Nga: KIÇO BLUSHI*

Kryeministri Rama u shfaq sërish këto ditë për të na bërë me dije se pas 21 korrikut, falë miratimit me 140 vota unanime (me “konsensus… patriotik” të paparë e të padëgjuar!) të reformës së drejtësisë, tanimë ne do të jetojmë në një tjetër Shqipëri. Kuptohet: Më të mirë, më të sigurt, më demokratike, me një trend në rritje të ekonomisë, të investimeve të huaja, sigurisht edhe të standardeve demokratike, etj, etj…Më në fund duket se, sipas krerëve tanë, ka marrë kuptim real autothirrja “O sa mir’ me ken’ shqiptar, ohej!”
Dikush afër altoparlantit të tij kryeministror shkoi ca më larg: Zbuloi që tash ne po jetojmë në republikën e tretë, apo të katërt, d.m.th në një tjetër republikë, e cila më në fund po shkon me hapa të sigurt drejt demokracisë funksionale, të vërtetë, si dhe drejt një drejtësie të bardhë, të pavarur, e cila me gjasë nuk ka për të bërë dallime e selektime politike, nuk do të japë më padrejtësi, duke na e shtruar qilimin, si shpërblim, në udhën e mundimshme për anëtarësim në BE, pas këtij stërmundimi “reformal” e “konsuesual” që e udhëhoqi me dorë të hekurt çifti i dy ambasadorëve të plotfuqishëm, Lu e Vlahutin.
Edhe pse votimi me konsensus 100% i ngjau fushatës së dikurshme me të deleguar nga qendra për të kryer me hir e pahir kolektivizimin “vullnetar” të katundarëve, -kur, po të mos hyje në kooperativë do të shpalleshe kulak,- pluralizmit tonë të majekrahit gjithsesi nuk i kanë munguar ndërkohë kërleshjet dhe sulmet e ndërsjella të palëve me arrestime të pritshme të përçorëve të politikës, të Berishës, Metës e Ramës…
Këta, ende pa hyrë në fuqi reforma, si për të na provuar seriozitetin e pavarësisë së nesërme të drejtësisë nga politika, paracaktuan, dy ditë pas 22 korrikut, se kush do të futet nesër në burg…Reforma kuptohet si një mundësi për të futur në burg kundërshtarët politikë, se sa për të ndryshuar marrëdhënien e drejtësisë me shoqërinë. Ndaj, për të siguruar alibinë, secili syresh ngulmon të përvetësojë (më së tepri për imunitet vetjak, se sa për lavdi…) fitoren, meritën, “historinë e suksesit”, dashurinë e kancelarive dhe të ambasadorëve, duke ia lënë në derë kundërshtarit kopilin e antiamerikanizmit, antievropianizmit, të stagnacionit të krimit e të korrupsionit…
Dhe ec e thuaj pastaj që kjo nuk është hipokrizi e nivelit më të ulët ballkanik!
***
Por “konsensusi patriotik” i shfaqur me dhunë e bujë ambasadoriale më 21-22 korrik nuk ka mundur të përjashtojë konfliktin politik, përkundrazi. Mesa duket që në ditët e para u pa se është frika e ndëshkimit dhe puthadorësia ndaj ndërkombëtarëve dhe jo interesi kombëtar që përcakton sjelljen politike të krerëve. Edhe sovraniteti i sotëm, për të cilin u fol aq shumë këto ditë, thuhet sikur nuk ka pse të ketë kurrfarë lidhjeje me sjelljen si kuislingë të parisë sonë politike. Por në historinë moderne të Shqipërisë nuk ka pasur rast të ngjashëm që Kushtetuta, jo në një, po dy herë, të ndryshohet në themel me urdhër nga “lart” për llogari klienteliste si dhe prej frikës se mos krerët aktualë do ta humbasin pushtetin.
Nuk ka shqiptar që nuk e ka kuptuar tashmë, nga gjithë kjo tollovi estradeske për reformën, që krerët tanë partiakë nuk e kanë frikë gjykimin e popullit, madje as të historisë. Na mbajnë për budallenj të gatshëm e të destinuar të hamë e të përtypim deklarimet e tyre, edhe kur na thonë sa të lumtur jemi nën qeverisjen e tyre…Ata nuk e kanë frikë gjykimin e opinionit publik, as të medias e as të votës, pasi na quajnë dele, kollaj të manipulueshëm, me që jemi mësuar “të hamë bar”, me që vazhdojmë të luftojmë sa për mbijetesë…Ata janë sinqerisht të bindur se zgjedhjet dhe paprekshmërinë e tyre nuk i përcaktojmë dot ne, as gjykatat, as vota popullore, po kancelaritë e huaja, më saktë: Simpatia apo antipatia e ambasadorëve, “vija e kuqe”…
Dhe jo se nuk kanë të drejtë. Sepse ligjet janë formuluar në atë mënyrë që ata të jenë të përjetshëm e të paprekshëm. Ndaj frikë kanë vetëm ndërkombëtarët. Ndaj ne si qytetarë bëjmë sikur zgjedhim, bëjmë sikur votojmë. Diskutojmë me zjarr për politikën e krerët partiakë nëpër kafene e mejhane, nëpër dasma e vakira, por ama nuk dimë të protestojmë. E jo vetëm ne, po edhe forumet partiake, përfshi edhe të ashtuquajturit “senatorë”, madje edhe vetë kryetarët e plotfuqishëm partiakë kur gjenden përballë morsës së ndërkombëtarëve nuk janë në gjendje të gjejnë vetë konsensusin “patriotik” për ndryshimet kushtetuese, po qe se nuk detyrohen, me përdhunë, nga “krokodilët” e kancelarive të huaja, të lëpijnë edhe ato që kanë pas pështyrë e vjellë një ditë më parë…
Sepse ata, pa përjashtim, nuk ndjejnë asnjë lloj përgjegjësie e detyrimi moral e ligjor për fatet e kombit, por vetëm për fatin e vet: A do të mbeten në pushtet? Kuislingët e Jakomonit kur Shqipëria ishte e pushtuar nga fashistët, për hir të së vërtetës nuk janë kërcënuar të mbyllen prej tij me dryn, po qe se nuk pranonin të firmosnin dekretet e mëkëmbësit të mbretit. Edhe kur u vunë në bankën e tradhtarit, kur u kërcënuan me vdekje nga komunistët, ata deklaruan se vendimet qeveritare nuk i kishin marrë me dhunë nga pushtuesi, por nga bindjet e tyre nacionaliste…reforma në drejtësi, aq shumë e lartësuar si shpëtimtare e shoqërisë, po bëhet me shkelje. Kështu, zonja e nderuar Vlahutin që nga Kukësi e më pas edhe Euraliusi dhanë urdhër të prerë që ligjet mbështetëse, sidomos ai për vetingun të miratohen këto ditë edhe pse Kuvendi quhet i mbyllur, edhe pse Kushtetuta në fuqi miratimin e ligjeve të kësollojta i lejon të bëhen pas dy javësh nga botimi në Fletoren Zyrtare. Dhe kështu do të ndodhë. Ku mund të bëjë kjo vaki që një reformë për drejtësinë të kryhet me shkelje kaq të hapura, brutale e flagrante të Kushtetutës?
***
Kjo risi në politikëbërjen e sotme ka shkuar deri aty sa u bë e pamundur dhe u quajt e natyrshme që opinioni ynë publik të detyrohej të bindej se reforma e drejtësisë më shumë u lipsej amerikanëve dhe brukselianëve, se sa vetë shqiptarëve. Edhe kjo çudi-mrekulli nuk ka ngjarë kurrkund, në asnjë shoqëri, me asnjë reformë, të madhe a të vogël, historike apo revolucionare. Reformat, ashtu si operacionet kirurgjikale, nuk bëhen mbi trupin e të sëmurit me “duar të deleguara” jashtë sallës së operacionit dhe trupit të pacientit, pasi në rastin më të mirë operacioni mund të dalë me sukses, paçka se i sëmuri vdes…
E megjithatë sot të gjithë përbetohen e flasin në emër të popullit, si krerët partiakë dhe ndërkombëtarët…Këta përsëritin si argument sondazhin sikur 93% e qytetarëve shqiptarë mezi e kanë pritur reformën e drejtësisë…Po kush e ka bërë këtë sondazh? Dhe përse nuk ka pasur një sondazh për të hulumtuar qytetarët nëse ata e njohin sadopak reformën dhe nëse janë të bindur që kjo reformë do të sjellë ndryshimin e shumëpritur?
Fakt është që jo vetëm populli, por as shumica e deputetëve që e votuan me “konsensus patriotik” nuk e njihnin, nuk e kishin lexuar reformën, nuk i dinin “ndryshimet kushtetuese”, të cilat u bënë në minutën e fundit, teksa “baballarët e kombit” prisnin në sallën e Kuvendit, të ngujuar, të votonin diçka që askush nuk e dinte se ç’ do të dilte nga furra e “negociatave”.
Duhet të jetë rast unikal jo vetëm në botën e qytetëruar, por dhe në ato afroaziatike, që kryeministri të deklarojë zëplotë se edhe ai nuk e njihte e nuk e kishte lexuar draftin e reformës, por, pavarësisht nga kjo, madje edhe falë këtij “argumenti” (që medemek provonte “asnjanësinë” e tij…), reforma duhej miratuar, pasi atë na e kërkonin aleatët strategjikë.
Të urdhëruar nga kryetarët përkatës të partive, nën vëzhgimin e dy diplomatëve, në mesnatë deputetët prisnin me durim e krenari që të prodhoheshin e të shpërndaheshin nga administrata e Kuvendit fotokopjet, që të kryhej “procedura” e mundësisht të mos kapërcehej (në asnjë mënyrë!) data 21 korrik, e cila ishte përcaktuar nga dy ambasadorët me ultimatum të prerë. Nuk ishte e nevojshme të kish as diskutime formale, as reflektime, as kundërshti për një reformë që quhet historike, thelbësore, jetike. Duhej pra të dukej para kamerave sikur edhe ata, deputetët, madje edhe tre kryetarët e tyre, e kishin lëçitur reformën, ndaj po e votonin me gëzim e pa detyrim…
Sa më sipër dihen. E vërteta është se këtë lloj propagande, sipas së cilës “fitoi Shqipëria”, sot nuk e ha asnjë shqiptar, me e pa shkollë, partiak apo i pavarur. Hë për hë duhet pranuar se e vetmja meritë e padiskutueshme e kësaj reforme deri tani është: Më shumë se kurrë na u dha mundësia të shohim e të kuptojmë konkretisht se kush na drejton; se sa integritet e personalitet kanë krerët e sotëm; se sa të drejtë e të ndershëm janë; se sa të përkushtuar e të pavarur janë nga fajet, mëkatet, nga zullumet, tahmatë, krimet dhe gjynahet e tyre…Si dhe, mbi të gjitha: sa të vetëdijshëm e sa hipokritë janë realisht ata për të mbrojtur interesin kombëtar.
Kjo pa asnjë dyshim vlen më shumë edhe se vetë reforma.

(d.d/GSH/BalkanWeb) 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: