Nga: ILIR SECI*

Të gjithë jemi të vetëdijshëm se një nga mangësitë kryesore të publicistikës shqiptare është besueshmëria, një e metë e cila ka ardhur si rrjedhojë e mungesës së objektivitetit të publicistëve shqiptarë, që janë marrë me zejen e shkrimtarisë.
Është për të ardhur keq që edhe sot në vitin 2016, ne shqiptarët, ende u referohemi studiuesve të huaj kur vjen puna për të mbyllur një diskutim apo një debat. Për të mbyllur një debat mjafton të sillet një citim nga një autor i huaj dhe me aq mbyllet argumentimi!
Arsyeja kryesore që shumica heshtin kur përmendet një autor i huaj është pikërisht objektiviteti, autori i huaj mendohet se nuk ka influenca brenda-shqiptare dhe për pasojë duhet besuar. Kjo nëmë, ky mallkim, na ka ndjekur dhe na ndjek me shekuj… dhe ka arsyen pse nuk duhen marrë për bazë publicistët shqiptarë?! Po ka, sepse në pjesën dërrmuese të tyre janë shumë subjektivë, nuk arrijnë të bëjnë distancimin objektiv të unit egocentrist nga ngjarja që kanë marrë përsipër të paraqesin, edhe pse i mungon sinqeriteti prej kompromentimit tyre në momentin e ngjarjes si konformizëm apo si shërbesë në anën e kundërt të asaj që duan të paraqiten sot apo nesër për atë që nuk ishin dje. Kjo është më e rëndë se konformizmi apo shërbimi tyre dje, pasi në kushte jo shtrënguese, sot falsifikojnë dhe manipulojnë historinë. Rrjedhimisht kjo ka sjellë zhvlerësimin e krejt asaj që është shkruar, duke e bërë të pavlefshme përpjekjen publicistike, duke e kthyer krejt mundin thjesht në shpërdorim letre dhe boje…
Janë të rralla veprat e shkruara nga publicistë shqiptarë, që të bëjnë t’u referohesh dhe t’i marrësh për bazë si analiza reale dhe t’i qëndrojnë kohës. Jo rrallë publicistë shqiptarë kur ribotojnë një vepër të botuar kohë më përpara, shënojnë në parathënie: “Autori e ka parë me vend të ndryshojë disa nga pikëpamjet e paraqitura në botimin e parë si rezultat i zhvillimeve të mëvonshme”! Kjo është e pafalshme! Historia nuk bëhet dhe zhbëhet sa herë na e kërkojnë interesat meskine, konformiste ideologjiko-politike, ajo ka shtratin e saj dhe duke u munduar ta manipulojmë, falsifikojmë atë sipas interesave të çastit dhe përfitimit të çastit. Në këtë vështrim nuk bëjmë gjë tjetër vetëm se shqepim e qepim rrena historike, duke mos lënë një histori të besueshme dhe të përbashkët. Ky soj historianësh e publicistësh më mire të mos e kishin botuar fare që në herën e parë, pasi dy rrena nuk bëjnë një të vërtetë!
Pikërisht një praktikë e tillë ka sjellë këtë inflacionim publicistik tek ne! Ka sjellë zhvlerësimin e analizave! Këndvështruar nga një perspektivë e tillë botimi i veprave që sjellin tjera qasje, vepra të thukëta që bazohen në faktografi dhe sjellin dëshmi të pakundërshtueshme përbën një ngjarje publicistike! Është ngjarje kur një publicist shqiptar del nga rrjeta e konformizmit, nuk përfill klishetë politike dhe me guxim shqipton të vërtetën! Një vepër e tillë është vepra “Guri i fundit i dominosë” e publicistit Ilir Demalia…
Demalia shfaqet si zë në vitet ’90, pikërisht në kohën që është ngurtësuar në vetëdijen kolektive shqiptare si “Koha e ambasadave”, një zë mjaft i guximshëm që këlthiste në terrin e konformizmit shoqëror shqiptar jo vetëm në mesin e vitit ’90, por shumë më përpara. Ilir Demalia ishte një nga ata që hynë në ambasadën gjermane në atë korrik të vrullshëm të vitit 1990 dhe me të mbërritur në Gjermani, u bë një zë mjaft i fuqishëm që demaskonte regjimin e fundit stalinist në Evropë. Si student në atë kohë e kujtoj shumë mirë impaktin e tij që brenda oborrit ambasadës, ku sipas gjithë dokumentacioneve dhe rrëfimeve të njerëzve të Sigurimit, ai u bë njeriu më i urryer për regjimin me qëndrimin e tij politik në ambasadë kundër regjimit, gjë që konfirmohet dhe nga korrespondencat e ambasadorit gjerman Werner Daum.
Impakti intervistave të Ilir Demaliajt në radion “Zëri i Amerikës”, kur i riu i arratisur nga ferri komunist denonconte krimet e diktaturës dhe bënte thirrje për ndryshime demokratike me një gjuhë plot argumentim dhe artikuluar qartë duke sjellë fakte e të dhëna denoncuese me një kurajë që vinte nga formimi dhe bindjet e shtërezuara të një kohë të gjatë. Nga 5300 vetë që hynë në ambasada, intervistat e tij në VOA dhe jo vetëm, por edhe më pas, në mënyrë konsistente është marrë me ngjarjen e ambasadave dhe siç thotë vetë Demalia, me “Gurin e fundit të dominosë”, ai e mbylli misionin e tij për këtë ngjarje. Nuk ishte e lehtë për atë kohë të ishe kurajoz as jashtë Shqipërisë, sepse, dora e zgjatur e Sigurimit mund t’ia bënte gjëmën fare lehtë kujtdo, në çdo vend të Perëndimit siç e dimë nga plot shembuj të hidhur. Duhet vlerësuar guximi dhe kuraja e Ilir Demaliajt për dy arsye; e para sepse Iliri me intervistat dhe qëndrimet e tij u dha një pamje tjetër të strehuarve në ambasada, që u cilësuan nga regjimi dhe jo vetëm, por edhe nga elita intelektuale e kohës si huliganë, rrugaçë, antishqiptar! Demalia provoi të kundërtën duke artikuluar qartë krimet e regjimit komunist, mosbesimin në ndryshime të vërteta demokratike nga elita intelektuale e regjimit, siç provoi dhe po provon koha me tranzicionin e pafund postkomunist nga ajo elitë që po sundon skenën e politikës shqiptare prej 25 vitesh; e dyta, Ilir Demalia u bë zëdhënës duke mospërfillur as rreziqet për veten dhe kërcënimet! Nëpërmjet ambasadave u larguan me mijëra shqiptarë, por vetëm një numër i kufizuar patën kurajën që të denonconin publikisht sistemin stalinist, Demalia mbetet në kujtesën historike për intervistat e tij në VOA nga gushti 1990 deri më 21 shkurt 1990 ditën e rrëzimit të shtatores së diktatorit Enver Hoxha! Me të njëjtën kurajë intelektuale Ilir Demalia shkruan edhe këtë libër, zgjedh të flasë drejt, të shkruajë shqip atë çfarë ka ndodhur ato ditët e ngjarjeve që tronditën themelet e diktaturës me të egër të Evropës. Autori ka parasysh se bëhet fjalë për ngjarje epokale në të cilat ai, siç e thekson edhe vetë, pati fatin dhe u përfshi…
Shpërthimi ambasadave ishte një kthesë shoqërore e paparë në kthinën e harruar staliniste të Evropës edhe nga Perëndimi, një vend i harruar nga të gjithë, në ditët e fund qershorit dhe fillim korrikut 1990 realizon rebelimin e një thyerje të paimagjinueshme tabush, shqiptarët shpërthejnë ambasadat e huaja në Tiranë dhe kërkojnë strehim politik! Për herë të parë në historinë e saj shtetërore shqiptare, gazetat dhe televizionet botërore hapen me Shqipërinë me shpërthimin e ambasadave në Tiranë.
Progresioni shoqëror, që tek kombet e tjera gjatë historisë ka marrë epitetin e revolucionit, siç është rasti i Francës për shembull, ngriti krye edhe në kthinën e humbur e të harruar të Evropës. Imperativi për ndryshim të stanjacionit të brendshëm fillimisht ngjizet në ndryshimet e vetëdijes së individëve si pjesëtarë të shoqërisë dhe në funksion të kësaj ideje, Ilir Demalia veprën e fillon duke na sjellë kontekstin kohor kur nisën ngjarjet… Si filloi?!… Autori ndërton një parantezë social-politike duke sjellë një tablo të plotë të realitetit shqiptar të vitit 1990, vit kur shoqëria shqiptare, më e shtypura dhe e vuajtura në Evropën Lindore lëngonte nga shtypja staliniste! Shtypje që bëhej edhe më e padurueshme në erën e ndryshimeve të Lindjes Komuniste. Perestroika sovjetike kishte dështuar, KNERI (Këshilli i Ndihmave Ekonomike Reciproke), kishte falimentuar dhe Byrotë Politike të krejt Lindjes Socialiste e ndjenin që po u shkiste toka nën këmbë. Falimentimi i KNER praktikisht nënkuptonte rënien e komunizmit në Europën Lindore, sepse pa atë organizëm ekonomik nuk mbaheshin dot më ekonomitë e Lindjes, që vareshin nga KNER-i i krijuar si balancë komuniste-lindore e Tregut të Përbashkët Europian, TPE-së Perëndimore…
Prandaj, atë vit me nuhatjen e kësaj shprese në Shqipëri po bëheshin edhe më të padurueshme vuajtjet e cilitdo individ që ishte në gjendje të bënte një deduksion të thjeshtë logjik. Varfëri ekonomike e skajshme, mungesa të të gjithë artikujve bazë të jetesës, radhë të gjata dhe absurde për gjërat më elementare! Pse!? ‘Pse’-të që shtoheshin përditë duke rritur presionin… Shoqëria shqiptare i ngjante një vullkani që ziente nën koren e tokës dhe kërkonte shteg dalje… Zakonisht shpërthimet e tilla janë pozitive, sepse kërkojnë lirinë, prosperitetin dhe modernizimin e shoqërisë, ndryshe nga revolucionet komuniste që sollën çnjerëzimin, regresin, ndërhyrjen e dhunshme në natyrën njerëzore!
Korriku 1990 nuk ishte rrufe për së kthjellti në qiellin e realitetit Shqiptar! Për të mbërritur deri te korriku 1990 u desh një udhë e larë me gjak dhe Ilir Demalia e qëmton shumë qartë në vepër se si mbërriti puna deri aty tek ajo datë e paharrueshme… Qetësisht, duke lënë mënjanë çdo emocionalitet, autori sjell preludin e asaj date, ngjarjet e janarit 1990 në Shkodër. Sakrificës së shkodranëve antikomunistë Demalia u përkulet me plot respekt, pasi ai ishte hapi guximtar që u hodh drejt shndërrimeve në Shqipëri… Autori me kujdes ka ndjekur artikujt e shtypit të kohës nga janari 1990 deri në korrik 1990. Edhe pse artikujt e botuar asokohe dilnin në shtypin e kontrolluar nga diktatura, prapëseprapë në ato artikuj ndjehet sizmika e panikut që kishte kapur bllokmenët! Minjtë parandienin mbytjen e anijes! Vizitat e Nanë Terezës, Perez De Kuelarit, ardhjet e shtuara të emisarëve politikë perëndimorë po dëshmonin se në atë kohë drejtuesit e shtetit diktatorial ishin në panik dhe kërkonin shtegdalje. Mënyra si e ndërton rezymenë Demalia, nga përmbledhja e artikujve të shtypit të asaj kohe – vendosja e “gurëve të dominosë” – dëshmon qartë se PPSH-ja e asaj kohe nuk kishte as më të voglin vullnet për demokratizim të vendit!
Përkundrazi, Ramiz Alia i gjetur ngushtë në situatën e mbas falimentimit të KNER-it, me shumë djallëzi po kërkonte një shtegdalje nga kriza pa ndryshuar asgjë në kursin politik! Byroja Politike e dinte se mbas rënies së KNER-it duhej të trokisnin në Perëndim. Por, kreditë dhe ndihmat nga Perëndimi – jetike për shtetin në krizë – vinin me kushte: Ekonomi Tregu dhe Pluralizëm Politik!
Pikërisht këta muaj nga janari 1990 deri në korrik 1990 janë muajt ku Ramiz Alia luan një lojë politike, shumë të dëmshme për fatet e vendit, lojë që i kushtoi dhe po i kushton Shqipërisë: para Perëndimit shtirej si reformator që gjoja kishte vullnet për ndryshime e nga ana tjetër urdhëronte forcat ushtarake që të vrisnin këdo që tentonte të arratisej! Në libër autori rendit rastet tragjike kur djemtë dhe vajzat shqiptare vriteshin në kufi në vitin 1990, përmend rastet kur kufomat e tyre ekspozoheshin udhëve për të ngjallur terror! “Këto akte barbare – thekson Demalia, – tregonin se sa të sinqerta ishin përbetimet e ‘reformatorit’ Ramiz Alia. Ashtu siç e kishte thënë edhe vetë diktatori pasues i Enverit – “reformat do jenë sipas parimit tërhiq e mos këput”. Në hulumtimin që i ka bërë shtypit të asaj kohe dhe veprave të botuara nga personazhe të asaj kohe, Demalia në tavolinën e dominosë politike rendit gurët sipas rendit që shkojnë, roli dyfytyrësh i Ramiz Alisë që mban dopio-gjashtën, roli i lojtarëve tjerë që mbanin gurët dhe ndiqnin lojën, na shfaqen më vonë aty, në “pluralizmin” politik, saktësisht, ashtu si drejtoi lojën Ramiz Alia, të cilin shumë analistë sot mundohen ta paraqesin si “reformator”. Demalia në këtë libër me faktografinë që sjell e dëshmon të qartë këtë lojë të Byrosë në vitin 1990, ku gurët për fat të keq u renditën sipas planeve të Katovicës…
Në një kontekst të tillë social-historik ndodhin ngjarjet që njihen si “Ngjarjet e Ambasadave”. Regjimi i ngulfatun në krizë ekonomike u gjet i papërgatitur kur shqiptarët mësynë masivisht ambasadat! Rasti nuk ishte i paprecedent, siç e thekson edhe autori, në Lindje kishte ndodhur në Hungarinë e revoltës së 1956-ës, ndërsa në Tiranë kishte ndodhur me familjen Popaj nga Durrësi, të cilët kishin hyrë në ambasadën italiane në vitin 1985.
Me objektivitet, duke shmangur dozat e protagonizmit, autori shkruan si rrodhën ngjarjet! Vite mbas atyre ngjarjeve kane dalë shumë “Trima mbas Beteje e të Urtë mbas Kuvendi” dhe thonë se u shtynë nga kjo ose ajo arsye, por e vërteta është se futja në ambasada që i dha shkundëllimën më të fortë ngrehinës së diktaturës, ishte përgjigja e të pakënaqurve nga regjimi ndaj lojës “tërhiq e mos këput” të Ramiz Alisë. Futja në ambasada shërbeu si katalizator shoqëror që përshpejtoi proceset shndërruese dhe çorri maskën e regjimit që para Perëndimit luante kartën “Populli është me Partinë”. Burrat dhe gratë, djemtë dhe vajzat që hynë në ato ambasada ishin nga të gjithë shtresat shoqërore, por e kishin të njëjtë urrejtjen ndaj regjimit. Demalia analizon këtë aspekt në libër pasi ambasada gjermane, ku u fut autori i librit, kishte numrin më të madh të njerëzve që kërkuan strehim. Demalia na jep një pasqyrim të plotë të përbërjes së asaj mase njerëzish, që për ditë dhe net me radhë ndenjën në këmbë në hapësirën e kufizuar të ambasadës. Janë përshkruar me mjaft mjeshtëri ndodhitë e atyre ditëve që Demalia i sjell para nesh si një tablo e gjallë, me një intensitet rrëfimi sikur i ka xhiruar një kamera, gjë që e bën lexuesin ta përjetojë realisht atë ngjarje. Demalia vë në lëvizje krejt natyrshëm dramatiken dhe groteskun të shkrirë deri në një absurd, ashtu siç dhe vetë absurd ishte jeta në regjimin më të egër komunist në Evropën Lindore. Libri i Ilir Demaliajt është një dëshmi që do i mbetet historisë jo vetëm për faktin që është shkruar nga një dëshmitar aktiv i atyre ngjarjeve, por edhe për faktin se është shkruar me objektivitet dhe një analizë sociale-politike të kohës me fakte të pakundërshtueshme duke na sjellë një model publicistike që mungon në traditën tonë, publicistikën objektive.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: