenti i Farmacisë), në datën 6 tetor 2016, në orën 09:00, dhe provimi i certifikimit për stomatologët zhvillohet pranë Fakultetit të Stomatologjisë, në datën 7 tetor 2016, në orën 09.00. Pjesëmarrësit në provim duhet të jenë të pajisur me dokument identiteti (kartë identiteti ose pasaportë), si dhe me një fotokopje të saj, të kenë faturën e pagesës për provimin e certifikimit, e cila është 10 mijë lekë. Po ashtu njoftohet se mjekët që do hyjnë në provimin e certifikimit, duhet të paraqiten së paku 30 minuta përpara fillimit të provimit.

RREGULLORJA
Ministria e Shëndetësisë dhe Bordi i Edukimit në Vazhdim në muajin korrik kanë miratuar rregulloren për provimin që japin mjekët, stomatologët, farmacistët e infermierët të cilët nuk marrin kreditet e mjaftueshme brenda cikleve vjetore apo 5-vjeçare. Po ashtu, në rregullore janë parashikuar edhe kategoritë e bluzave të bardha të cilat do të përjashtohen nga hyrja në provimin e certifikimit, për matjen e nivelit të njohurive. Ndryshimet në rregullore kanë të bëjnë kryesisht me organizimin në mjediset e Agjencisë Kombëtare të Provimeve dhe fondin e pyetjeve që del për mjekët që neglizhojnë aktivitetet dhe seminaret e edukimit në vazhdim. Në varësi të numrit të personave që do të testohen për çdo specialitet mjekësor, dy do jenë format e testimit.

Kështu, neni 9 përcakton se, në rastet kur numri i pjesëmarrësve një provim për një specialitet të caktuar është më i vogël se 50 vetë, provimi do të zhvillohet me shkrim pranë Komisionit të Provimit të Certifikimit, ndërsa pyetjet do të jenë me zhvillim. Ndërsa, kur ka mbi 50 punonjës të të njëjtit specialitet, provimi do të zhvillohet pranë AKPsë me fond të hapur pyetjesh. Pra, do të jenë pyetje me 4 alternativa, nga të cilat një përgjigje do të jetë e saktë. Sa i përket tarifës që do të duhet të paguajnë profesionistët që do të hyjnë në provim, është vendosur që të jetë sa tarifa e provimit të shtetit: 10 mijë lekë kush testohet për herë të parë. Secili prej kandidatëve ka mundësi deri në pesë herë për të ruajtur vendin e punës, pasi kaq janë edhe shanset që të mund të hyjë në provim.

VLERËSIMI
Komisioni i provimit të ricertifikimit, pas përfundimit të testit, kryen vlerësimin e pjesëmarrësve në provim, dhe ai quhet i suksesshëm në rast se pjesëmarrësit marrin të paktën 50 për qind të pikëve totale. Pas kalimit me sukses të provimit, çdo pjesëmarrës merr dëshminë përkatëse nga Bordi i Edukimit në Vazhdim, e nëpërmjet dorëzimit të saj në organet e urdhrave profesionalë konfirmohet edhe vlefshmëria e kontratës së punës. Profesionisti pjesëmarrës në provim ka të drejtë të përsërisë një herë provimin e ricertifikimit brenda periudhës 6-mujore të përcaktuar për këtë provim, dhe në një kohë të dytë jo më shumë se 5 herë.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: