TIRANE-I është dashur kohë të kuptojë se ajo që donte nga muzika ishte jo vetëm ta dëgjonte apo të luante në ndonjë instrument, por të drejtonte një orkestër… Të paktën kështu e përshkruan rrugën e tij të parë me muzikën Olsi Qinami, një pianist i njohur shqiptar, që aktualisht ka fituar zemrën e Londrës si dirigjent. Edhe pse studimet i ka kryer në Akademinë e Arteve shqiptare, artisti kishte ambicie drejtimin e orkestrave më të mëdha në botë, një dëshirë që ende nuk e ka arritur plotësisht, ndonëse është totalisht i kënaqur me arritjet e deritanishme. “Ka shumë dirigjentë të mirë nëpër botë, por kjo është ambicia ime, pikësynimi im”, tregon Qinami në këtë intervistë për “Summer Pages”.

Olsi, si ka ardhur muzika te ju?
Kam lindur dhe jam rritur në Tiranë dhe kam ndjekur studimet për piano në Tiranë. Vëllai im studionte për muzikë dhe kështu hyra edhe unë në një shkollë muzikore, jo me qëllim për t’u bërë muzikant. Prindërit dhe gjyshi me gjyshen e kanë pëlqyer muzikën por nuk arritën ta mësonin, kështu na inkurajuan ne që të studionim muzikë. Qëllimi ishte të merreshim me diçka pas shkollës. Kështu kanë nisur, por prindërit nuk kanë menduar që ne të bëheshim muzikantë me patjetër.
E keni zgjedhur vetë instrumentin, pianon?
Fillimisht kam studiuar për violinë, në klasën e parë, meqë edhe vëllai im studionte për violinë. Por nuk eci shumë mirë. Violina është një instrument shumë i vështirë kur je i vogël, plus edhe mësuesi që kisha ishte shumë i rreptë, ishte shkollë e vjetër. Mua nuk më pëlqeu dhe ndërrova shkollë, dhe me sugjerimin e një fqinje që luante piano iu përkushtova këtij instrumenti. Nuk kisha ndonjë arsye të veçantë, por ndoshta për shkak të këtij profesorit të rreptë.
Kur vendosët që dirigjimi bënte për ju?
Rreth 17-18 vjeç. Megjithatë, kur isha 12 vjeç kam dëgjuar për herë të parë një koncert simfonik, një orkestër live, dhe më bëri shumë përshtypje. Më vonë ma sugjeruan edhe profesorët Thoma Gaqi dhe Roland Çenga në Akademi, që të studioja për dirigjim. M’u duk ide shumë e mirë, sepse unë njihja pianistë shumë të mirë në Akademi dhe mendoja se nuk do isha asnjëherë pianist aq i mirë sa ata, ndaj doja të bëja diçka tjetër që më tërhiqte më shumë.
Pse këto dyshime?
Nuk ishte dyshim, por pianoja, violinçeli janë instrumente shumë të kërkuara dhe ka shumë instrumentistë të mirë. Unë e kam pasur shumë pasion pianon dhe vazhdoj ta kem, sepse më duhet patjetër edhe për punë. Por dirigjentë nuk kishte shumë, nuk shihja, dhe më dukej si diçka që jo shumë persona e bënin, dhe m’u duk më shumë interesante. Dirigjimi besoj se ka qene vendi i duhur për mua.
Olsi si dirigjent ka disa përvoja të rëndësishme në Londër dhe çmime…
Në Londër kam bashkëpunuar dhe bashkëpunoj me shumë orkestra të ndryshme dhe ansamble. Ka shumë orkestra në Londër. Vitin që shkoi kam marrë pjesë në një konkurs dirigjentësh këtu në Londër dhe kam zënë vendin e dytë. Nuk e prisja çmimin sepse ishin shumë dirigjentë. Më pas kam krijuar orkestrën time në Londër, “London Temps”, me të cilën kemi bërë koncertin e parë dhe do të vazhdojmë me koncerte e projekte të tjera. Planifikoj edhe një turne në Spanjë me orkestrën time, ndërkohë që punoj edhe me orkestra të tjera. Kam qenë pjesë në shumë koncerte edhe jashtë Britanisë. Kam shkuar në Austri, Francë, Poloni, ndërsa në Shqipëri gjatë muajit prill kam drejtuar premierën e Puçinit.
Çfarë emocioni është të drejtosh orkestra të mëdha dhe të ngjitesh në skena të mëdha europiane?
Është kënaqësi shumë e madhe dhe mëson shumë, sepse çdo shtet ka traditat e veta, se si dirigjohet dhe si komunikohet me instrumentistët. Në Shqipëri janë vetëm dy orkestra kryesore, ndërsa nëpër Europë ka shumë orkestra, në shtete të ndryshme. Sa më shumë orkestra të dirigjosh, aq më shumë mëson nga përvoja, traditat e tyre, repertori… Është shumë e bukur, ka shumë përgjegjësi dhe shumë vështirësi, sepse disa orkestra janë shumë të hapura dhe disa të tjera nuk e pranojnë ndryshimin, nuk duan të ndryshojnë.
Çfarë ambiciesh keni aktualisht, cili është pikësynimi juaj?
Sigurisht të drejtoj orkestrat më të mëdha në botë. Është diçka shumë e vështirë, sepse ka dirigjentë shumë të mirë nëpër botë, megjithatë kjo është ambicia ime.
Vlerësohet muzika lirike në ditët e sotme?
Mendoj se po, vlerësohet. Ka vende që e kanë traditë muzikën lirike, por në Europë është ndoshta më shumë komerciale seç ka qenë. Kompanitë përpiqen sa më shumë të vendosin artistë që shesin biletat ose që janë më tërheqës për publikun dhe jo patjetër më të mirët. Kjo muzikë ekziston në Europë prej më shumë se 300-400 vjetësh dhe nuk besoj se do zhduket. Sidoqoftë, edhe muzikantët klasikë duhet të adaptohen me ndryshimet e reja. Ndërsa sa i takon Shqipërisë, mendoj se vazhdon të jetë aty ku ka qenë, sepse janë vetëm dy orkestra që nuk kanë një cikël dhe diçka që lëviz.
Pse zgjodhe Londrën dhe jo Vjenën?
Është Berlini, Parisi, Italia… Megjithatë Londra m’u duk si një vend i hapur dhe pa paragjykime se nga vije. Në Londër nuk i shohin këto gjëra, janë të hapur.
Do të thuash që në vende të tjera të kanë paragjykuar pse je shqiptar?
Jo vetëm pse je shqiptar. Në Itali të paragjykojnë pse nuk je italian, apo edhe në shtete të tjera, si në Francë… Në Angli artistët e huaj mund të ecin edhe më shumë se vendësit, sepse mendojnë se të huajt janë edhe më ekzotikë apo më interesantë se anglezët.
Ke pasur bashkëpunime me emra të rëndësishëm të muzikës. Cilin do të veçoje?
Ndoshta drejtimin e orkestrës në Shqipëri, meqë ishte hera e parë që e bëja dhe ishte vendi im.
Cili është artisti që të inspiron më shumë?
Andreas Nelson, Bujar Llapaj; ka shumë…
Diçka të fundit, keni për të thënë?
Shpresoj që në Shqipëri të krijohen kushte më të mira për muzikantët. Shpresoj të lëvizë diçka në muzikën klasike, sepse muzikantët kanë nevojë për kushte më të mira dhe kjo mund të nxisë edhe cilësi më të mirë. Kur kushtet janë fare të papërshtatshme, është e vështirë t’u kërkosh muzikantëve të japin maksimumin.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: