Referendumi që ngjalli diskutime në pjesën serbe të Bosnjë-Hercegovinës është një hap pas për rajonin dhe një dëshmi që Ballkani Perëndimor mund të veprojë gjithnjë si oborr i pasmë jostabël e problematik i Evropës. Në 2 tetor në Bosnjë-Hercegovinë zhvillohen zgjedhje komunale, e me këtë janë thënë të gjitha. Sepse para së gjithash, në pjesën e banuar nga serbët, “Republika Srpska”, gjendja ekonomike dhe politike është katastrofike. Presidenti i kësaj njësie, Milorad Dodik dhe klani i tij i korruptuar, i paaftë dhe arrogant nuk kanë shënuar suksese.

Shumë njerëz atje jetojnë në varfëri të thellë, papunësia është tepër e lartë, infrastruktura thuajse mungon tërësisht dhe gjithnjë e më shumë të rinj emigrojnë. Për t’i çliruar zgjedhësit e tij nga mungesa e shpresës dhe për t’i kaluar ata në një gjendje psikologjike nacionaliste, luftarake dhe irracionale, ai përdori mjetet e sprovuara dhe padyshim të preferuara të populistëve në Ballkan: fillimisht flitet për një gjendje nën kërcënim dramatik të kombit tënd. Pastaj shpallen armiq, popujt e shteteve fqinje, gjë që në Ballkan për fat të keq vazhdon të funksionojë pa problem. Dhe në fund, udhëheqësi i madh inskenohet si shpëtues i kombit të rrezikuar. Shumë zgjedhës në Ballkan i mbështesin lojëra të tilla dhe harrojnë me të vërtetë për disa javë përditshmërinë mjerane, njësoj si aferat e shumta të korrupsionit të të vetëshpallurve shpëtues të kombit. Këto mekanizma kanë funksionuar gjithmonë me perfeksion në Bosnjë-Hercegovinë edhe te grupet e tjera popullore të vendit.

KRIZË E RËNDË
Edhe nëse referendumi i debatueshëm në “Republika Srpska” mund të etiketohet me të drejtë si potere e fushatës elektorale dhe teatër politik, ai mbetet një shkelje e rëndë e Kushtetutës. Rezultati i referendumit në “Republika Srpska”, “Dita e Festës Kombëtare” do të jetë edhe më tej 9 janari. Serbët e Bosnjës festojnë në këtë ditë shpalljen e republikës së tyre, por për boshnjakët dhe kroatët në Bosnjë-Hercegovinë, 9 janari shënon fillimin e luftës së Bosnjës. Referendumi e shtyn në një krizë të rëndë Bosnjën dhe jostabile dhe rrezikon rrugën e saj drejt Evropës. Që një referendum i tillë u arrit të mbahet, kjo është një disfatë e rëndë për të ashtuquajturin komunitet ndërkombëtar dhe para së gjithash, për përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian në Bosnjë-Hercegovinë. Këtë rol aktualisht e ka diplomati austriak, Valentin Inzko.

DYFISH NUK MBAN GJITHNJË MË MIRË
Referendumi i ndaluar nga Gjykata Kushtetuese, i kritikuar ashpër nga BE-ja, por megjithatë i mbajtur tani, është një dëshmi tjetër që strukturat dyfishe me protagonistë vendës dhe ndërkombëtarë nuk funksionojnë si duhet dhe në fund të fundit janë pa pushtet dhe ndikim. Shtetin juridik absolutisht të nevojshëm nuk mund ta garantojnë me sa duket as politikanët vendës, as përfaqësuesit zyrtarë të protektoratit. Dhe ky është ndoshta përfundimi më i rëndësishëm i referendumit të Bosnjë-Hercegovinës. Bosnjë-Hercegovina mbetet vendi problematik në Evropën Juglindore, i cili përsa i përket pozicionit gjeostrategjik, mund t’i shkaktojë edhe në të ardhmen Bashkimit Evropian më shumë se kokëçarje. Këtu interesat evropiane, ruse dhe turke përplasen gjithnjë e më shumë me njëra-tjetrën. Jo më kot e mori Milorad Dodik, bekimin e presidentit rus për referendumin e tij dhe injoroi me mbështetjen e tij krejtësisht paralajmërimet nga Brukseli dhe Uashingtoni.

Në të njëjtën kohë, vendi i vogël ka qenë gjithmonë një top strategjik loje i fqinjëve të tij, Serbi dhe Kroaci. Prandaj, në gjendjen e tanishme është edhe më e rëndësishme që ata, para së gjithash Serbia dhe kryeministri Aleksandar Vuçiç të luajnë një rol të moderuar dhe konstruktiv. Ka ende shumë për të bërë për të gjitha palët, sepse referendumi është një hap i qartë pas për të gjithë rajonin dhe një dëshmi që Ballkani Perëndimor mund të veprojë gjithnjë si oborr i pasmë jostabël dhe problematik i Evropës.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb