Nga Behar Bejko

Në vend të një hyrjeje. Rast i mirë për të treguar një mrekulli. I krijuar në një vend mik të shqiptarëve. Nuk mundem të mos i kushtoj këtë dedikim të sinqertë, popullit emiratas dhe udhëheqjes së tij. Miqve të rinj, por të sinqertë, të Republikës së Shqipërisë (RSH), Republikës së Kosovës (RK) dhe kombit shqiptar, dhe kjo veç prej 25 vitesh. EBA po përgatitet të festojë, me krenari më se të ligjshme, jo thjesht jubileun e 45-të të shtetit të tyre, të themeluar më datë 02 dhjetor 1971, por një mrekulli të përbërë nga shtatë emirate (qytet-shtete). Dedikimi im pra, i shkon kremtimit të një mrekullie politike, ekonomike, shoqërore, multikulturore e fetare. Duke e njohur prej një kohe të gjatë botën arabo-myslimane, historinë e saj të vjetër dhe të re, në thellësinë e respektit dhe dashamirësisë sime për këtë botë, kam uruar dhe mëtuar përherë. Që kjo mrekulli emiratase të frymëzonte, ndriçonte, bënte për vete, popuj dhe vende të tjera myslimane.

Posaçërisht në rastin kur janë të ngjashme me të për nga pasuria, në Lindje të Mesme. Sepse, vende me pasuri më të mëdha dhe me histori shtetformimi dhe zhvillimi mijëravjeçar më të vjetër se EBA përfunduan në fushëbeteja luftërash lokale, rajonale, fetare, ndërfetare. Në shtete të falimentuara. Me rrënim total të ekonomisë, kulturës, civilizimit e infrastrukturës. Në varreza për mijëra viktima, largime masive popullatash dhe varfëri të tejskajshme. Me bindje të thellë mendoj, krahas shumë faktorëve dhe aktorëve gjeopolitikë, edhe për shkak të lidershipit diktatorial, të korruptuar, të dhunshëm, gjakatar dhe politikave të tyre antikombëtare.

Mjafton të kujtojmë, veçmas, pasuritë e Irakut, Libisë dhe të kuptojmë rolin tepër shkatërrimtar të lidershipit të tyre dhe lidershipit në përgjithësi për çuarjen e vendeve dhe popujve të tyre drejt greminave, nga ku një Zot e di se kur do të ringrihen përsëri. Ndryshe ka ndodhur me fatin e popullit emiratas, i cili ndjehet fatmirësisht i privilegjuar dhe optimist që jeton në një vend të begatë, të bekuar me qetësi, siguri, stabilitet, rritje ekonomike. Pavarësisht se Zoti e ka vendosur në një zonë ku përplasjet e të mëdhenjve, cunamet gjeopolitike, organizatat fetare terroriste, ndarjet dhe konfliktet vdekjeprurëse sektare në\për interes të shteteve të tjera, grindjet territoriale, ambiciet dhe armatimi nuklear i shteteve të veçanta rrezikojnë seriozisht mbijetesën e shumë shteteve dhe popujve të Lindjes së Mesme.

Historia pozitive e marrëdhënieve mes kombit shqiptar dhe EBA:
Pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve vitin 1992, prania e parë emiratase në RSH shfaqet me punën dhe ndihmën mjaft të madhe, cilësore dhe jodiskriminuese fetarisht të Shoqatës Bamirëse të EBA, e njohur më vonë si Gjysmëhëna e Kuqe e EBA. Shuma të mëdha, të kontrolluara zyrtarisht nga shteti emiratas, prej 1992 e deri aktualisht në RSH dhe Kosovë ndihmuan\ndihmojnë mijëra fëmijë jetimë, nënat dhe familjet e tyre deri në moshën e adoleshencës. Shkolla profesionale dhe konvikte, kurse formime profesionale u hapën për të rinjtë dhe të rejat shqiptare në tërë territorin shqiptar. Ndihma monetare të përvitshme i janë transferuar zyrtarisht Komunitetit Mysliman, si ndihmë për pagesa të imamëve dhe mbarëvajtjes (rindërtimit, ndërtimit, pajisjes) së dhjetëra objekteve të kultit. Viti 1999 do të ishte viti i ndihmës së pakursyer materiale, monetare, ushtarake të ushtrisë së EBA në qytetin e Kukësit dhe Tiranës, në ndihmë të shqiptarëve të dëbuar nga dhuna miloshevoçjane nga trojet e tyre në Kosovë.

Ishte simpatia mjaft e madhe për kombin shqiptar e lidershipit emiratas dhe sidomos ish-Shefit të Përgjithshëm të Ushtrisë emiratase, aktualisht Princi i Kurorës së Abu Dhabit; Zv/ Komandant i Përgjithshëm i FA të EBA, sheikut Mohammed bin Zayed dhe e gjeneralëve të tij, Faris Al Mazrouie dhe Obeid Al Kotbi, që bënë të mundur jo vetëm ndihmë emiratase në RSH, por edhe pjesëmarrjen e Ushtrisë së EBA krahas forcave të NATO-s në Vushtri, Kosovë, pas vitit 1999 deri vitin 2005. Për rindërtimin e Kosovës, por edhe për ruajtjen e stabilitetit dhe paqes mes shqiptarëve dhe serbëve në këtë rajon. Ishte Sheiku Mohammed Bin Zayed, i cili mundësoi financimin për ndërtimin e aeroportit vendor “Zayed Bin Sultan” në Kukës dhe pajisjen e tij me aparaturat e navigimit ajror. Për fat të keq, edhe pas 11 vitesh ky aeroport është ende i pavënë në funksionim edhe sot. Një kontribut të madh në forcimin e marrëdhënieve mes kombit shqiptar dhe popullit e qeverisë emiratase ndër vite kanë dhënë pa dyshim personalitete shqiptare. Z. Ilir Meta, ish-zv/kryeministër, kryetar i Komitetit për Pritjen e vëllezërve shqiptarë të Kosovës në vitin 1999, i cili ideoi dhe u përpoq shumë derisa mundësoi financimin dhe ndërtimin e aeroportit në Kukës nga pala emiratase. Ndihmesë të vlefshme për vijimin dhe forcimin e këtyre marrëdhënieve dypalëshe kanë dhënë edhe ministrat e Jashtëm shqiptarë, z.Basha, z.Meta, z.Haxhinasto, z.Panariti dhe z.Bushati.

Përpos përmbushjes së detyrave funksionale ministrore, kanë zhvilluar dhe mirëmbajtur marrëdhënie dhe kontakte miqësore vetjake me ministrin e Jashtëm emiratas, mikun e madh të shqiptarëve, Sheikun Abdullah Bin Zayed. Kryeministri, z.Rama, me vizitën e tij zyrtare në EBA në prill të 2015-ës konsolidoi më tutje këto marrëdhënie, duke i futur në shinat e konkretizimit dhe pritshmërive pozitive të ardhjes së investimeve nga EBA. Hapja e ambasadës shqiptare në EBA në shtator të 2010-ës ndihmoi dhe ndihmon shumë në diversifikim të marrëdhënieve të shkëlqyera midis dy vendeve dhe popujve tanë, për më shumë njohje reciproke të aktorëve privatë të biznesit. Sidomos me theks të veçantë për kalimin nga faza e granteve, ndihmave dhe kredive të buta shtetërore emiratase për RSH e RK, në investimet vetjake emiratase nga më seriozet në botë. Për këtë pala, emiratase prej kohësh është në pritje që pala shqiptare t’u paraqesë studime biznese dhe projektesh të plota dhe të shoqëruara me tërë garancitë ligjore dhe pronësore. Theksojmë faktin mjaft të lavdërueshëm se, EBA e ka ndihmuar Shqipërinë me kredi të buta, me anë të Fondit të Abu Dhabit të Zhvillimit (FADZH) në vlerat 100 milionë $ për segmente të Rrugës Tiranë-Elbasan dhe 50 milionë euro për zbatimin e projektit të bulevardit të ri të Tiranës.

Emigracioni shqiptar rinor u shtua gjatë viteve të fundit nga dhjetëra në disa qindra të rinj shqiptarë, të cilët punojnë kryesisht në Dubai, ku përftojnë një përvojë të madhe profesionale në një mjedis ndërkombëtar konkurrues dhe cilësor. Në Kosovë, EBA ka gjetur tek ishpresidentja Atifete Jahjaga, një mike të madhe të tyre dhe kjo e fundit ka gjetur te Nëna Mbretëreshë, Fatima Bint Mubarak, bashkëshortja e të ndjerit ish- Presidentit, sheikut Zayed Bin Sultan, mikeshën e saj të sinqertë. Kjo e fundit ofroi ndihmë prej 50 milionë $ për ndërtimin e një spitali pediatrik në Kosovë. EBA ishte i pari vendt i Gjirit Arabik, i cili njohu pavarësinë e Kosovës. Sot është vendi i cili lobon fuqishëm pranë organizatave ndërkombëtare ku ka peshën e saj për njohje të reja të Kosovës dhe pranimin e saj në organizata të ndryshme ndërkombëtare. Ndaj meriton EBA urimet tona më të mira.

Ky i sotmi ishte një shkrim-qasje në formën e një shkrimi “Wikipedia”, i përditësuar dhe shoqëruar me konsideratat vetjake të një diplomati shqiptar. Mbi historinë moderne të zhvillimit të vendit mik emiratas. Herë tjetër do përpiqemi të hedhim në letër kujtimet dhe përshtypjet tona mbi njerëzit e mirë emiratas, kulturën zakonore dhe fetare, ndjesitë njerëzore dhe marrëdhëniet e tyre me të huajt, njohuritë e tyre mbi shqiptarët. Megjithatë, pavarësisht nga natyra e këtij shkrimi, qëllimi im është mirënjohja dhe falënderimi i sinqertë, përcjellja e urimeve më të mira për miqtë tanë emiratas, për popullin, Presidentin, Lartësinë e Tij, sheikun Khalifa Bin Zayed dhe lidershipin emiratas. Për kontributin, solidaritetin dhe përkrahjen e tyre pa rezerva dhe hapur për çështje me rëndësi për ardhmërinë e kombit shqiptar në Ballkan. Për ndihmën zyrtare në zhvillimin ekonomik dhe social të RSH dhe RK. Le të jenë urimet tona për mbarësinë, lulëzimin, stabilitetin dhe sigurinë e EBA, mesazh i sinqertë i miqësisë mes dy vendeve dhe popujve tanë.

* Ish-ambasador i RSH në EBA

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: