Nga: ORNELA MANJANI
TIRANE – Qeveria ndryshon sërish kriteret dhe procedurat për lejet e legalizimit. Të gjithë personat që kanë ndërtuar pa leje duhet të paguajnë taksën e ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet e reja, e cila është një taksë që administrohet nga pushteti vendor. Tarifa llogaritet në bazë të sipërfaqes së punimeve sipas preventivave përkatëse për këto sipërfaqe. Për ndërtesat të cilat janë në proces legalizimi, taksa e ndikimit në infrastrukturë e ndërtimeve të reja është 0,5 për qind e vlerës së investimit. Pagesa ose jo e taksës nuk ndikon në procesin e kualifikimit të ndërtimit për legalizimin, pra dosja shqyrtohet nga ALUIZNI pavarësisht faktit nëse është shlyer kjo taksë ose jo. Ndikimi i pagesës së taksës do të jetë në procesin e pajisjes me tapi të ndërtimit të pajisur me leje.
Vendimi
Këshilli i Ministrave ndryshoi në mbledhjen e djeshme vendimin nr.954, datë 25.11.2015, të Këshillit të Ministrave, duke bërë shtesa dhe ndryshime. “Leja e legalizimit miratohet pasi të jetë administruar dokumentacioni i vërtetimit për likuidimin e taksës së ndikimit në infrastrukturë, vetëm nëse kjo taksë është llogaritur nga ALUIZNI dhe është arkëtuar përpara hyrjes në fuqi të ligjit nr.50/2014. Për rastet e tjera, ky dokumentacion administrohet nga njësitë e qeverisjes vendore, sipas përcaktimeve të nenit 23, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, dhe mungesa e tij nuk pengon miratimin e lejes së legalizimit”, thuhet në pikën 2 të vendimit. Sipas VKM-së, dokumentacioni i pronësisë së parcelës ndërtimore ose i ndërtimit ekzistues, për shtesat pa leje, administrohet përpara miratimit të lejes së legalizimit vetëm nëse subjekti e disponon atë, sipas përcaktimeve të neneve 27, shkronja “d”, dhe 28, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar. Mungesa e këtij dokumentacioni nuk pengon miratimin e lejes së legalizimit. Në nenin 27, pika d të ligjit për legalizimet thuhet: d) vërtetimin ose certifikatën e pronësisë së parcelës ndërtimore nga ZRPP-ja përkatëse (pasi subjekti të jetë pajisur me të sipas këtij ligji, kur ai e disponon menjëherë gjatë vetëdeklarimit) dhe/ose çdo akt tjetër ligjor për fitimin e pronësisë”. Ndërsa neni 28 i të njëjtit ligj parashikon që dhënia e lejes së legalizimit nga zyra përkatëse e ALUIZNI-t, me plotësimin e të gjithë dokumentacionit të përcaktuar në nenin 27 të këtij ligji, brenda 30 ditëve nga paraqitja e kërkesës, pajis subjektin me lejen e legalizimit. I njëjti rregullim, por me ndryshime specifike, të përcaktuara në këtë ligj, zbatohet edhe për “shtesat pa leje në ndërtime me leje”. Kriteret, procedurat dhe formulari i lejes së legalizimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: