NGA FATMIRA NIKOLLI

Elementët që janë transfor muar në kohë nga Pazari i Gjirokastrës janë disa. Sipas Ministrisë së Kulturës, “dëmet” më të mëdha në këtë lami- ose “shpërfytyrimet” e elementëve të pazarit vihen re tek: Tarabat metalike, qepenat e drurit të vetratave, ballkonet e disa njësive, strehët karakteristike e sidomos, transformimi i gjashtëkatëshit.

“Ndërhyrjet e këtyre kohëve i hoqën pazarit disa elementë, të cilët sot ose gjenden në pak njësi, ose hasen në dokumentet arkivore”, thuhet në projektin restaurues që do ti nënshtrohet pazari në vjeshtën e këtij viti. Krahas emërtimeve të “pjesëve” të shpërfytyruara, janë vënë edhe fotot e vjetra që tregojnë si ishte Pazari i Gjirokastrës, qytetit që është pjesë e pasurisë botërore të UNESCO-s, pikërisht për vlerat që ka. Edhe me sy të lirë, nga imazhet e projektit, vihen re, shtesat ose elementët e humbur të pazarit.

Projekti parashikon ndërhyrje restauruese në ballkone, ndërhyrje përforcuese në konstruksionin mbajtës të ballkoneve, si edhe imazhet se si ka qenë myftinia dhe pjesa e strehës, ashtu sikundër imazhet e përcjellësve elektrikë të pafundme, që zënë qiellin. Sa i takon vetratave, vihet në dukje se te fasadat ekzistuese të cilat kanë vetrata të pahapshme ndërhyhet duke vendosur vetrata me kanata të hapshme të afërta me kanata tradicionale duke lejuar në këtë mënyrë komunikim të ambientit të brendshëm me të jashtëm.

“Në njësi të caktuara do të aplikohen edhe elementë të tarabave metalike për të plotësuar si një anë funksionale të mbrojtjes së vetratave gjatë orëve të natës. Trajtimi vazhdon edhe në pjesën e ndriçimit, i cili është konceptuar në mënyrë të tillë që përveç anës funksionale të vlerësojë elementë të spikatur arkitektonikë”, thuhet në projekt. Parashikohet po ashtu që trarët që janë të degraduar dhe të deformuar dhe që ndikojnë në konstruksionin e çatisë të hiqen dhe të ruhen, për zëvendësimin e tyre me materiale të mira sipas përmasave, materialit dhe teknikës origjinale të elementit, ndërsa materialet e padëmtuara në çati do i nënshtrohen konservimit. Po për çatitë, do të vendosen membrana hidro-izoluese që të sigurojnë edhe ajrimin e çatisë.

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, ka lajmëruar se Këshilli Kombëtar i Restaurimeve, shqyrtoi dhe miratoi projekt zbatimin për restaurimin e Pazarit të Gjirokastrës. “Me financim të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit “The_AADF” dhe në bashkëpunim me Institutin e Monumenteve të Kulturës, ekspertet arkitektë të “Dea Studio” mbyllën punën e vështirë disamujore për studimin, analizimin dhe projektimin e restaurimit të pazarit”. Sipas saj, “vjeshta do të jetë stinë pune dhe kantieri, në qytetin e gurtë që nuk do ta lëmë të bjerë, pasi i ka rezistuar luftërave, kohës dhe batërdisë njerëzore të 25 viteve të fundit”.

RREGULLORJA PËR GJIROKASTRËN
Një vendim i Këshillit të Ministrave në korrik të vitit të kaluar, ka miratuar rregulloren e (re të) administrimit të zonave të mbrojtura të Gjirokastrës (si pasuri e UNESCO-s) dhe ka shpallur një pjesë të saj “Qendër historike”.

Rregullorja përcakton se duke synuar mbrojtjen, konservimin, mirëmbajtjen dhe restaurimin e vlerave historiko-kulturore dhe peizazhit të qendrës historike të Gjirokastrës, administrimi i qendrës historike bëhet sipas një zonifikimi të ri (me koordinata të përcaktuara). I shpallur qytet muze më 1961 dhe pasuri botërore më 2005, rregullorja nënvizon se plani i përgjithshëm i qytetit të Gjirokastrës detyrimisht duhet të marrë parasysh kufijtë dhe kriteret e mbrojtjes së zonifikimit të Qendrës Historike dhe Zonës së Mbrojtur.

Duke ndaluar reptësisht çdo lloj ndërtimi të ri në Qendrën Historike (“Pazar i Vjetër”, “Pllakë”, “Hazmurat”, “Teqe”, “Varosh”, “Meçite”, “Palorto”, “Dunavat i Itë”, “Dunavat i II-të”, “Manalat” dhe “Cfakë). Rregullorja thotë shprehimisht se ndërhyrjet lejohen vetëm për ruajtjen e qendrës, përmirësimin e rrugës apo në rastet e fatkeqësive natyrore, dhe këto të kontrolluara. Rregullorja sqaron se përreth Qendrës Historike është ajo që njihet si “Zona e Mbrojtur”, që plotëson, pasuron dhe mbron vlerat e Qendrës Historike, dhe ruhet në mbarë përbërësit urbanistikë, arkitektonikë dhe vlerat e peizazhit. Neni 15 i rregullores, thotë se projektet e rikonstruksionit të ndërtesave në këtë zonë, hartohen nga projektues ose subjekte projektuese të licencuar (për fushën), ndërsa projektet duhen mbështetur në studimet për rehabilitimin e imazhit të zonës së mbrojtur.

“Projektet shqyrtohen në Këshillin Shkencor të IMK dhe miratohen në Këshillin Kombëtar të Restaurimit (KKR). Njësoj, edhe projektet për ndërtimet e reja në këtë zonë, hartohen nga projektues ose subjekte projektuese të licencuar në projektim për fushën e ndërtimit. Projektet hartohen me konsultën e DRKK-së Gjirokastër, apo subjekteve të licencuara për projektim në fushën e restaurimit. Projektet shqyrtohen në fazën e projekt-idesë në Komitetin e Administrimit të Qendrës Historike, i cili ia përcjell për shqyrtim Këshillit Shkencor të IMK dhe miratohen në Këshillin Kombëtar të Restaurimit (KKR)”,- përcakton rregullorja.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb