Nga: PANO HALLKO*
Më në fund u zgjidh edhe çështja që shkaktonte ankth tek analistët tanë. Nëse do të qëndronte, apo do të ikte Britania e Madhe nga BE-ja. A thua se bankat e botës, e më së pari ato të Europës, që na mbajnë me hua për të shlyer borxhet që na lanë ata “të parët”, do të ndryshonin mendje. Apo mos biznesmenët anglezë do “të pushonin së investuari” në Shqipëri për shkak të daljes së Britanisë nga BE-ja!
Britania e Madhe, e më saktë populli i saj-ata që votuan, menduan në anglisht për Anglinë, për Britaninë e Madhe. Them menduan, pasi duhet nënvizuar mënyra demokratike e përgatitjes së atij referendumi. Përgatitjet nisën para plot katër vjetësh, shto këtu, edhe disa muajt e fundit fushatë elektorale zyrtare para ditës së votimit. U zhvilluan biseda dhe debate të pafundme me argumente sa i takon “pro” dhe “kundër” qëndrimit në BE, apo daljes prej tij. U publikuan me mijëra faqe analizash dhe vlerësimesh. Mbi të gjitha, pyetja së cilës u ftuan anglezët t’i përgjigjen u formulua substanciale dhe e thjeshtë: “Pro” ose “Kundër” qëndrimit në BE.
Pra, nuk ngjan fare me “referendumin” e popullit të Greqisë, zhvilluar vitin e kaluar, i cili thënë në mënyrë figurative… “u shpall të premten, e u zhvillua të dielën”…
Edhe me votë, pas 85 vitesh….
Në muajin korrik të vitit 1929, kryeministri i Francës, Aristid Briand, u kishte nisur vendeve europiane një draft-plan për Bashkimin Europian, si koncept dhe si mënyrë të realizuari.
Më datën 5 shtator 1929, kryeministrat e Europës dhe ministrat e Jashtëm ndodheshin në Gjenevë në Sesionin e X të Shoqërisë së Kombeve. Atë ditë u shtrua një drekë me të gjitha personalitetet e Europës, për nder të Bashkimit Ndërkombëtar të Gazetarëve. Aty Briandi zyrtarizoi idenë e tij për Bashkimin Europian. Pasi e lexoi ekstraktin e punimit të tij, ai iu lut gazetarëve që ata ta përçonin e ta paraqitnin në publikimet e tyre, idenë e Bashkimit të Europës.
Më 9 shtator u dha një drekë tjetër, kësaj radhe për nder të qeveritarëve që merrnin pjesë në takim. Në atë drekë, Aristid Briandit iu kërkua që ta ripunonte idenë e tij për ta paraqitur më qartë e më shkoqur në takimin e ardhshëm, i cili do të mbahej një vit më vonë, po në Gjenevë. Ndërkohë, do të ishte informuar edhe opinioni, e do të qe vjelë edhe mendimi i tij, deri në shtator të vitit 1930. Kështu u veprua, e më datën 1 maj 1930 teksti i ripunuar iu shpërnda në rrugë diplomatike të 26 qeverive europiane, anëtare të Shoqërisë së Kombeve. Një kopje iu dorëzua edhe qeverisë amerikane për informim. Titulli i atij materiali ishte: “Memorandum për organizimin e një regjimi federativ të Bashkimit Europian” (Mémorandum sur l`organisation d`un régime d`Union fédérale européenne”. Përgjigjet me shkrim të 26 qeverive europiane mbërritën në zyrën e Briandit në 26 qershor dhe më 4 gusht të vitit 1930. Kështu, më datën 8 shtator, në Sesionin e XIë të Shoqërisë së Kombeve, kryeministri i Francës paraqiti një lloj brifingu para qeverive përkatëse në Gjenevë, brifing i cili përmbante edhe thelbin e përgjigjeve të qeverive shoqëruar këto edhe me shumë rezerva. Të njëjtën ditë u shpërndahet përfaqësuesve të qeverive të Europës Libri i Bardhë i Ministrisë së Punëve të Jashtme Franceze. Në këtë Libër të Bardhë përfshiheshin të përmbledhura këto dokumente:-Teksti i 1 Majit. 2-I gjithë teksti i përgjigjeve të kthyera nga qeveritë europiane. (Ministria e Punëve të Jashtme të Francës)(Documents relatifs a l`organization d`un regime d`Union fédérale européenne)(Paris, Imprimeric Nationale, 1930, 142 faqe)
Në këto kushte, të 27 përfaqësuesit e vendeve europiane vendosën të ngrihet një “Komision studimi për Bashkimin Europian” me president-kryetar Briandin dhe sekretar të përgjithshëm, Eric Drummond.
Anglezët e cilësuan planin Briand pak a shumë qesharak. Ai jo vetëm nuk ishte serioz për anglezët, por nuk e teprojmë po të themi se ata e urrenin atë për dy arsye: a- Sepse ky plan nuk merrte parasysh faktin që vendi i anglezëve ishte më shumë i përkushtuar tek perandoria e tyre, sesa tek Europa. b-Sepse ky plan do të krijonte një organizëm, i cili do të konkurronte Shoqërinë e Kombeve, madje një ditë edhe mund të ndeshej me të. Briandi kishte kërkuar nga qeveritë europiane të përgjigjeshin me shkrim për planin, ashtu siç ato e vlerësonin atë, përpara datës 15 korrik. Qeveria angleze as që e pa të nevojshme të impenjohej për respektim afati. Ajo thjesht e mori në shqyrtim si çështje në Dhomën e Deputetëve në datën 9 korrik të atij viti. Përgjigja e ministrit të Jashtëm anglez, Artur Henderson ishte: “Mënyra më e mirë për t’u diskutuar plani francez do të ishte ta përfshinin atë në axhendën e sesionit të vitit të ardhshëm të Shoqërisë së Kombeve”. Këto ishin arsyet që më datën 11 korrik, Briandi ia shprehu pakënaqësinë e tij për qëndrimin e Londrës lordit Turel, ambasador i Anglisë në Paris. Shprehja e pakënaqësisë nga ana e Briandit çoi në kthimin e përgjigjes angleze rreth thelbit të planit: “Kemi rezerva se mos një Bashkim i pavarur dhe i mbyllur (ekskluziv)- thuhet shprehimisht në tekst- siç është ai që na rekomandohet, krijon apo ka prirjen të krijojë konkurrencë dhe kontradiktë ndërkontinentale (lexo: (dy)kontinentale; Europë: Amerikë), të cilat do të kishin efekte negative në interesin e përgjithshëm. Sipas mendimit të saj, (qeverisë angleze) është e domosdoshme që masat e marra për një bashkëpunim shumë të ngushtë europian të mos shkaktojnë shqetësime në asnjë kontinent tjetër… Nga kjo pikëpamje, bëhet e qartë se qeveria e Lartmadhërisë së Tij, brenda Mbretërisë së Bashkuar është e detyruar të marrë parasysh vlerësime specifike në cilësinë e të qenit anëtar i këtij Bashkimi”…
Gjermania kishte ngarkuar zëvendësministrin e Jashtëm, por me kompetencat e një ministri të komanduar, Von Buloë të studionte në hollësi e të merrej me projektin francez. Por, ai deklaronte në konfidencë me miq të tij: “Nëse duam të krijojmë diçka, duhet patjetër të kemi mbështetjen e Anglisë. Por, patjetër duke pasur parasysh të kaluarën e afërt, kur ne vendosim në krye të këtij programi interesat tona kombëtare, e theksin tek dy nocione: “garancia” dhe “siguria”, është njësoj sikur me qëllim të përjashtojmë nga bisedimet, pikërisht Anglinë”… Ky ministër i komanduar pikërisht për këtë punë, (se ministër i Jashtëm ishte Curtiusi), thoshte se Gjermania hedh poshtë çdo ide për një organizim politik të Europës, sipas pikëpamjeve të Briandit. Ai vërente se të gjitha problemet politike që parashtrohen mund të gjejnë zgjidhje në kuadrin e Shoqërisë së Kombeve. Dhe e përfundon vijën e mendimit: -“Në fund të fundit, nuk është prezenca e amerikanëve ajo që pengoi ose prishi punë ndonjëherë, apo anuloi bisedime, të cilat do të çonin në zgjidhjen e problemeve. Përkundrazi, mund të themi se në pikëpamje politike, gjithçka e mirë që kemi deri tani i detyrohet iniciativës dhe përpjekjes amerikane”… (po aty).
Ky ishte realiteti para 85 vitesh, si qëndrim zyrtar, shtetëror i Britanisë së Madhe. Realitet i njëjtë sot, pas 85 vitesh, por i shpallur me votën e popullit.
Popujt europianë kundër BE?
Më datën 25 maj të vitit 2005, Franca bëri referendum për një marrëveshje ndërshtetërore, të cilën me mendjelehtësi e quajtën “Kushtetuta Europiane”. Francezët u përgjigjën me “Jo” në atë referendum.
Plot shtatë ditë më pas, qytetarët holandezë i thanë “Jo” asaj Kushtetute, madje me përqindje më të lartë sesa francezët.
Në fillim të krizës ekonomike, Islanda ishte i pari vend, që me referendumet e tij, i tha “Jo” pyetjes nëse shteti duhet të bëhet garant i rimbursimit të borxhit privat të bankave. Në referendumin e parë, në vitin 2010, populli islandez e hodhi poshtë me përqindjen e votimeve tona dikur për pushtetin popullor, me fiks 98% të votave. Kurse në referendumin e dytë, në vitin 2011, kur bankat islandeze kishin dalë jashtë sistemit ndërkombëtar të rimbursimit, iu përgjigj përsëri “Jo”, me 60% të votave.
Po kështu, në dhjetor të vitit të kaluar, 2015, Danimarka bëri referendum për kërkesën e qeverisë së tij dhe të BE-së, nëse duhej të hiqej nga legjislacioni i quajturi “optout”, përjashtimi nga e Drejta Europiane fushat e Drejtësisë dhe të Policimit. Populli danez iu përgjigj me një “Jo” të fortë.
Kryetari i opozitës angleze, Xheremi Korbin, e argumentoi përgjigjen e referendumit si një inat të grumbulluar kundrejt qeverive që kanë kaluar në Londër në vitet e fundit. “Ndjehen të inatosur me politikat ekonomike, kryesisht zonat e varfra të vendit, të cilat janë të braktisura”, tha ai. Opozitë është, e të vijë në pushtet kërkon. Por tekefundit, për cilët bëhen qeveritë, shtetet, programet, bashkimet si ai europian? Për të pasurit?
Këtu nuk bëjmë fjalë për gëzimin që ndjeu sot Lepeni, apo Wilders. Sepse dihen e njihen botërisht pikëpamjet e tyre, madje edhe të shumë të tjerëve, të cilët tani do të kenë rastin të shprehin “patriotizmin e tyre të zjarrtë”.
Është e qartë se votuesit e Skocisë, Irlandës, Uellsit Gjibraltarit mund e duhet të kenë votuar pro. Mund t’u shtohen këtyre, edhe shumë pensionistë britanikë që rrojnë në Spanjë, me qëllim të mos humbasin rimbursimin e ilaçeve që marrin, apo rritjen e pensioneve.
Ashtu siç duhet vlerësuar fakti se Britania e Madhe çdo vit, pranon, do apo nuk do, plot 300.000 emigrantë e refugjatë, pra një qytet tamam. E vetëm gjysma e tyre shkon prej vendeve të BE-së.
Pavarësisht faktit se pasanikët aziatikë, lirshëm mund të blejnë ekipe sportive britanike, e bashkëpatriotët e tyre kanë nevojë për viza…
E vërteta është që BE-ja po kalon krizë në orientimin strategjik, për një kohë të gjatë. Një krizë të thellë legjitimiteti dhe përfaqësimi, pasi premtimi europian përtej kombëtar nuk i prek njerëzit, nuk arrin tek ata. Popujt europianë nuk dinë se ç’gatuhet në zyrat e korridoret e Brukselit. Ndodh tamam ajo që thotë shprehja jonë: “I zoti e merr vesh i fundit”. Ashtu siç dihet mirë se në “kubenë” e Europës shkojnë njerëz jo të suksesshëm në jetët e tyre, më së shumti dështakë në karrierën e tyre politike, kryetarë partish që kanë humbur votimet në vendet nga vijnë…
E për këtë arsye, ata rikthehen në sigurinë e demokracisë së tyre kombëtare. Kjo prirje u regjistrua para krizës, u rrënjos gjatë krizës, e vazhdon ta mbajë BE-në të mbërthyer në vetë angazhimet e saj të parealizuara.
Vijnë një milion të çrrënjosur nga lufta në vendin e tyre, Europa i mban para mureve të saj “të sigurta”. Duke nënshkruar për fatin e tyre marrëveshje me Turqinë, që kurrë nuk kanë për t’u realizuar..

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: