TIRANE – Ditën e djeshme, pak para mbarimit të afatit zyrtar të aplikimit për detyrën e drejtorit të TKOB, një tjetër emër i është shtuar listës së kandidatëve. Ka qenë baritoni dhe solisti i parë i TKOB, Ylber Gjini, që ka dorëzuar aplikimin e tij për këtë pozicion, pas emrave të tjerë që kishin aplikuar më herët, si ish-drejtores Zana Çela, tenorit Josif Gjipali, tenorit Agim Hushi dhe ish-trombistit Kleanthi Gjika (Petrit Hajro).

Ndërsa pak kohë më parë, baritoni Gjini kishte shprehur rezerva për mënyrën e drejtimit nga ish-drejtori Ilir Kerni në një shkrim të botuar në “GAZETA SHQIPTARE”, duke renditur gabimet që sipas tij, Kerni kishte bërë gjatë ushtrimit të detyrës. Aplikimet për drejtor të TKOB u mbyllën në orën 16.30.
Në zbatim të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 173, datë 07.03.2003, “Për emërimin, lirimin ose shkarkimin nga detyra të drejtuesve të institucioneve, në varësi të Këshillit të Ministrave, Kryeministrit ose Ministrit”, Ministria e Kulturës do të përzgjedhë mes listës së kandidatëve ata tre emra që përmbushin kriteret që ishin vënë për aplikimin, dhe mes atyre që kalojnë këtë fazë, emrat e mbetur do t’i dërgohen kryeministrit të vendit, dhe do të vendosë ai se cili do të jetë drejtori i ri i TKOB. Praktikisht, Ministria e Kulturës përzgjedh tri kandidatura dje dhe sot, të cilat ia dorëzon kryeministrit. Ky i fundit, në mbledhjen e parë të qeverisë, zgjedh drejtuesin e ri, çka pritet të ndodhë ditën e mërkurë, ditë që përkon me mbledhjen e qeverisë.

GARA
Gara për drejtuesin e një ndër institucioneve më të rëndësishme kulturore në vend, siç është ai TKOB, u hap më 4 gusht, pasi ish-drejtuesi Ilir Kerni dha dorëheqjen. Në thirrjen për aplikim, reforma menaxheriale merr vëmendjen kryesore, një sfidë për të dyja kandidaturat, pasi për të dy tenorët, drejtimi i një institucioni të tillë do të jetë një eksperiencë e re.
Gara për kreun e një prej institucioneve më të rëndësishme në vend, u hap pas dorëheqjes nga ky pozicion të Ilir Kernit në fillim të gushtit. Nëpërmjet një postimi në “FB”, ai sqaronte se kishte drejtuar TKOB me buxhetin më të ulët ndër vite.

Zana Çela, ish-drejtoreshë e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit deri në vitin 2003, e drejtoi TKOB në vitet 2000-2003 dhe mbahet mend si drejtoresha që shkaktoi grevën e parë të madhe të artistëve, që e kontestuan atë në vendimet që mori. Zana Çela synoi më parë, gjatë këtij viti, postin e drejtorit të përgjithshëm të Televizionit Publik, TVSH, por që nuk ia arriti. Ndërkohë që, më herët ka qenë autore dhe producente e një sërë programesh televizive dhe artistike, jo pak të suksesshme.

Agim Hushi punon e jeton prej 20 vjetësh jashtë vendit. Ai është shef i katedrës së Operës në Konservatorin e Vjenës. Hushi ka qenë tenor dhe e ka mbyllur karrierën e tij në Tiranë. Me origjinë nga Kavaja, pas diplomimit në Institutin e Lartë të Arteve, pati një karrierë të shkurtër në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë dhe më pas u largua nga Shqipëria. Ai u diplomua në Akademinë e Arteve të Bukura të Budapestit dhe që nga ajo kohë debutoi me sukses në skenat e huaja.

Josif Gjipali – tenori i ka munguar skenës shqiptare prej 13 vitesh, por gjatë kësaj periudhe ka krijuar karrierë artistike jashtë vendit nën emrin Giuseppe Gipali. Edhe pse për mediat është shprehur se, herë pas here është kontaktuar për të qenë pjesë e TKOB-së, mënyra se si i janë servirur gjërat nuk e kanë bindur që të pranonte. Aktualisht është pedagog në Universitetin e Arteve në Tiranë në degën e Kantos. Në Teatrin e Operës dhe Baletit ai është ngjitur në skenë me disa opera, si “Norma”, “Traviatta”, “Cosi Fan Tutte”, “Don Giovani” etj. Në vitin 2004, Gjipali u vlerësua me “Titto Gobbi”, çmim ky që i hapi dyert në Itali. Kritika italiane e ka vlerësuar si “Tenore lirico da grande teatro”. Josif Gjipali në vitin 2003 ka fituar konkursin më të rëndësishëm të muzikës operistike në shkallë ndërkombëtare “Plaçido Domingo”.

KRITERET
Një nga kriteret që kandidatët duhet të plotësojnë dhe që për Ministrinë e Kulturës është prioritet dhe parakusht është reforma menaxheriale për zhvillimin e mëtejshëm të Teatrit të Operës dhe Baletit. Kjo reformë do të përbëjë një prej sfidave kryesore të drejtorit të ri, pasi do t’i duhet të menaxhojë një institucion vendndodhja e të cilit do të ndryshojë nga shfaqja në shfaqje, pas fillimit të rikonstruksionit të parashikuar në janarin e 2017-ës.
Çfarë kërkohet?
Drejtorit të Përgjithshëm në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit dhe Ansamblit Popullor sipas Ministrisë së Kulturës i kërkohet që:
1-Të ketë arsim universitar në shkenca sociale, juridike, ekonomike, ose në fushën e artit.
2-Të ketë kualifikime plotësuese në menaxhimin e artit, drejtimin e projekteve kulturore, si dhe të produksionit.
3-Të ketë përvojë të konsiderueshme (minimalisht 10-vjeçare) në drejtim, menaxhim dhe krijimtari në fushën e artit.
4-Të dëshmojë përvoja ndërkombëtare në fushat e përmendura në pikën 2 dhe 3.
5-Të njohë problemet aktuale dhe sfidat e teatrit shqiptar me qëllim reformimin e tij sipas modeleve më të mira bashkëkohore.
6-Të ketë përvojë në konceptimin dhe zbatimin e projekteve afatgjata në fushat e artit dhe të kulturës.
7-Të ketë përvojë në ndërtimin dhe mbajtjen e marrëdhënieve me donatorë dhe grupe të tjera interesi, si dhe në ngritjen e fondeve prej burimeve të ndryshme – si të sektorit publik ashtu edhe atij privat (sa më sipër të vërtetohet me referenca apo dokumentacion ligjor).
8-Të ketë aftësi të dallueshme komunikimi në ruajtje dhe zhvillim të kontakteve brenda dhe jashtë institucionit, si dhe me partnerët vendas e ndërkombëtarë.
9-Të ketë njohuri të mira të një ose më shumë gjuhëve të huaja.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb