Festivali ndërkombëtar operistik “Maria Kraja”, që këtë vit ka arritur në stacionin e tij të 16-të, mbahet sonte e nesër (4-5 nëntor) në orën 19:00 në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Yje të rinj të skenës operistike botërore dhe drejtuesit më të rëndësishëm të teatrove europianë “takohen” në Tiranë.

Artistët tregojnë vokalet, drejtorët u shtrijnë duart për shanse të jashtëzakonshme në karrierë. Këtë vit, është Inva Mula, producente dhe drejtore artistike e Festivalit e profesor Robert Radoja drejtor muzikor.

Një ndër surprizat e këtij edicioni është edhe ngjitja në skenë e sopranos së re Enkeleda Kamani, fituese e edicionit të kaluar të “Maria Kraja” dhe që këtë vit do të mbajë një peshë të rëndësishme, atë të prezantueses së këtij eventi. 15 konkurrentet e edicionit “Maria Kraja” 2016 janë: Lamia Beuque- Francë, Rachele Raggiotti- Itali, Maja Ceglar- Slloveni, Nora Carrasco- Spanjë, Krško Roman- Sllovaki, Renisa Lacka – Shqipëri, Perrine Madoeuf- Francë, Stefano Sorrentino- Itali, Yury Rostotsky- Rusi, Funda Yaziksiz- Turqi, Maria Eleni Striftompola- Greqi, Ilona Mataradze- Gjeorgji, Cecile Achille- Francë, Andrew Kymach- Rusi dhe Klodian Kaçani- Shqipëri.

Drejtoresha e TKOB Zana Çela dhe themeluese e “Marie Krajës”, ka lajmëruar se konkurrentët më të spikatur, do të kenë mundësinë që të përzgjidhen për role të ndryshme në repertorin e veprave operistike që do të jenë pjesë e kalendarit të këtij institucioni.

Juria ndërkombëtare përbëhet nga emra të mëdhenj si David Pountney- Drejtor Artistik i Operës Kombëtare të Uellsit dhe Kryetar i Jurive të Festivalit, “BBC Cardiff Singer of the World”. Në juri po ashtu janë: Eva Kleinitz- drejtore e “Opera Stuttgart”, Olga Kapanina- drejtore e kastingut në “Bolshoi”, Rocc Ralf- drejtor artistik i Teatrit Kombëtar të Operës në Slloveni, Giovanna Lomazzi, Zëvendës Presidente e festivalit “ASLICO” (Milano); Danusa Luknisova, Menaxhere arti (Itali), Bettina Funck-Bretano; CEO e “Organisation Artistique Internationale” (Paris); Zana Çela, Drejtore e TKOB.
Konkurrentët do të marrin pjesë në “Garën e arieve” dhe “Garën e këngëve”, repertor i zgjedhur me kujdes nga mjeshtri Robert Radoja.

Një special, ai i “Singer of the Future, Nina Mula”, vjen në këtë edicion si një vlerësim që jepet nga producentja Mula, për të nderuar emrin e nënës se saj, sopranoja e njohur, krahas çmimeve klasike (çmimi I, II, III e ai i këngës).

(GazetaShqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: