Nga: SPARTAK NGJELA*

Historia jonë në Ballkan ka marrë sot një optikë të re nga politika e lartë perëndimore, sidomos nga politika amerikane dhe ajo gjermane. Në fakt, befas, Perëndimi është kthyer te politika austro-hungareze e viteve 1910-1913 për shqiptarët e Ballkanit.
Vonë është, por ja që u kthye.
Ky është shansi ynë historik.
Po në çfarë pozicioni është ndërkohë politika shqiptare? Ajo është në një situatë thuajse me injorancë historike. Por, nuk është faji i saj… por, i kohës që e ka pjellë.
Asnjëherë, që nga viti 1945, politika shqiptare nuk lejoi që liderët e drejtimit të shtetit shqiptar ta njihnin historinë e Shqipërisë si proces historik të kalimit nga arbër, në shqiptar.
Në fakt, ky është procesi i fshehur edhe në shkollat shqiptare. Dhe është bërë me kast, sepse historia jonë ka qenë historia e popullit më të madh në Ballkanin Perëndimor.
Kjo ishte arsyeja kryesore e politikës austro-hungareze, dhe pas kësaj: fakti që shqiptarët nuk janë sllavë. Gjithçka lidhet me rrezikun rus në Ballkan.
Kjo është politika jonë sot.
Të gjitha qeveritë dhe udhëheqësit shqiptarë, madje edhe intelektualët shqiptarë nuk kanë pasur as njohuritë më të vogla të historisë sonë ballkanike. Aq e vërtetë është kjo, saqë intelektualët e lartë shqiptarë që shkuan në Greqi në vitin 1990-1991, u habitën kur gjetën aty miliona arvanitas që flisnin shqip.
Sot është domosdoshmëri që qeveria shqiptare të njohë historinë e shqiptarëve të Ballkanit, sepse edhe pas përmbysjes së komunizmit, shqiptarët i kanë drejtuar qeveri injorante, pa dijeninë e realitetit shqiptar në Ballkan. Edhe ai që ka ditur diçka, në fakt ka qenë nga ata që i kanë shërbyer fshehjes se historisë sonë në favor të fqinjëve.
Do fillojnë bisedime të mëdha të palës shqiptare me fqinjët në Ballkan, në një kohë që ministrat shqiptarë nuk dinë asgjë nga historia e tyre. Madje, as kryeministri aktual.
Kjo është arsyeja që qeveria aktuale duhet t’u drejtohet urgjentisht historianëve tanë dhe të huajve për ekspertizën e bisedimeve.
Historia e shqiptarëve të Ballkanit ka hyrë tani në fazën e vitit 1911-1912, kur politika austro-hungareze kishte paraqitur me argument shkencor hartën e dronit që u hodh mbi Beograd para dy vitesh. Ja, tek ajo hartë është e fiksuar realisht dhe faktikisht historia jonë.
Është turp për gazetarinë e vobektë shqiptare që atë hartë ia veshi një injoranti si Ballist Morina. E dini pse? Vërtet mendoni se gazetarët shqiptarë e njohin historinë e shqiptarëve të Ballkanit?
Zoti kryeministër! Nëse në stafin tuaj nuk do shohim historianë ballkanologë, shqiptarë e të huaj, do na japësh të kuptuar që ti po ecën kuturu në këtë proces.
Jemi në procesin historik me të rëndësishëm të historisë sonë, të gjithë duhet të jemi brenda procesit të riafirmimit të botës shqiptare në Ballkan.
Kujtohuni gjithmonë se gadishulli ynë ka qenë quajtur Gadishulli Ilirik. Ky u quajt Gadishulli i Ballkanit, kur doli në pah çështja shqiptare.
Mjaft më me të korruptuarit pushtetarë shqiptarë, ata tani i kanë hipur trenit të ndëshkimit të tyre ligjor; kurse të gjithë ne duhet të mendojmë realisht dhe me përgjegjësi për historinë tonë të së ardhmes së afërt. Korrupsioni shqiptar ka qenë kundër historisë sonë, se për atë është paguar, por për dhjetë ose njëzet ditë, ai i hipën trenit që kishte merituar me kohë. Qeveria shqiptare duhet t’i përgjigjet historisë.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: