Nga ZOJE JAKAJ*
Në datën 24.5.2016, në I.E.V.P “Ali Demi” Tiranë u zhvillua një aktivitet i organizuar si një “Ditë e Hapur” dhe e konceptuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve si risi në këtë sistem, për të prezantuar praktikat pozitive për periudhën që nga marrja e drejtimit të institucionit nga ana ime. Në aktivitet ishin të pranishëm, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve z.Artur Zoto, zv/ambasadori i OSCE z. Robert Willton, përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe të gjithë drejtuesit e burgjeve dhe paraburgimeve në Shqipëri. Aktiviteti filloi me fjalën e mirëseardhjes, ku shpreha falënderimin se sa e privilegjuar dhe e vlerësuar ndihesha që institucioni të cilin unë drejtoj u përzgjodh për të paraqitur praktikat pozitive të punës. Ishte hera e parë që në këtë institucion ishin të pranishëm të gjithë drejtuesit e burgjeve dhe paraburgimeve, ku ndoqën deri në fund aktivitetin në sallën-muze dhe në koncertin e organizuar në regjimin e brendshëm të burgimit. Në fjalën time theksova më tepër ndryshimin që ka midis botës akademike prej së cilës unë vij dhe drejtimit të një burgu, që sigurisht është shumë ndryshe, por në thelb edukimi dhe riedukimi janë dy gjëra sa të ndryshme aq edhe të ngjashme, e pikërisht për këtë arsye mbase dhe suksesi në këtë punë është pjesë e edukimit tim në vite. Në modelin tim të të drejtuarit alternohet shumë mirë zbatimi i ligjit me tolerancën. Kjo e fundit është një element që kërkohet shumë, kryesisht në shoqëritë post-komuniste nga e cila vijmë, dhe pak a shumë në sistemin e drejtimit të burgjeve është instaluar një lloj modeli ku toleranca zë pak vend në servirje, por dhe në mimikat e punonjësve të Policisë së Burgjeve apo ndonjëherë dhe të administratës. Ky është çelësi me të cilin dua të luaj, pra pa shkelur në asnjë moment ligjin, por duke e respektuar atë në çdo detaj. Do implementoj në sistemin tim të drejtimit tolerancën, anën njerëzore, qetësinë, të folurën me edukatë, disiplinën, dhe për t’u kuptuar nga ky sistem, që ky model është shumë herë më i mirë e që mund të përqafohet nga të gjithë. Shpeshherë në këtë vend flitet shumë për ligjin, por vallë a dimë ta zbatojmë atë dhe ta vëmë në shërbim të njerëzve edhe kur ata janë brenda një institucioni të tillë? E kjo pyetje më ka munduar prej vitesh, por kjo detyrë më ka dhënë mundësi ta zbatoj ligjin të alternuar me anën njerëzore, pa cenuar të drejtën e askujt, qoftë dhe të vetë sistemit në të cilin jemi e ku të dënuarat dhe të paraburgosurat kanë të drejtën të shprehen, të kërkojnë, të jetojnë të lira brenda kuadrit ligjor pa iu cenuar asnjëherë liria e mendimit. Toleranca ndoshta ndonjëherë në inkoshiencën time është menduar si e pamundur që të instalohet dhe të bëhet pjesë e kësaj pune, në këtë sistem ku unë momentalisht jam drejtore, por kuptova me kalimin e muajve që, nëse di t’i aplikosh mirë këto elemente duke i alternuar me drejtësi dhe paanshmëri dhe pa paragjykime, ia del më së miri që të kesh sukses. Pa diskutim që kam hasur vështirësi, por këtë punë e kam marrë si një sfidë dhe si kauzë personale, për të shfrytëzuar resurset dhe miqësitë që kam lënë jashtë këtij institucioni, të cilat më kanë shërbyer për të përmirësuar punën time dhe kushtet e jetesës për të dënuarat, duke pasur parasysh që infrastruktura është shumë e amortizuar dhe unë në pak kohë kam bërë shumë ndryshime, falë kësaj mbështetjeje që kam marrë dhe që njerëzit jashtë e kanë kuptuar që, edhe brenda hekurave të ftohta të një burgu, të bësh bamirësi është shumë mirë. (Nuk është se nuk më ka ndodhur që personazhe të cilëve u jam drejtuar për ndihmë të çfarëdo lloji për ato gra dhe vajza, të mos e kenë paragjykuar si koncept me pretekstin që, ato kanë shkelur ligjin dhe nuk duhen mbështetur. Më është dashur t’i bind që ato janë qenie njerëzore në të shumtën e rasteve të pashkolluara, të varfra dhe pa përkrahje, të dhunuara ose të braktisura nga familja, që një moment të caktuar kanë bërë një gabim dhe për këtë vuajnë dënimin, kjo s’do të thotë që ato nuk duhet të mbështeten që të mos bien më përsëri në gabim. Shoqëria është ajo që i shpëton nga gabimi i përsëritur.) Në gjashtë muajt e mi si drejtore, kam zgjidhur një numër të madh problemesh sociale dhe ekonomike si dhe strehimin e disa të dënuarave pa përkrahje dhe të braktisura nga familjet. Për këtë jam bazuar në mbështetjen e disa televizioneve dhe shoqërisë civile në Shqipëri, pjesë e së cilës unë kam qenë për shumë vite. Sigurisht që kam gjetur mbështetjen e padiskutueshme të Drejtorit të Përgjithshëm për t’i evidentuar dhe për t’i bërë praktike risitë e mia në këtë institucion, se mund të kesh shumë ide, por nëse ato nuk vihen në jetë, mbeten vetëm në letër. “Dita e Hapur” u mendua me shumë elementë, një vizitë në sallën-muze e ndërtuar posaçërisht për këtë aktivitet, ku u servir një tablo e historikut të institucionit, një ekspozitë pikture dhe punimet e dorës e ato artizanale të të dënuarave dhe të paraburgosurave që janë pjesë e I.E.V.P “Ali Demi” e do ruhen me kujdes ndër vite. Element tjetër i “Ditës së Hapur” ishte edhe një koncert i përgatitur me shumë mjeshtëri nga stafi, i cili pati gjithë përkushtimin e duhur, duke punuar me orë të tëra për të realizuar koordinimin e punëve. Koncerti u zhvillua në regjimin e brendshëm, ku ishin të pranishëm zv/ministrja e Arsimit dhe Shkencës, znj. Nora Malaj, e cila shpërndau një certifikatë për mësuesen e paraburgosur Sofie Pepaj, e cila jep mësim për klasën e ngritur për të paraburgosurat analfabete pa dallim moshe. Edhe kjo, një nismë që aplikohet për herë të parë në I.E.V.P “Ali Demi” Tiranë, dhe që u prit shumë mirë edhe nga Drejtori i Përgjithshëm, ku e cilësoi si një element shumë të rëndësishëm në botën e burgjeve, jo vetëm për të mësuar shkrim e lexim, por edhe për të mbushur kohën e lirë të të paraburgosurave. Në aktivitet performoi këngëtarja e mirënjohur Shqipe Zani, bashkë me një grup studentesh nga Universiteti i Arteve, me një repertor të përzgjedhur me këngë të njohura shqiptare. Gjithashtu një atmosferë të shkëlqyer krijuan me vallet e tyre popullore dhe klasike fëmijët e vegjël të qendrës “Act Now”, që u mundësua nga drejtoresha e qendrës, Doljana Veliaj si dhe mësuesja e baletit, Arta Paspali, e ku u përfshinë edhe fëmijët e nënave të dënuara, të ftuarit, dhe atmosfera u bë shumë e lumtur në këtë prag 1 qershori. Për fëmijët e të dënuarave u shpërndanë dhurata të ndryshme në prag të festës. Për sigurimin e këtyre dhuratave kontribuuan: znj. Nora Malaj, zv/ministre e Arsimit dhe Shkencës; shkolla “Sabaudin Gabrani” dhe drejtoresha znj. Astasi Kerri; znj.Ajola Xoxa, bashkëshortja e kryebashkiakut të Tiranës; znj. Ori Kuçi, sipërmarrëse; dhe znj.Irena Kita, juriste.
* Doktoreshë shkencash, drejtore e I.E.V.P. “Ali Demi” Tiranë
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb