NGA RUDINA HOXHA

TIRANE- Presidenti i BERZH-it, Sir Suma Chakrabarti, i cili vizitoi Shqipërinë, Kosovën dhe Malin e Zi këtë javë, nënvizon në një intervistë për “Gazetën Shqiptare” se BERZH-i vlerësoi miratimin e reformës në drejtësi, ndërsa shtoi se do të qëndrojë në krah të qeverisë shqiptare për t’ia dalë mbanë me pjesën tjetër të reformave që duhet të përmbushë.

“Me kusht që këto reforma do të vazhdojnë, me kusht që afrimi me BE-në ecën vërtet mirë, ju do të shihni gjithnjë e më shumë investime nga BERZH-i në Shqipëri. Dhe kjo është ajo që unë dua të shikoj. Mendoj se Shqipëria ka një potencial të bëhet vërtet një vend i fuqishëm brenda një kohe jo shumë të gjatë, por duhet të realizojë pjesën tjetër të reformave. Ne do të jemi aty duke mbështetur të gjithë sektorët”, – tha Chakrabarti, i cili e mban postin e presidentit të BERZH-it prej 4 vitesh tashmë. Gjithashtu, ai kujton programin që Shqipëria ka me FMNnë.

“Është e rëndësishme të sillet në vëmendje se Shqipëria ka një program me FMN-në. Është një program i vështirë, por ju po ia dilni shumë mirë. Ekonomia po zhvillohet. Ju duhet të vazhdoni; është e vështirë, por duhet të ecni përpara me këto ndryshime. Sigurisht që ne do t’ju mbështesim”, – shton ai.

Si është kjo vizitë në Shqipëri për ju, z. Chakrabati? Ç’mund të na thoni për takimet?
Ne patëm takime jashtëzakonisht të mira. U takuam me kryeministrin, ministrin e Financave, Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Kryebashkiakun e Tiranës e të tjerë. Gjëja kryesore është se, kur e shikoj Shqipërinë në këto 4 vite që jam president i BERZH-it, mund të them se, pikë së pari, partneriteti ynë ka ardhur duke u forcuar gjithnjë e më shumë. Këtë mund ta shihni në volumin e investimeve. Ky do të jetë një vit rekord i BERZH-it në Shqipëri: 200 milionë euro investime, shumë biznese të vogla të mbështetura direkt nga ne, inovacion të mbështetur në sektorin e agrobiznesit e të tjera. Pra, shumë gjëra të vogla dhe të mëdha po ndodhin në këtë lidhje midis nesh. Por gjithashtu do të thosha se ajo që ka ndodhur në këto vitet e shkuara është një ecje përpara me reformat në Shqipëri. Qeveria ka bërë një punë shumë të mirë në aspektin e përafrimit me standardet e BE-së. Për shembull, miratimi i reformës në drejtësi, që ne e pamë të ndodhte këto ditë, e bën Shqipërinë edhe më tërheqëse për investitorët. Unë jam jashtëzakonisht pozitiv për Shqipërinë dhe rajonin.

Si e parashikoni ndihmën e BERZH-it për Shqipërinë?
Me kusht që këto reforma do të vazhdojnë, me kusht që afrimi me BE-në ecën vërtet mirë, ju do të shihni gjithnjë e më shumë investime nga BERZH-i në Shqipëri. Dhe kjo është ajo që unë dua të shikoj. Mendoj se Shqipëria ka një potencial të bëhet vërtet një vend i fuqishëm brenda një kohe jo shumë të gjatë, por duhet të realizojë pjesën tjetër të reformave. Ne do të jemi aty duke mbështetur të gjitha sektorët. Është e rëndësishme të sillet në vëmendje se Shqipëria ka një program me FMN-në. Është një program i vështirë, por ju po ia dilni shumë mirë. Ekonomia po zhvillohet. Ju duhet të vazhdoni; është e vështirë, por duhet të ecni përpara me këto ndryshime. Sigurisht që ne do t’ju mbështesim.

Mendimi i parë kur morët vesh për miratimin e reformës në drejtësi në Shqipëri…
Mendoj se ishte një gjë e madhe. Personalisht, unë jam mbështetës i zgjerimit të BE-së me vende të Europës Lindore. Ne jemi institucione dhe ndihmojmë në procese të tilla. Por një gjë që mësuam nga procesi fillestar i pranimit në BE me vende si Rumania, Bullgaria e të tjera ishte se drejtësia është sektori ku duhet të ndërhyhet para se ti bashkohemi BE-së. Në një farë mënyre, Shqipëria e mësoi këtë mësim shumë shpejt dhe vendosi të veprojë me ndihmën e Komisionit Europian. Kjo e bën perspektivën afatgjatë të Shqipërisë në BE një proces nga i cili shqiptarët do të përfitojnë menjëherë. Pra, jam shumë pozitiv nga miratimi i reformës në drejtësi. Ishte një lëvizje shumë e mirë.

Po sa i takon perspektivës së BERZH-it në rajon?
Ne po investojmë gjithnjë e më shumë në Ballkanin Perëndimor. Për momentin, kemi 6 kryeministra të cilët janë të përkushtuar ndaj integrimit ekonomik. Ne kemi organizuar dy samite për investimet në Ballkanin Perëndimor në Londër; njërin këtë vit dhe tjetrin dy vite më parë. Ata kanë pasur si qëllim ndërmarrjen e projekteve konkrete, ndryshime konkrete në politika, adresimin e çështjeve së bashku me kryeministrat, me mua dhe me stafin e BERZH-it, me qëllim pasjen e një ndikimi të prekshëm. Mendoj se Ballkani Perëndimor, si një rajon, ka një të ardhme vërtet të fortë.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb