Nga: FLUTURA AÇKA *

Kur në krye të herës, me zellin e tij prej djaloshi të ri, zoti Veliaj bënte dëgjesat me popullin e thjeshtë, nisa të bindem e çoç do të bëhet me Tiranën, që paraardhësit e tij e kthyen një ndër kryeqytetet më të pabanueshëm në botë. Me aq besim e mora edhe çështjen e parkut, sigurisht e joshur nga ideja se më në fund po u mendokërka edhe për fëmijët, dhe do të kisha vazhduar ta mbaja bindjen, nëse menjëherë pas protestës së shoqërisë civile për mbrojtjen e parkut, të mos dilte në mbrojtje të projektit të bashkisë një dikush që e kisha ndeshur vite me parë në rrethana të çuditshme, dhe për të cilin e di që është veçse një rrufjan i parasë.
Diku nga pranvera e vitit 1999, me disa miq poetë kuturisëm të bënim një festival të vogël poezie në qytetin tim të lindjes, Elbasan. Njëri prej miqve tanë, u mor dhe gjeti disa para edhe nga Ministria e Kulturës së atëhershme, ishte fjala për nja 300 mijë lekë të reja, nga të cilat në buxhetin e festivalit mbërritën vetëm dy të tretat, me ç’arsye mbetën pa paguar çmimet e poetëve dhe ca detyrime të tjera. Dorëzanësi ynë në Ministrinë e Kulturës, një poet edhe ky, u shpjegua me sinqeritet se ato para i kishte lënë në ministri dhe ua kishte dhënë atyre që e kishin ndihmuar. Në kërkim të së vërtetës dhe për t’u ankuar, u drejtuam kah dikush që merrej me ftillimin e këtyre çështjeve, të cilin, nga nxitimi i asaj dite, e ndeshëm në trotuarin para ministrisë. Ai, pasi na dëgjoi me një shkujdesje të plotë, na kërkoi të vinim një ditë tjetër. Ne ishim të ngeshëm (po kërkonim paratë e vjedhura të një projekti të vjetër, ai kishte punë me projekte te reja!). Kur u kthyem te dorëzanësi ynë dhe i treguam për takimin, ai qeshi me të madhe dhe tha se mu pikërisht atij që kishim takuar, ia kishte dhënë paratë, dhe se po të mos “hanin” ata vetë të parët, nuk jepnin para njeriu. Të gjithë personazhet e kësaj historie: Poeti që iu vodh çmimi, poeti dorëzanës dhe dy shoqëruesit e mi poetë në takim, janë të gjithë të ndjerë, ndaj nuk po ua përmend emrat. Të vetmit që mund ta dëshmojmë jemi ne të dy, unë dhe Mister 30%, i cili, jam e sigurt, as që e mban mend këtë gjë. Kështu që nuk kam asnjë dyshim më se çfarë do të bëhet me parkun, se mes ngastrave të vogla të gjelbëruara përqak Tiranës, Parku Kombëtar i Tiranës është copa më fitimprurëse, nga e cila, rrufjani i historisë sime dhe ata pas tij, do të dalin paq.
Por t’i kthehem çështjes sime kryesore. Në një nga fjalimet e para të zotit Velija, menjëherë pas protestës së shoqërisë civile, e cila e akuzonte se bashkia kishte prerë pemë gjatë nisjes së punimeve të projektit të tij, ai u shpreh publikisht: “Nëse te parku është prerë qoftë edhe një pemë, unë do të jap dorëheqjen!” Pyetja ime publike për kryebashkiakun tim, është kjo: “Nëse ka prova se me nisjen e projektit të bashkisë, janë prerë pemë, qoftë edhe një pemë (e pasëmurë!!!), a do ta japë ai dorëheqjen?” Sepse këtë çështjen e dorëheqjes ai e ka përmendur disa herë në fjalimet edhe për të tjera gjëra, si të jetë ndonjë kërcënim se po e dha ai dorëheqjen, e pat edhe Tirana; ose si të jetë një formë intimidimi publik, veçmas për qytetarë joskeptikë, me të cilët në përgjithësi manipulojnë politikanë tipikë populistë. Sepse, nëse janë prerë vërtet pemë, dhe kryebashkiaku ynë nuk e mban fjalën e tij publike, do të thotë se ai bën vetëm demagogji, dhe për një politikan të ri si ai, kjo është shumë trishtuese për ne. Ose, nëse vërtet do ta japë dorëheqjen për prerjen e një peme (në botë e kanë dhënë edhe për më pak se kaq), do të thotë se politika shqiptare vërtet ka filluar të mbajë erë Europë. Këtë të gjithën e dyshoj, sepse në Shqipëri politikanët nuk e kanë dhënë dorëheqjen as kur kanë vrarë njerëz, as kur kanë vjedhur publikisht, as kur kanë betonuar qytetet të tëra dhe as kur kanë bërë gjëma të mëdha hapur e fshehur. Sepse janë pashallarë, dhe qysh nga çasti kur bëhen pashallarë, nuk janë më të zgjedhurit e popullit, por të zgjedhurit e fatit: kanë lindur të vdesin pashallarë.
Në mendimin tim personal, prekja e të vetmit park natyral në Tiranë, është një krim i madh ekologjik, një nga goditjet e fundit që i bëhet Tiranës së gjelbër. Etiketimet për shoqërinë civile që proteston në te drejtën e saj, si “tufë delirantësh që kacavirren për të dalë në televizion”, përgatitja e antimitingjeve me fëmijë e kësidoresh, provokimi me policinë, arrestimet dhe dhunimet e përfaqësuesve të tyre, fyerjet dhe poshtërimet publike, qesëndisjet nëpër media të eksponentëve të shoqërisë civile, ngritja e padive “shtetërore” ndaj fjalës dhe protestës së lirë, shitja e kauzës së tyre të pastër qytetare si kauzë opozitare dhe e ndërsyer nga opozita, thjesht për të tulatur të tjerë qytetarë të trembur, shpjegojnë vetëm frikën e politikës ndaj zullumeve që fshihen pas projekteve jotransparente. Nëse ka një politikan shqiptar të krijuar ekskluzivisht nga media, jo aq nga punët e tij, është vetë kryebashkiaku ynë. Dhe atij nuk i është dashur të kacavirret nëpër to, por media shqiptare i ka krijuar atij me bujari mundësi të artikulohet, sepse ka besuar se, si i ri që është, mund të bëjë diçka për Shqipërinë, pa imituar politikën e vjetër të baltës, dhe pa përdorur mjetet e dhunës së politikës së vjetër ndaj qytetarëve të lirë, mes tyre edhe ca nga ata që e kanë votuar. Dhe madje ende, nëse ka një politikan që kontrollon mediat, që flirton me ta përditë, që i bën miq me darovitje për t’i pasur gardianë të censurimit të rreshtave kundër tij, ai është vetë kryebashkiaku ynë. Edhe për këtë kam prova me emra, por po ia kursej lexuesit, që duhet të mendojë për halle më të mëdha. Fundja, kryebashkiaku ynë e ka kuptuar më mirë se çdokush se si mbijetohet në kasollen e ndrikullave.
I kujtoj kryebashkiakut tonë se edhe unë kam besuar tek ai, dhe vazhdoj ende të besoj, i kujtoj edhe se i kam shërbyer në ndonjë rast edhe kauzës së tij të dikurshme; edhe me taksa të shoqërisë holandeze. Duke nisur qysh nga rrëfimet e të premteve të vona në “Zonë e lirë”, me rrëfimet se në ç’cep të botës gdhihej e në ç’cep ngrysej si bohem, e deri sot si kryetar bashkie, zoti Veliaj është politikani që është fanepsur në media më shumë se çdokush në këta njëzet e pesë vite, madje duke konkurruar shpesh kryeministrat e vendit. Për t’i kujtuar se “ç’tufë delirantësh”, janë protestuesit e sotëm, kryebashkiaku mjaft të të ktheje kokën te “Mjaft” i tij, dhe të kujtojë beteja të njëjta, të cilat asnjë qytetar i arsyeshëm nuk i quajti “tufë delirantë”, as përpjekjet e tij dhe shokëve të tij për të sensibilizuar shoqërinë shqiptare nuk i qesëndisi si kacavjerrje për të rënë në sy. Ajo që më habit në gjithë këtë histori është mpirja e ish-ambientalistëve të dikurshëm, të cilët i kam parë në beteja të ngjashme. Kam dëshirë të di se ç’ndodh në ndërgjegjen e tyre, pavarësisht rehatisë që u ka dhënë pushteti sot. Ata mund të ndikojnë edhe në vendimet e bashkisë sot, kur ato janë të padrejta ndaj idealeve të tyre, dhe kauzave të dikurshme.
Por e mira e do që një kryebashkiak, të mos nxitohet edhe kur flet, të mos e hajë mikrofonin dhe fjalët e tij, sepse njerëzit kanë nevojë edhe të reflektojnë vetë, të paimponuar. Para disa javësh në një mbështjellje të partie për të ndarë triskat e reja të frontit politik, ai u shpreh publikisht se “ka vetëm një rrugë të vetme për t’i shërbyer Shqipërisë, dhe ajo është anëtarësimi në PS”. Vërejtja ime do të ishte e njëjtë edhe nëse do ta kishte thënë ndonjë politikan i ndonjë ngjyre tjetër këtë shprehje, por për momentin ata nuk e kanë fatin të jenë drejtpërdrejtë në disa televizione kur i thonë broçkullat e tyre. Duke e thënë këtë nxitueshëm, ja kështu siç e perifrazova unë, i vihet një laps i zi mbi të gjithë ata shqiptarë që nuk militojnë nëpër partira, por që shpesh i kanë dhënë Shqipërisë shumë më shumë se ca në politikë. Jo të gjithë kanë detyrimin dhe nevojën të jenë në rreshtoren e partive, dhe fyerja publike se janë të pamundshëm t’i japin Atdheut pa qenë në parti, nuk i shërben shembullit të mirë dhe qëllimit për të bërë një shoqëri më të mirë se kjo që kemi të gjithë bashkë. As etiketimi si armiq të gjithë atyre që nuk ndajnë të njëjtin mendim me ty, madje duke i shpallur ekstremisht edhe si “armiq të popullit”. Një gjeneratë e re politikanësh, duhet të gjejë një gjuhë te re komunikimi, atë të pranimit dhe të tolerancës së zërit kundër, zë që bota e qytetëruar e paguan ta ketë, që të kuptojë gabimet e veta.
As postimi i fotove të parqeve në botë, nuk është argument që i bind qytetarët e Tiranës, pasi vërtet bota i bën parqe të tilla fëmijësh brenda parqeve, por ka përreth qyteteve aq shumë parqe natyralë, dhe aq të mëdhenj, sa mund ta sakrifikojnë ndonjërin prej tyre me zell për fëmijët. Dhe meqenëse po flasim për fëmijët, mjaft t’i hedhësh një sy çerdheve e kopshteve të Tiranës, të kuptosh se në çfarë katastrofe ekologjike i rrisim fëmijët. Asnjëri prej kopshteve e çerdheve të Tiranës, nuk e ka një oborr, por përpara fasadave tyre janë parkingje, përmes të cilëve prindërit një Zot e di se si e gjejnë hyrjen, pa menduar më për të hapur dritaret nga tymrat e gazrat, pa menduar më për qetësinë e edukimit të tyre, pa menduar më për ndotjen e dhunën vizuale që këta fëmijë përjetojnë përditë. Këtë gjë, kryebashkiaku ynë besoj e ka vënë re edhe vetë gjatë aksionit të tij për lyerjen dhe ndreqjen e kopshteve dhe çerdheve, aksion që e kam duartrokitur si qytetare e Tiranës.
Këto radhë janë të një qytetareje që beson ende se Shqipërinë do ta bëjnë të rinjtë, mes tyre edhe zoti Veliaj, por me kushtin të mos ndjekin rrugën e baltës së paraardhësve të tyre, të kenë respekt qoftë edhe për një votues të vetëm, dhe të mos harrojnë të kërkojnë ndjesë kur gabojnë ndonjëherë. Jo të tregojnë forcën e pushtetit të tyre me një betejë mes të pabarabartëve, siç është kjo sot për parkun e Tiranës mes tij dhe shoqërisë civile. As të mos përdorë fëmijët dhe askënd tjetër për zullumet ku shpesh politika të shtyn të bësh.
Fëmijët dhe përdëllimi për ta, të cilët janë mjerisht mishi për top në këtë histori të parkut të Tiranës, më kujtojnë mbylljen e romanit “Turpi” të nobelistit J.M. Coetzee. David Luri, profesori i famshëm u rrek të hynte në histori duke shkruar një opera, të tillë që nuk kishte parë historia deri atëherë. Por tek e shkruante këtë kryevepër, me të cilën ëndërronte do të hynte në histori, i duhej të përkëdhelte përditë qentë e pamundshëm dhe pa zë, që dorëzoheshin në klinikën e qenve, dhe ashtu, duke i dhënë një përqafim të fundit, i çonte drejt e në krematorium. Pastaj kthehej sërish e shkruante kryeveprën e tij si himn të dashurisë njerëzore. Por, për fat të keq, kishte harruar një gjë të vetme në jetë: kishte harruar diku të kërkonte Ndjesë.
* Shkrim i shkruar enkas për “GSH”. Utrecht, 10 mars 2016
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: