NGA VALENTINA MADANI

TIRANE- Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka, njëherazi kreu i grupit të saj parlamentar, akuzon mazhorancën se po përdor pushtetin për të vjedhur votat në Dibër. Paloka shpjegon për “Gazeta Shqiptare” se PD-ja do të mbrojë çdo votë të saj dhe se strukturat mbrojtëse të ngritura në Dibër po evidentojnë çdo akt criminal, siç e cilësoi. Në këto kushte, Paloka thotë se PD-ja do të njohë çdo rezultat të 11 shtatorit që del vetëm nga vota e lirë dhe e ndershme. Ndërkohë KQZ-së i kujton se, asnjëra nga akuzat që bën PD-ja, në rastin konkret për kandidatin e PS-së, Muharrem Rama nuk janë pa bazë faktike. Angazhimin e Besnik Mustafajt në fushatën zgjedhore të Dibrës, Edi Paloka nuk e sheh si rikthim të tij në PD. Sipas tij, “Besnik Mustafaj nuk është larguar kurrë nga Partia Demokratike. Angazhimin e tij në fushatën e Dibrës besoj që ai e shpjegoi vetë. Siç u shpreh ai, sheh një ringjallje të shpresës te PD-ja dhe z.Basha, dhe Dibra është sinjali i parë për gjithë shqiptarët që kërkojnë rikthim të shpresës, punës dhe dinjitetit. Besniku është dhe dhëndër Dibre”, – sqaron Paloka për “GSH”.

Z.Paloka, ju drejtoni fushatën elektorale të kandidatit të PD-së për kryetar të Bashkisë së Dibrës, Sherefedin Shehu; si po ecën dhe si po ndikoni te dibranët që ata të votojnë djathtas më 11 shtator?
Fushata e Sherefedin Shehut mendoj që ka ecur në parametrat e një fushate qytetare, me kontakte direkte me banorët e Dibrës për t’u njohur me problemet e tyre dhe me parashtrimin e një alternative të mirëstudiuar për zgjidhjen e këtyre problemeve. Mendoj që profesionalizmi dhe përvoja e z.Shehu në menaxhim dhe administrim, si një nga avantazhet kryesore ndaj rivalit të tij, janë evidentuar qartazi edhe në fushatë. Problemet e Bashkisë së Dibrës janë aq të shumta, sa realisht kanë nevojë për një “doktor”, por për një Doktor shkencash, profesionist e me përvojë në administrim si Sherefedin Shehu. Ndërkohë dibranët kanë nevojë dhe për Muharremin, të bëjë atë punë që di të bëjë më së miri në spital, se edhe fëmijët meshkuj që lindin në Dibër janë të shumtë. Duke marrë shkas nga kjo, do i drejtohesha edhe atij dhe fushatës që po i bën “Rilindja”. Besoj që doktor Rremi e di që, në emër të mandatit të tij po kërcënohen të vobektit me ndihmën ekonomike dhe të sëmurët me heqjen e pensionit të invaliditetit.

Cila është problematika e hasur deri tani?
Një pjesë e drejtuesve të administratës dhe Policisë së Shtetit janë angazhuar direkt në krime elektorale, si kërcënimet, shantazhet dhe blerja e votës. Krime për të cilat Kodi parashikon dënime të rënda me burg e për të cilat ne kemi bërë një kallëzim në prokurori, por që të jetë i bindur kushdo se nuk do t’i ndahemi derisa përgjegjësit të shkojnë atje ku duhet. Ne kemi në dorë denoncime të qytetarëve dhe po vazhdojmë të vëzhgojmë dhe elementë të tjerë kriminalë të angazhuar në këto krime. Një element tjetër që ne e kemi në vëmendje është përfshirja direkt e krimit të organizuar nën sigla partish të vogla, e që në fakt kanë kontrollin mbi kandidatin e “Rilindjes”.

A besoni se skandali i ish-kryebashkiakut Shukri Xhelili e afron më shumë Sherefedin Shehun me postin e kreut të ri të Bashkisë së Peshkopisë?
Unë mendoj që skandalet, korrupsioni, babëzia, krimi dhe çdo e keqe që u vjen shqiptarëve nga qeveria “Rama”, afrojnë Sherefedinin dhe PD-në me interesat e shqiptarëve. Interesa që mund të realizohen vetëm me largimin e Ramës nga pushteti.

Si do t’i mbrojë PD-ja votat e 11 shtatorit në Dibër?
Partia Demokratike, po dhe qytetarët e Dibrës, janë të vendosur në ruajtjen e dinjitetit dhe votës së tyre. Sidoqoftë, ne kemi të angazhuara struktura që evidentojnë çdo akt kriminal që cenon votën e lirë, struktura që bashkë me deputetët e opozitës do të jenë të angazhuara derisa çdo votë të numërohet.

Përse premtimi i parë dhe kryesor i PD-së dhe PS-së është pikërisht “Rruga e Arbrit”?
“Rruga e Arbrit” ka një interes dhe vlerë të madhe për dibranët, sepse e afron Dibrën ndjeshëm me Tiranën dhe qendrat e tjera. Me pak fjalë, “Rruga e Arbrit” do të thotë zhvillim për dibranët. Aktualisht rruga deri në Peshkopi është rruga më e keqe dhe më e lodhshme në gjithë vendin. “Rruga e Arbrit” ka qenë premtim i hershëm i PD-së, por që duhet ta pranojmë se, ndryshe nga premtime të tjera, nuk arriti të përfundojë. Megjithatë, edhe në këtë pikë ne jemi shumë larg nga kundërshtari. PDja e projektoi, e nisi dhe po e çonte përpara “Rrugën e Arbrit”. Ndërkohë, nga ardhja e Ramës në pushtet, asnjë metër më tej nuk ka lëvizur rruga, dhe ai gjen guximin edhe të tallet në mes të Peshkopisë me këtë. ‘Kemi tre vjet që negociojmë me kinezet’ – tha. Çfarë negocion? Përqindjen e vet? Po nuk është vetëm “Rruga e Arbrit” që nuk është investuar. Asnjë qindarkë nuk ka dhënë Rama për Dibrën, madje edhe kur bashkia drejtohej prej përfaqësuesit te tij. E këtë dibranët e dinë mirë. Rama dhe oligarkët e tij i hedhin sytë nga Dibra vetëm kur kanë për të vjedhur. Hidrocentrali i Skavicës apo dhe projekti i Katundit të Ri, megjithëse janë kundër interesit të dibranëve, po kërkohen me ngulm nga Rama e Gjiknuri sepse mbushin xhepat e tyre. Ndërkohë, për Dibrën kjo do ishte katastrofë, sepse do sillte përmbytjen e pjesës më të madhe të Dibrës dhe shpërngulje masive të banorëve të saj që do ktheheshin në refugjatë brenda vendit të tyre. Prandaj Dibra është më mirë pa Ramën, dhe Shqipëria më mirë pa Ramën.

PD-ja e ka akuzuar z.Muharrem Rama si një person me precedent penal, por a ka të drejtë kryetarja e KQZ-së, Lefterie Lleshi, kur thotë se ai rezulton i pastër pas verifikimeve ligjore pasi ka plotësuar formularin e dekriminalizimit?
Asnjë nga akuzat që bëjmë ne, në rastin konkret as për kandidatin e PS-së, nuk janë pa bazë faktike. KQZ-ja ka detyrimin që të kërkojë verifikimin e tyre nga institucionet përkatëse dhe asnjë kompetencë tjetër. Sidoqoftë, si dhe në shumë raste të tjera që lidhen me ligjin për dekriminalizimin, edhe në këtë rast ne do faktojmë të vërtetën. Kush plotëson formularin dhe fsheh të vërteta, mban përgjegjësi penale, edhe kur – si Roshi i Kavajës – bën sikur ka harruar.

A do të njohë PD-ja çdo rezultat që do të dalë nga zgjedhjet e 11 shtatorit, qoftë dhe humbëse?
Sigurisht që Partia Demokratike do njohë çdo rezultat që vjen nga zgjedhje të lira dhe të ndershme, e që në këtë moment që flasim është të paktën dy mijë e më shumë vota për kandidatin e saj, Sherefedin Shehu.

Si e konsideroni rikthimin e Besnik Mustafajt në PD pas shumë vitesh distancë, ndërkohë që rikthimi nis pikërisht me mbështetjen ndaj kandidatit Sherefedin Shehu?
Besnik Mustafaj nuk është larguar kurrë nga Partia Demokratike. Angazhimin e tij në fushatën e Dibrës besoj që ai e shpjegoi vetë. Siç u shpreh ai, sheh një ringjallje të shpresës te PD-ja dhe z.Basha, dhe Dibra është sinjali i parë për gjithë shqiptarët që kërkojnë rikthim të shpresës, punës dhe dinjitetit. Besniku është dhe dhëndër Dibre.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb