Nga: ENIDA HIMAJ
Që mos të kenë fatin e Jolezës”, është kjo padyshim një nga sfidat më të mëdha që kandidatët e FRESSH kanë marrë mbi vete, teksa kanë pranuar t’i hyjnë kësaj gare. Pas largimi të Joleza Kokës, drejtimi i FRESSH duket si një post që kërkon më shumë maturi, por edhe ndryshim. Ana Abdi, Eljo Hysko, Elsamed Mukaj, Erjo Mile, Ermal Petushi, Jonida Spaho, Marinela Rukia dhe Shpati Kolgega janë tetë garuesit për zgjedhjet e 22 tetorit. E si një gjeneratë që e njeh mirë pushtetin e medias, ata tregohen të kujdesshëm në ato çfarë bëjnë, apo çfarë thonë. Ne kemi shkuar më tej, duke “gjurmuar” në rrjetet e tyre sociale, kemi mundur të gjejmë detaje nga jeta e tyre e përditshme. Natyrisht, që profili për këta djem dhe vajza të reja ka ardhur i ndërtuar ndryshe, duke nxjerrë në pah disa nga pasionet që ata kanë. Me nota humori, por edhe duke ju sjellë pjesë të programit të tyre, “Vip Pages”, i sjell në këtë mënyrë garuesit për kreun e FRESSH…

“Ironiku” Ermal Petushi
Djaloshi nga Tirana mund të konsiderohet si një ndër kandidaturat më karizmatike të kësaj gare. Me batutë dhe ironi therëse, Ermali ia ka dalë të jetë një ndër kandidaturat për postin e rëndësishëm. Në “Facebook”-un e tij nuk mungojnë as statuset plot ironi, duke formuar kështu një figurë politike, ndryshe nga sa jemi mësuar të shikojmë. Sipas tij, ka ardhur momenti që të vendosen prioritete të reja. “FRESSH si forum duhet të hedhë sytë nga e ardhmja e jo të pretendojë të rritet nën hijen aktualitetit, duke veshur si maskë të shkuarën e ndritur. Duhet të jemi të vetëdijshëm për potencialin që kemi dhe të shfrytëzojmë të gjitha mundësitë për t’u rritur si në organizim, ashtu edhe intelektualisht. Vetëm atëherë mund të bëhemi faktor ndaj politikës së vjetër, duke ofruar një alternativë të re. Ajo çfarë personalisht ofroj është një qasje e re për probleme si papunësia rinore dhe arsimi. Ne si FRESSH duhet të ngremë kauza e të luftojmë për to deri në fund. Kauzat tona nuk do jenë statuse në “Facebook” apo 140 karaktere në “Twitter”. Po flas për projektligje, që FRESSH do të hartojë e do paraqesë në parlament në lidhje me politikat rinore. Do jetë një sfidë të gjejmë mbështetjen e të paktën 25 deputetëve dhe një beteje firmash nëse nuk na mbështesin, pasi do na duhen 20.000 të tilla. Pra si Ermal, FRESSH-in e shoh si një oportunitet për çfarë mund të bëjmë me të e jo si një karrige që do më katapultoje nesër në politikë. Nuk gjendem në finale për një karrige, jam aty për ata që e mendojnë si unë”, ka deklaruar Ermal Petushi për “GSH”.

“Miss” Ana Abdi
Ana ka studiuar për inxhinieri ndërtimi, ndaj dhe këtë garë e mendon si një tjetër sfidë të sajën. Në rrjetet sociale, krahas postimeve politike, kandidatja për kryetaren e FRESSH-it vjen edhe si një vajzë simpatike. Plot sharm, duket se asaj i pëlqejnë festat dhe udhëtimet. Duket e çuditshme teksa sheh një kandidate për një post të tillë, të pozojë me bikini në një ‘schuma-party’. Nëse një ditë Ana do të bëhej deputete, apo pse jo edhe ministre, këto foto padyshim që do të shiheshin ndryshe. Edhe pse duhet thënë që kalimi nga inxhinieria në politikë ka qenë një proces i gjatë për Anën, por si gjithmonë e sigurt në vetvete. “Ne nuk kemi nevojë për të rinj pragmatistë, skeptikë, servilë e të rinj diplomatë. Ne duam të rinj ëndërrimtarë, të ndjeshëm, të vendosur e të guximshëm për të besuar fort në vizionin tonë të përbashkët. Unë nuk kam qenë kurrë fanse e posteve drejtuese, sepse kam besim që liderin e vërtetë e tregon koha dhe mbi të gjitha e tregojnë veprat, siç edhe kam besim se mund të jap shumë nga vetja për FRESSH-in, por bashkë me të gjithë të rinjtë e përkushtuar e të talentuar të këtij vendi. Vetëm bashkë do të mund ta kthejmë FRESSH-in në një trend, vendin ku çdo i ri që kërkon të dëgjohet, çdo i ri me ideale e i përkushtuar do të gjejë hapësirën dhe mundësinë për të kontribuar për të tashmen dhe të ardhmen e Shqipërisë”, shprehet Ana.

“Shën” Marinela Rukia
Një tjetër kandidate që ka gjetur mbështetje për të garuar për këtë post është edhe Marinela Rukia. Vajza nga Tepelena spikat në rrjetet sociale për natyrën humane që ka. Nëse i hedhim një sy “Facebook”-ut të saj, shikojmë që kandidatja poston shpeshherë thënie nga Nënë Tereza. Duhet thënë se Marinela, edhe në fotot gjatë një ‘party’ në jug është e vetmja që s’ka pozuar me bikini. Ndaj, ne plot humor e kemi quajtur “Shën”. Megjithatë, nëse vjen puna për politikë, filozofia e saj për këtë garë ka një moto, ndershmëri, transparencë, meritokraci. “Do udhëhiqet pa dyshin nga vlerat e jo nga aferat, do udhëhiqet nga parimet dhe mësimet që të parët na kanë dhënë. Dashuria për vendin, respekti për njeriun, duke punuar çdo ditë për të përmirësuar faqen e Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Europian. Prandaj, propozimi im është një punë e madhe për realizimin e qëllimit kryesor që ky forum ka, shtimin e radhëve dhe përgatitjen e politikanëve të rinj. Natyrisht, këtij qëllimi do t’i shërbejë edhe lufta kundër diskriminimit dhe promovimi i më të talentuarve. Tjetër rubrikë e rëndësishme do të jetë ‘Problemi yt në FRESSH’, ku shprehen problemet e çdo të riu, jo vetëm në lidhje me FRESSH, por edhe për jetën e përditshme”, – përfundon për “GSH”, Marinela.

“Kandidati i “Selfie” Elsamed Mukaj
Elsamedi vjen në këtë garë si kandidati më i votuar nga Veriu. Djaloshi, që mesa duket ka një pasion për ‘selfie’, gëzon një numër të madh mbështetësish. Me një filozofi konstruktive dhe me hapa të sigurt, Elsamedi duket mëse i gatshëm të jetë kryetari ri i FRESSH. “Qëllimi i garës është që të nxjerrim më të mirën e forumit tonë, duke shpalosur në debat konstruktiv idetë dhe projektet tona, për ta zhvilluar më tej forumin. Sigurisht që Forumi Rinor Eurosocialist i Shqipërisë, (FRESSH) është një pjesë e pandashme e Partisë Socialiste e për rrjedhojë, edhe në garën për kryetar të këtij forumi, një element shumë i rëndësishëm është nxjerrja e një platforme që bashkon sa më shumë potencialin krijues dhe politik të të rinjve me vizionin e Partisë Socialiste. Duhet thënë se PS-ja njihet si një forcë politike, që ka në themel mendimin konstruktiv, i cili është jetik për progresin. Janë këto elementë progresivë, të debatit konstruktiv dhe mendimit të lirë, që gara për kreun e FRESSH do t’i pasqyrojë duke i përmirësuar edhe më tej”.

“I lexuari” Erjo Mile
Djali nga Tirana e shikon këtë garë shumë më tepër sesa një trampolinë politike. Sipas Erjos, kjo është forca për të shkruar edhe njëherë historinë e forumit, mundësia për të kthyer edhe njëherë motorin e së majtës shqiptare. Leximi është pasioni tij, që mesa duket e shoqëron edhe në kohën e tij të lirë. “Kësaj gare nuk i kam hyrë për një emër, por për një kauz. Për një kauz politike dhe rinore. Ne FRESSH-istët duhet të gjejmë forcën brenda nesh, për ta shkruar edhe një herë historinë, për t’u ngritur edhe një herë si forumi më i madh rinor në vend, për t’u kthyer edhe një herë motori dhe timoni i së majtës shqiptare, motori dhe timoni i modernizimit të Shqipërisë, motori dhe timoni i fitores së Partisë Socialiste në zgjedhjet e ardhshme. Duhet të ngremë tri shtyllat kryesore brenda forumit për t’i dhënë jetë vizionit tonë: 1.Demokracia si filozofia e funksionimit dhe organizimit të FRESSH. Demokraci në vendimmarrje, demokraci në kauzat dhe përpjekjet tona, demokraci në zgjedhjen e të gjitha strukturave të forumit. 2.Meritokracia, forma e vetme e organizimit që respekton vlerat tona të barazisë, lirisë dhe solidaritetit. Vetëm meritokracia mundet ta kthejë FRESSH-in në forumin e të rinjve më aktivë, më punëtorë, më novatorë dhe të të rinjve më të angazhuar politikisht. FRESSH-istëve të vërtetë. 3.Përfaqësimi politik. Nuk ka angazhim politik, nuk ka kauz politike pa përfaqësim politik. Ky Forum nuk mundet të jetë kurrë i fort, nëse zëri i tij nuk dëgjohet në vendimmarrje, nëse zëri i tij nuk dëgjohet në Parlament, nëse zëri i tij nuk dëgjohet në këshillat bashkiakë, nëse zëri i tij nuk dëgjohet në organet vendimmarrëse të partisë. Të rinjtë duhet të përfaqësohen vetë, me kauzat e tyre, me figurat e tyre politike. Dhe që kjo të ndodhë duhet që FRESSH të kthehet në domosdoshmëri për PS dhe Shqipërinë!

“Shoku i komunistëve” Shpati Kolgega
Në rastin e djalit nga Rrogozhina, mund të themi se miqtë janë padyshim mbështetja më e fortë që ai ka. Në çdo postim, në çdo dalje të tijën, miqtë e përkrahin, por pse jo, bëjnë edhe fushatë për të. Fotoja në fjalë është ndër rastet më gazmore në “Facebook”-un e tij. “Cep e më cep do fitojmë, si Enver Hoxha”, ka shkruar një nga shokët e Shpatit. Natyrisht që kjo batutë është marrë me shumë sportivitet, ndaj dhe ne ia lejuam vetes ta quajmë Shpatin “shoku i komunistëve”. Me disa vite në politikë, Shpati Kolgega tashmë duket se është i gatshëm që të garojë edhe për postin e rëndësishëm. Impenjativ e gjithnjë serioz, ky kandidat duket se ka të gjithë potencialin e duhur për të qenë një garues serioz në zgjedhjet e 22 tetorit. Betejat e shumta politike, por edhe kohën e ndarë me miqtë e PS, Shpati i ndan përgjatë gjithë kohës edhe në rrjetet sociale. Edhe pse ajo që na ra në sy janë fotot e shumta që ky djalosh ka me mikeshat.

“Patrioti” Eljo Hyska
Padyshim ndër djemtë më karizmatikë në këtë garë, Eljo Hyska ka me vete miq të mirë, por edhe votues. Emri tij është përmendur jo rrallëherë përgjatë kësaj fushate, duke e shndërruar këtë djalosh në një personazh mediatik. Batutë, humor dhe shumë udhëtime është ajo që të shohin sytë teksa viziton “Facebook”-un e tij. Megjithatë, nuk mund të mungonin edhe postimet e shumta me doza patriotike. Është thuajse e pamundur që në rrjetet e tij sociale të mos ndeshesh me Beratin, qytetin ku kandidati ynë është rritur. Dashuria për qytetin e tij është ndër pikat kyçe për këtë djalosh. Mesa duket, Eljo e ka kuptuar mjaft mirë fuqinë e rrjeteve sociale, sidomos për të rinjtë, ndaj dhe një pjesë e mirë e strategjisë së tij është fokusuar te kjo pjesë. Prej disa vitesh ai ka nisur të merret me politikë, por kjo është sfida e tij më e madhe. Mbetet për t’u parë nëse pas 22 tetorit, Eljo do t’ia dalë të jetë edhe kryetari i ri i forumit rinor të PS.

“Romantikja” Jonida Spaho
Kur u hedh një sy rrjeteve të saj sociale, vështirë se mund të bësh lidhjen mes figurës politike që kërkon të përfaqësojë dhe vajzës së ëmbël që shfaqet. Jonida Spaho është një tjetër garuese, e cila pikërisht si pikë të saj të fortë ka karakterin e urtë dhe vendosmërinë. Megjithatë, tjetër imazh na vjen në rrjetet sociale, ku Jonida shfaqet si një vajzë shumë romantike. Foto me zemër në duar, apo edhe në natyrë, gjatë një perëndimi vjeshte flasin për anën tjetër të Jonidës, atë të një vajze plot botë edhe ëndrra. Mbetet për t’u parë sesi do të shkojë gara për vajzën nga Tirana. Ndoshta ndonjëherë pamja engjëllore që ajo transmeton është një plus edhe në politikë. Edhe platforma e Jonidës flet për shpresë dhe mundësi të reja. “Është një mundësi, nder dhe privilegj për mua të jem një prej 8 finalistëve të tempullit ku dëgjohet zëri i në të rinjve, ‘FRESSH Voice’. Forumi Rinor Eurosocialist është forumi më i madh politik i të rinjve në Shqipëri dhe si i tillë, ai duhet jetë modeli më i mirë, i cili t’u ofrohet të rejave dhe të rinjve shqiptarë si nga forma, ashtu edhe nga përmbajtja. Me frymën social-demokrate të tolerancës dhe bashkëpunimit, FRESSH-in nesër e shoh si modelin e ndryshimit të shoqërisë. Një FRESSH që i jep vlerë dhe respekt mendimit kritik nëpërmjet krijimit të hapësirave ku do të zhvillohet debati dhe trajnimi i të rinjve eurosocialistë, duke synuar gjithëpërfshirjen e duke i përgatitur të rinjtë sot të jenë të aftë të drejtojnë nesër”, shprehet ajo.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: