Nga: ARIAN GALDINI*

Gjyshja ime më tregon se prindërit e saj, ndonëse ajo ka lindur pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, në mendjen e tyre Stambollin e kishin gjithçka. Për ta Stambolli ishte bota. Kurrë nuk kishin qenë në Stamboll, kurrë nuk kishin dalë nga fshati i tyre përveçse për ndonjë dasmë a vaki. Ama, kur mendonin për diçka që është sa bota, patjetër që mendonin për Stambollin. Edhe në dasma këndonin e këndojnë ende edhe sot e kësaj dite shqiptarët, për kokën e Ali Pashës që shkoi drejt Stambollit. Pavarësisht fesë, besimit, kulturës, qëndrimit mbi historinë etj., etj., nuk ka shqiptar që nuk ka pak Stamboll brenda tij. Në një mënyrë apo tjetër, me dashje a pa dashje, ne e kemi përthithur nga pak Stamboll të gjithë në vetet tona. Ndaj edhe ngjarja e djeshme në aeroportin e Stambollit, ka tronditur kaq shumë secilin prej nesh. Përjashtime mund të bëjnë, jo ata që nuk kanë Stamboll brenda tyre, por ata që nuk kanë as shpirt e as mend.
Sipas gjyshes sime, dje u godit bota. Sepse ajo është rritur me idenë se Stambolli është bota.
Edhe sipas meje, sa herë djaj të terrorizmit godasin jetë të pafajshme kudo e ngado, neve na goditet bota.
Djajtë e terrorizmit nuk kanë fe, nuk kanë ngjyrë, nuk kanë shpirt, nuk kanë etni, kombësi, kulturë, asgjë. Ata janë bosh. Të zbrazur. Janë zgavra që mbushen vetëm me eksplozivë, bomba e kallashnikovë. Ata marrin kuptim vetëm në çastin e vetasgjësimit. Dhe kujtojnë se çasti i tyre bëhet i lumtur, pikërisht se së bashku me vetet e tyre, ata asgjësojnë edhe jetë të tjera të pafajshme. Për ne, ata marrin kuptimin e dhimbjes. Për veten e tyre, marrin kuptimin e kahershëm që i ka shoqëruar ngaherë si zgavra, pra asgjënë.
A mund të kenë ideale zgavrat e asgjësë? A mund të kenë besim në Zot zgavrat e asgjësë?
Kurrsesi! E pamundur! Madje, zgavrat e asgjësë që mbushen me eksplozivë, bomba e kallashnikovë janë as më shumë e as më pak, veç djaj.
Këtë gjë duhet ta kuptojmë e themi qartazi të gjithë, sepse djajtë nuk duhet të ngatërrohen me njeriun, as me fenë e as me kombësinë. Djajtë vijnë nga andejbota dhe janë e keqja jonë e përbashkët.
41 viktima e 249 të plagosur vetëm në sulmin e fundit të djajve në aeroportin e Stambollit. 277 viktima vetëm në 1 vit, në Turqi, nga sulmet e djajve mbi njeriun.
Djajtë nuk e shohin as fenë dhe as përkatësinë e viktimave. Djajtë nuk i kuptojnë e as u japin rëndësi këtyre gjërave. Sepse ata janë kundër njeriut si qenie.
Djajtë e terrorizmit duan të rrëzojnë njeriun. Duan të na kthejnë të gjithëve në qenie të frikësuara, që paskëtaj të na zbrazin lehtë e të na shndërrojnë në zgavra asgjëje.
Frika e zbraz njeriun. Dashuria e mbush. Kjo mbetet edhe lufta jonë më e madhe. Ne nuk duhet ta lejojmë frikën as të na kaplojë, e as të na propagandohet si murengritëse për vetëmbrojtje. Në emër të dashurisë ne të gjithë duhet të luftojmë kundër frikës dhe kundër djajve të terrorizmit.
Kjo botë nuk do të gjejë paqe po nuk u dha ferrin që meritojnë djajve të terrorizmit.
Dhimbjen që na shkatuan djajtë kur goditën botën e gjyshes sime, Stambollin, ne bëjmë mirë ta transformojmë në luftë të fortë në emër të dashurisë, kundër terorizmit.
Sepse Stambolli sipas gjyshes sime është bota. E kur na dhemb Stambolli, na dhemb sa bota.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: